Opozita nuk tërhiqet nga protestat, kundërshton zgjedhjet

Protestuesit në Shkup

Kriza në Maqedoni vazhdon të thellohet për shkak të dallimeve gjithnjë e më të mëdha ndërmjet partive, në veçanti pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, për të falur zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprime kriminale.

Tensionet janë rritur edhe pas vendimit të së premtes të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili pa praninë e anëtarëve të opozitës doli me qëndrimin se ka kushte për zgjedhje.

Por, lideri i opozitës, Zoran Zaev edhe një herë përsëriti qëndrimin se kushte për zgjedhje nuk ka dhe se mbajtja e tyre vetëm nga partitë qeverisëse do të pengohet me të gjitha mjetet e mundshme.

“Të gjithë e dinë se nuk ka kushte për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Lista zgjedhore nuk është pastruar, nuk ka reforma në media, në vend është kryer grusht-shtet, marrëveshja politike është varrosur, qeveria teknike është shpërbërë me anulimin e të gjitha vendimeve të ministrave të opozitës”.

“Nikolla Gruevski dhe grupi kriminel rreth tij po bëjnë gjithçka për t'u mbrojtur nga krimi dhe korrupsioni që kanë bërë. Prandaj, alternativë tjetër nuk ka, ose Gruevski, ose Maqedonia. Do t’i përdorim të gjitha metodat demokratik për përmbysjen e këtij regjimi”.

“Protestat nga dita në ditë po rriten, do të ndodhë edhe tubimi më i madh i parë ndonjëherë pasi pakënaqësitë kanë kulmuar si te maqedonasit, ashtu edhe te shqiptarët, turqit, romët, vllehët, serbët e boshnjakët”, deklaroi kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev.

Ai tha se e gjithë bashkësia ndërkombëtare tani më e ka bërë të qartë, se pa plotësimin e kushteve nuk mund të ketë zgjedhje.

Por, pavarësisht reagimeve të shumta dhe vendosmërinë e të gjitha partive opozitare për bojkot, VMRO DPMNE-ja është vendosur për të shkuar në zgjedhje, ndërsa kjo mbështetet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, i cili nga ana tjetër, ka kundërshtuar vendimin e presidentit Ivanov.

Partitë opozitare, por edhe njohësit e çështjeve politike thonë se me zgjedhje nuk mund ta zgjidhin krizën politike, e cila është përkeqësuar në veçanti pas vendimit të presidentit.

Vendimi i tij nxiti reagimin edhe të shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptar.

“Ky vendim është thjesht rrënim i sistemit juridik të vendit, është një akt shumë i ulët, mund të them është infantil. Është vendim partiak, rezultat i vendimeve partiake pasi me vetë faktin se ai kishte gjithë ata emra që duhet të jenë në Prokurorinë Speciale, dëshmon se vendimi është marrë në bashkëpunim me partinë nga e cila është zgjedhur”, tha kryetari i shoqatës, Shpëtim Pollozhani.

Ai kërkoi që të shqyrtohet edhe rasti me të burgosurit politikë shqiptarë dhe të proceseve të montuara, siç i quan ai.

Pollozhani nuk kërkoi përfshirjen e tyre në vendimin e presidentit, por nëpërmjet një gjykimi të pavarur të dëshmohet pafajësia e tyre, por nuk e përjashtoi edhe mundësinë e organizimeve të ndryshme kundërshtuese.

“Ne, si shoqatë, disa herë kemi kërkuar që vepra e tyre të trajtohet si vepër politike pasi motivet kanë qenë politike. Ne, kërkojmë që të rigjykohen, apo të përfshihen me një amnesti të përgjithshme. Por, këtu ka faj edhe faktori politik shqiptar, të cilin e ka zënë një letargji e madhe”.

“Përveç deklaratave kabinetike nga ta nuk ka asgjë konkrete. Në të ardhmen ne si shoqatë do t'i prijmë një organizimi më masiv për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve pasi ne jemi tradhtuar si nga pozita ashtu dhe nga opozita”, theksoi Pollozhani.

Ndërkohë, protestat sipas sektorit civil, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ka paralajmërime për përfshirjen edhe të partive të reja shqiptare.

Në protestat e tre ditëve të fundit, janë plagosur dhjetëra persona, përfshirë edhe disa pjesëtarë të forcave policore, kurse është demoluar edhe zyra për pritje e presidentit Ivanov.