Protesta kundër pushtetit janë organizuar në shumë qytete të Maqedonisë, mbrëmjen e së hënës, ndërsa në to, për herë të parë, kanë marrë pjesë edhe shqiptarët në numër të madh, në organizim të partive të vogla jashtëparlamentare.
Përveç në Shkup, protesta janë mbajtur edhe në Kumanovë, Manastir, Shtip dhe Veles.
Me parulla “Pa drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Kriminelët në burg”, protestuesit kanë kërkuar anulimin e vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e zyrtarëve të akuzuar nga Prokuroria Speciale për akte të ndryshme kriminale, ndërsa kanë kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë për të organizuar zgjedhje pa plotësimin e kushteve kryesore: pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në media.
“Ne kemi president kriminel, kryeministër kriminel, kryetar të Kuvendit kriminel. Drejtuesit e shtetit i kemi kriminelë. Ne duam liri, ne kërkojmë të jetojmë të lirë. Duam që shteti jonë të drejtohet nga njerëz të ndershëm”, ka deklaruar një protestues.
Sipas protestuesve, pa drejtësi nuk mund të ketë shtet. Të gjithë duhet të përgjigjen për atë që kanë bërë, ka thënë një protestuese e moshuar.
“Ne kërkojmë që të gjithë të përgjigjen për veprat që kanë bërë dhe jo të falen nga presidenti. Nuk mund të krahasohen disa vepra të vogla me gjithë këtë krim që ka bërë pushteti. Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi”, ka thënë ajo.
Afrim Gashi, nga lëvizja politike “Besa”, ka thënë se partia që ai përfaqëson ka vendosur që t'iu bashkëngjitet protestave për të përshpejtuar procesin e vendosjes së demokracisë në Maqedoni.
“Çdo aktivitet që shkon në drejtim të pengimit të zgjedhjeve jokorrekte, çdo veprim që shkon kundër këtij regjimi që ka rrëmbyer shtetin, ne do ta përkrahim. Ne kemi thënë se pa u krijuar kushtet, nuk mund të shkojmë në zgjedhje. Ne konsiderojmë se duhet të formohet një qeveri ekspertësh, të themelohet një gjykatë speciale që do t’i dënojë të gjitha krimet që janë bërë dhe të gjitha këto duhet të shkojnë në frymën e krijimit të kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka deklaruar Gashi.
Organizatorët e protestave kanë thënë se pavarësisht nismave për bisedime të reja, të organizuara nga komuniteti ndërkombëtar, protestat nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimit përfundimtar: anulimin e vendimit të presidentit dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë zyrtarëve të korruptuar. Protesta janë paralajmëruar edhe nga partitë tjera shqiptare, ndërsa pritet zgjerimi i tyre edhe në qytete tjera me popullatë të përzier etnike.
Protestat kanë hyrë në javën e dytë që nga miratimi i vendimit të presidentit, të hënën e kaluar, që edhe ka nxitur reagime të ashpra jo vetëm brenda, por edhe jashtë Maqedonisë.
Vendimi për faljen e zyrtarëve të dyshuar për mashtrime zgjedhore, për afera korruptive financiare, për presione ndaj mediave dhe për akte tjera është vlerësuar si rrënues i marrëveshjes politike.
Pas këtij vendimi të presidentit dhe tjetrit të qeverisë për të organizuar zgjedhje pa plotësimin e kushteve ka ardhur edhe njoftimi mbi organizimin e një takimi të liderëve nga ndërkombëtarët, me gjasë në Vjenë të Austrisë.
Sipas mediave në Maqedoni, ftesën deri te katër partitë zyrtarisht do ta dërgojnë europarlamentarët e përfshirë në arritjen marrëveshjes politike, Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit.
Takimi pritet të mbahet në praninë e komisionarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, dhe ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, Aivo Orav dhe Xhes Bejli.