Njohësit e çështjeve juridike në Maqedoni, thonë se kijimi i një fronti të hapur ndaj punës së Prokurorisë Speciale ndikon drejtpërdrejtë në efikasitetin e këtij institucioni i cili u themelua pas marrëveshjes politike mes katër liderëve të partive kryesore në Maqedoni, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, për të hetuar zyrtarët e lartë të shtetit për të cilët në bazë të bisedave të përgjuara janë ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në korrupsion dhe mashtrimet zgjedhore.
Osman Kadriu njohës i çështjeve juridike, thotë se partitë në pushtet përmes drejtuesve të institucioneve, pengojnë punën e Prokurorisë Speciale, njëherësh bëhet dhe fushatë negative ndaj Prokurorisë Speciale, sipas tij, në mediat e kontrolluara nga pushteti, se ky institucion gjoja se synon të hetojë dhe ato lëndë të cilat nuk janë nën kompetenca të saj vetëm e vetëm për të goditur struktura të caktuara udhëheqëse të vendit.
“Për momentin pushteti, kryesisht VMRO DPMNE, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes institucioneve të cilat drejtohen nga këto dy parti, pra VMRO DPMNE dhe BDI, i bëjnë obstruksione Prokurorisë Speciale me të vetmin qëllim që të devalvohet puna e këtij institucioni".
"Bëhen obstruksione që Prokuroria Speciale të mos ketë rezultate pozitive gjatë zbardhjes së rasteve penalo-juridike dhe me këtë të shpëtojnë kokën e tyre”, thekson Osman Kadriu.
Puna e Prokurorisë Speciale është vënë në qendër të vëmendjes pas vetëvrasjes së Kosta Kërpaç në rrethana akoma të pandriçuara gjatë kësaj jave, i cili siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, ishte paraqitur vullnetarisht të dëshmojë për rastin të cilin e heton ky institucion që ka të bëjë me blerjen e pajisjeve për përgjim nga Izraeli, ku si i dyshuar kryesor paraqitet ish drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundër Zbulim në Maqedoni.
Prokuroria Speciale në njoftimin për mediat është shprehur e habitur se pse Kërpaç figuron në listën e personave që presidenti Ivanov i ka falur dhe kërkon të ndërpriten hetimet ngase ai ishte vetëm dëshmitar, por jo edhe i dyshuar.
Zyrtarë të lartë të partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski disa herë janë shprehur se Prokuroria Speciale Publike është vënë në shërbim të opozitës maqedonase dhe nuk punon në bazë të kompetencave të cilat ia garanton ligji për themelimin e këtij institucioni.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë thekson se marrëveshja politike e cila duhet të nxjerrë vendin nga kiza ka pësuar “vdekje klinike” pasi bllokohet puna e këtij institucioni mevendimin resdentit të Maqedonisë Gjrgje Ivanov të fal personat që janë nën hetime nga ky institucion.
Ndërkaq organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit thonë se strukturat udhëheqëse të shtetit kanë frikë nga Prokuroria Speciale, sepse gjatë ndarjes së tenderëve për furnizime publike, kriteri kyç që është marrë për bazë ka qenë afërsia e kompanive me pushtetin dhe jo plotësimi i kushteve të përcaktuara në bazë të ligjeve.
Ana Janevska-Delleva, drejtuese e organizatës “Transparencë - Maqedoni”, konsideron se hetimet e Prokurorisë Speciale nxjerrin në pah atë që organizatat joqeveritare tërë kohën e kanë apstrofuar, se pushteti vendor dhe ai qendror, gjatë furnizimeve publike shkelin ligjet duke përzgjedhur kompanitë të cilat janë të afërta me drejtuesit e institucioneve të caktuara ose udhëheqësit e partive në pushtet.
“Institucionet të cilat duhet t'i ndjekin të gjithë ata të cilët keqpërdorin detyrën zyrtare gjatë hapjes së tenderëve për furnizime publike, për fat të keq tani del në pah se nuk i kanë kryer detyrat e përcaktuara me ligj".
"Prokuroria Speciale është një strumbullar shumë i rëndësishëm për të instaluar sundimin e drejtësisë në Maqedoni. Me aktivitet e veta, ky institucion jo vetëm që ndjek ata të cilët kanë kryer vepra penale, por njëkohësisht i vë në përgjegjësi edhe ata të cilët duhet të jenë garantues të funksionimit të shtetit ligjor”, thekson Ana Janevska Delleva.
Institucionet shtetërore, brenda një viti shpenzojnë mbi një miliardë euro nga arka e shtetit për furnizime publike prej të cilëve një e treta e këtyre mjeteve hyjnë në kategorinë e shërbimeve që është shumë vështirë për t'u kontrolluar, theksohet në raportin e “Komunikimit Qytetar” nga sektori civil.