Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet e 5 qershorit, para dështimit?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të parapara për më 5 qershor me gjasë do të dështojnë, apo në to do të merr pjesë vetëm VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit.

Pas vendimit të opozitës maqedonase dhe të partive shqiptare jashtëparlamentare, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti, partnere e VMRO-së, po shqyrton seriozisht mos pjesëmarrjen në zgjedhje.

Nga kjo parti, thonë se kushte për zgjedhje nuk ka, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike, andaj edhe nuk dëshirojnë të kontribuojnë për thellimin e mëtejmë të krizës.

Vendimi përfundimtar për mospjesëmarrje në zgjedhje pritet të merret nga kryesia qendrore e partisë, nëse dështon edhe përpjekja e fundit e BDI-së për uljen në një tavolinë të katër partive për shqyrtimin e modaliteteve për dalje nga kriza.

“Për të pasur zgjedhje kredibile, të pranuar ndërkombëtarisht dhe nga të gjitha partitë politike duhet të krijohet ambient politik dhe për momentin një ambient i tillë nuk është krijuar. Fajin për mospërmbushjen e gjitha atyre kritereve me marrëveshjen e Shkupit bie para se gjithash tek partitë politike maqedonase".

"Pra, nuk besoj se ka ambient politik për mbajtjen e zgjedhjeve pasi nuk është në interesin e partive politike apo në interesin e Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj që nga një krizë të hyjmë në krizë të re”, thotë Rafis Haliti, zyrtar i lartë i BDI-së dhe nënkryetar i Kuvendit në përbërjen e deritanishme.

Nga VMRO-ja nuk kanë komentuar lëvizjet në BDI-së edhe pse mbeten në qëndrimin se partia e Ahmetit do t'i mbetet besnike premtimit të dhënë pjesëmarrje në zgjedhje. Ndërkohë, që përveç BDI-së, në zgjedhje nuk do të merr pjesë as Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, nëse nuk krijohen kushtet për mbajtjen e tyre.

Nga kjo parti kanë thënë se krijimi i kushteve për zgjedhje të lira është shumë më me rëndësi se sa data për mbajtjen e tyre. Pastrimi i listës zgjedhore, vendimi i presidentit për faljen e zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale dhe reformat në media, janë tri çështjet kryesore nga të cilat varen zgjedhjet.

Edhe njohësit e çështjeve politike thonë se lëvizje për të shpëtuar procesin ka, por nëse ato dështojnë, zgjedhje nuk do të ketë më 5 qershor.

“Ekziston përshtypja se përpjekje ka dhe me disa deklarata nga BDI-ja sikur ka indikacion se bisedimet janë duke u zhvilluar prapa skene. Në këtë kuadër është edhe deklarata e presidenti i shtetit se po zhvillohen konsultime për hapat e mëtejmë lidhur me vendimin e tij për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, por ndonjë rezultat konkret nuk ka ende".

"Në gjendjen në të cilën ndodhemi, të gjitha veprimet që bëjnë institucionet janë jolegjitime. Pra vlerësoj se nuk ka as kushte minimale për zgjedhje”, thotë Marko Trashanovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtuesi i Institutit për Demokraci.

Instituti që ai drejton ka dalë me disa propozime për zgjidhjen e krizës, anulimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe atë për caktimin e datës së zgjedhjeve më 5 qershor, si dhe formimin e një qeverie kalimtare të përzier me politikanë dhe ekspertë të cilën do të drejtonin resorët kyç të qeverisë.

“Kjo qeveri duhet të ketë një mandat deri në vitin 2018 kur edhe duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Vlerësoj se një qeveri e tillë do të kishte kohë të mjaftueshme për zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme si për zgjedhje të lira demokratike ashtu edhe për forcimin e sistemit demokratik”, thotë Trashanovski duke i dhënë mbështetje edhe punës së Prokurorisë Speciale ndërsa nga Gjykata Kushtetuese kërkon që të hedhë poshtë edhe një nismë në adresë të saj për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit për formimin e të njejtës, të ngritur nga Kongresi botëror maqedonas i afërt me VMRO-në e Nikolla Gruevskit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG