E premtja, apo e xhumaja është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë. Falja e xhumasë, konsiderohet si një nga obligimet e domosdoshme fetare të këtij besimi.
Një interesim i shtuar për kryerjen e ritualeve fetare vërehet edhe në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Por, ajo që bie në sy është falja e namazit në rrugë.
Qytetarë të shumtë në Prishtinë, e kanë falur në rrugë xhumanë, pasi që brenda në xhaminë në Lagjen Tophane, nuk kishte hapësirë të mjaftueshme.
Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se falja në rrugë paraqet problem për ta, por edhe qytetarët.
Ata thonë se që nga përfundimi i luftës, kur ka filluar të rritet numri i banorëve në Prishtinë, personat që kanë shprehur dëshirën të falen, shpesh janë detyruar që namazin ta kryejnë jashtë xhamive, në oborr dhe në rrugët pranë tyre.
Krye-imami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhan Hashani, thotë për Radion Evropa e Lirë se sidomos të premteve, në kryeqytet, në disa xhami, si ajo në Lagjen Tophane, Dardani e në qendër, por edhe në disa lagje të tjera, qytetarët nga mungesa e hapësirës brenda xhamive detyrohen të falen në oborrin e xhamisë dhe në rrugët përreth.
"Rrugët nuk duhet të bllokohen, por ata njerëz diku duhet të falen. Xhamitë janë të stërmbushura dhe njerëzit falen në rrugë. Shkoni në Lagjen Dardania atje, incizoni atje, numri i njerëzve që falen jashtë është ende më i madh. Numri i atyre që falen jashtë është shumë më i madh se i atyre që falen brenda. Ne edhe në këshill kemi kërkuar zgjidhje se si të dilet nga kjo situatë. Por, njerëzit nuk kanë ku të falen. Nuk i zë hapësira se xhamit janë të vogla", thotë Hashani.
Në Prishtinë në vitin 2000, numri i xhamive ka qenë trembëdhjetë, kurse deri me tash në vitin 2016 numërohen 25 sish.
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se falja e namazit nuk është e lejuar që të bëhet në një vend, në të cilin pengohet tjetri nga veprimet e tij çfarëdo qofshin ato.
"Nuk lejohet falja e namazit në rrugë, në të cilën dikush ka nevojë të kalojë në atë rrugë. Imagjinoni sikur të ndodhë një rast ku duhet të kalojnë zjarrfikësit, ose duhet kaluar ndihma e shpejtë ose policia, e të ngjashme, në të cilën dikush falet ndërkohë që dikush tjetër, mos e bëftë Zoti, digjet në anën tjetër. Prandaj, është dispozitë sheriatike, është rregull i sheriatit, është vepër e urryer falje e namazit në një vend ku e pengon dikë tjetër", deklaron Rexhepi.
Në anën tjetër, Burhan Hashani, konsideron se Komuna e Prishtinës duhet të mendojë për këtë çështje dhe, siç shprehet ai, 'komuna duhet t'ju bëjë zgjidhje taksapaguesve të vet'.
"Është mungesë e objekteve, sepse lagje të tëra janë pa xhami. Ne kemi bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës në departamentin e urbanizmit vite me radhe që në planet urbanistike, rregullative, kur bëhen për lagje, të parashihen edhe objektet fetare, krahas objekteve tjera", shpjegon Hashani.
Your browser doesn’t support HTML5
Krahas xhamive, ku besimtaret myslimanë në Prishtinë mund t'i falin vaktet e tyre, të paktën dy lokale në kryeqytet japin mundësinë dhe kanë krijuar hapësirë të veçantë ku mund të kryhen këto rituale lutjesh.
Në ato hapësira besimtarët myslimanë mund të marrin abdes dhe të falen kurdo që duan.
Një vend i tillë ndodhet në ndërtesën e hotelit "Grand" në qendër të Prishtinës, në hapësirat e së cilës si pjesë e një lokali [ëmbëltore] është një dhomë për namaz.
Liridon Vërbovci, menaxher i këtij lokali, ku nuk ofrohen pije alkoolike, thotë se këtë mundësi e kanë bërë, pasi që shumë klientë të tyre të besimit islam nuk kanë kohë të shkojnë në xhami.
"Në përgjithësi, mysafirët që vijnë, e ndiejnë si obligim dhe shkojnë falen. Kjo mundësi nuk është bërë për ndonjë mendjemadhësi ose përfitime. Këtu ka punëtorë që falen, vijnë persona në kafe, rrinë rehat. Këtu vijnë edhe motra dhe besoj se kjo është diçka shumë e mirë dhe nuk ka asgjë të keqe e të paligjshme", thotë ai.
Festim Isufaj, student i Universiteti të Prishtinës për Radion Evropa e Lirë thotë se mundësinë që e ofron kafiteria në fjalë, është një lehtësim shumë i madhe për të.
"Kjo mundësi e limiton kohën shumë. Me këtë mundësi ke kohë për të kryer disa obligime të tjera dhe kjo mundësi është lehtësim shumë i madh. Nuk ka shumë kohë që e kam kuptuar për këtë mundësi dhe mendoj se është ide shumë e mirë e sidomos për studentët", shprehet Isufaj.
Ai thotë, po ashtu, se nuk shkon në xhami për faljen e vakteve, pasi që këtë lokal e ka më afër fakultetit.
Një lokal tjetër që ofron një mundësi të tillë për lutje, ndodhet në rrugën "Eqrem Çabej", pranë Fakulteti Filologjik. Edhe aty, besimtarët mund të falen në vaktet që parashihen.
Arbeni, i cili ishte aty për t'u falur, thotë se nuk e di se kush është pronari i këtij lokali, por, sipas tij, aty ofrohet një mundësi e mirë. Ai nuk ka dashur të flasë para mikrofonit, por ka pranuar se faturat për shpenzimet e ujit dhe energjisë elektrike, në këtë lokal, shpesh i paguajnë vetë qytetarët.
Komuna e Prishtinës ka ndarë tashmë një hapësirë për ndërtimin e një prej xhamive më të mëdha në Kosovë, në qendër të Prishtinës. Megjithëse është vënë guri themeltar, ndërtimi i saj ende nuk ka filluar.