Ndërlidhjet

Veljanovski nënshkruan vendimin për zgjedhjet në Maqedoni


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Trajko Veljanovski, të premten ka nënshkruar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni më 5 qershor.

“Në bazë të kompetencave ligjore dhe kushtetuese dhe në pajtim me vendimin për shpërbërjen e Kuvendit, e kam nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, më datë 5 qershor".

"Të gjitha subjektet e kyçura në procesin zgjedhor duhet të kontribuojnë që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike”, theksohet në njoftimin me shkrim të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Trajko Velanovski.

Pro mbajtjes së zgjedhjeve në këtë datë janë shprehur vetëm dy partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, për mediat nuk ka dashur të komentojë shpalljen e datës së zgjedhjeve, por pas takimit që ka realizuar me ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily dhe atë të BE-së Aivo Orav në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkuar se po bëhen përpjekje maksimale për të dalë vendi nga kriza.

“Jemi duke punuar në mënyrë intenzive për ta zgjidhur situatën në të mirën e qytetarëve dhe për ta përfunduar këtë krizë që rëndon dhe cenon sigurinë, stabilitetin, mirëqenien, ekonominë, por edhe integrimin EuroAtlantik”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërkohë që partia maqedonase në opozitë Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë edhe të premten është shprehur e vendosur që të bojkotojë zgjedhjet, ngase siç theksohet nga kjo parti, nuk janë plotësuar kushtet e parapara për zgjedhje korrekte dhe transparente siç është pastrimi i listës së votuesve, reformimi i mediave si dhe ndarja e partisë nga pushteti.

“Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit dhe nuk do t'i lejojë të mbahen të njëjtat. Në Maqedoni janë të mundura vetëm zgjedhje të rregullta me listë të pastër të votuesve dhe media të lira, ka nënvizuar lideri i LSDM-së Zoan Zaev gjatë takimit me amabasadorin e Holandës në Maqedoni Vauter Pllomp”, theksohet në komunikatën me shkrim të lëshuar nga kjo parti.

Se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje të besueshme, janë shprehur edhe partitë shqiptare në opozitë.

Organizatat joqeveritare kanë theksuar se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të mos prolongohen zgjedhjet në një afat të përcaktuar, përkatësisht gjersa të përmbushen kushtet për zgjedhje ë besueshme si dhe presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov të tërheq vendimin për të falur politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale për manipulimin e zgjedhjeve dhe përfshirjen në afera korruptive.

“Zgjedhje më pesë qershor nuk guxon të ketë për shkak se akoma nuk është pastruar lista e votuesve, gjithashtu për shkak se pushteti akoma nuk është ndarë nga partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, aq më pak mund të thuhet se në Maqedoni ka media të lira të cilët do t'i krijonin një pasqyrë të qartë para qytetareve për atë se çka ndodh në vend”, thekson Xhellall Hoxhiq nga sektori civil, pjesë e rrjetit të 80 organizatave joqeveritare, të cilët gjatë së enjtes për të tretën herë i kanë dorëzuar ambasadorit amerikan dhe atij të Bashkimit Evropian qëndrimin e tyre se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG