Ndërlidhjet

Ekspertë thonë se Maqedonia mund të përballet me sanksione


Pamje gjatë protestave në Shkup, prill 2016
Pamje gjatë protestave në Shkup, prill 2016

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Maqedonia do të përballet me sanksione të rënda, si në aspektin politik, ashtu dhe atë ekonomik, pasi në vazhdimësi shpërfill rekomandimet e zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit.

Këto rekomandime i bëjnë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, të shfuqizojë vendimin për faljen e politikanëve, të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale Publike për përfshirje në manipulimet zgjedhore, si dhe korrupsion.

“Faza e parë e sanksioneve, për të mos i dëmtuar qytetarët e Maqedonisë, meqë ata nuk janë fajtorë për kizën politike të krijuar në vend, zakonisht praktikohet që në listat e zeza të Uashingtonit dhe Brukselit të hyjnë të gjithë ata të cilët janë të inkriminuar dhe shkelën marrëveshjet e arritura, njëherësh t’u bllokohen dhe xhirollogaritë që kanë jashtë vendit.”

“Dhe në fazën e dytë, sigurisht se mund të pritet që Maqedonisë t`i merret rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Dhe në fazën e tretë pritet të pasojnë sanksionet ekonomike, duke bllokuar ndihmat e të gjitha natyrave, përmes së cilave Maqedonia mbijeton dy dekadat e fundit”, thekson Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni.

Gjatë më pak se njëzetekatër orëve të fundit, Uashingtoni edhe një herë, përmes drejtoreshës për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit, Elizabet Trudo, ka kërkuar që presidenti Ivanov të tërheqë vendimin e tij për faljen e zyrtarëve të lartë të shtetit.

''SHBA dhe BE edhe njëherë treguan shqetësimet e tyre për rëndësinë e zgjedhjeve të besueshme në Maqedoni...koha është e shkurtë, por ngelen edhe shumë punë për t'u bërë. Kërkojmë fuqishëm nga presidenti Ivanov të shfuqizojë vendimin për amnisti dhe të lejojë prokurorinë speciale dhe gjykatat të bëjnë punën e tyre'', është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve drejtoresha për shtyp e Departamentit Amerikan të Shtetit, Elizabet Trudo.

Ndërkaq ish-diplomati Denko Malevski, aktualisht ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit, konsideron se Uashingtoni dhe Brukseli, përderisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve, nuk do të futen në asnjë lloj debati me politikanët e Maqedonisë, për ta nxjerrë vendin nga kriza, sepse, sipas tij, tanimë është humbur edhe shansi i fundit, me dështimin e takimit të Vjenës.

“Akti i faljes së zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfshirje në kriminalitet, politikbërësit e Maqedonisëi bën,thënë kushtimisht, jo kompetent për t`u ulur për çfarëdolloj bisedimesh me kolegët e tyre nga Evropa ose SHBA.”

“Ne tani kemi një situatë ku krerët shtetërorë më nuk mund të bisedojnë as me Evropën e as me Amerikën, pas aktit të bllokimit të drejtësisë, përkatësisht punës së Prokurorisë Speciale, e cila duhej tëdekriminalizonte institucionet dhe largonte nga skena politike pushtetarët e korruptuar”, thekson Denko Malevski.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, Denko Malevski dhe Ismet Ramadani, nënvizojnë se praktikat kanë dëshmuar se sanksionet e faktorit ndërkombëtar arrijnë të sjellin efekte pozitive, veçanërisht në vende siç është Maqedonia, të cilat ekonomikisht janë të dobëta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG