Komisioni anti-korrupsion në Maqedoni, në mbrojtje të zyrtarëve

Ilustrim

Komisioni për parandalimin e korrupsionit në Maqedoni është vënë në mbrojtje të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, apo fshehjen e të ardhurave të tyre, vlerësojnë ekspertë dhe ish-drejtues të këtij institucioni, i cili në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave për mosluftimin e dukurive negative.

Reagimi i tyre vjen pas shpërfilljes së kërkesave nga ana e drejtuesve të komisionit për shkak të mospublikimit të listës anketuese të kryetarit të VMRO DPMNE-së, ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Në bazë të Ligjit, ai dhe zyrtarët e tjerë, pas çdo zgjedhjeje në funksion shtetëror, apo pas çdo pushimi të mandatit, janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre, gjë që Gruevski nuk e kishte bërë derisa kulmuan reagimet në opinion, por edhe në këtë rast komisioni doli vetëm me një kopje të dokumentit duke refuzuar që ai të jenë në dispozicion të medieve dhe opinionit më të gjerë.

Ai pyeti gazetarët se pse ju intereson pikërisht lista anketuese e Gruevskit, kur, siç tha ai, më nuk është në funksion.

“Ka disa dallime të vogla në fletën anketuese që kryesisht kanë të bëjnë me disa transaksione financiare të papërfillshme, që nuk ia vlen të komentohen. S'di se pse dikujt i intereson pasuria e kryeministrit, ai tani nuk është në detyrë, apo pse dikujt t'i interesojë gjendja financiare e imja”, ka deklaruar kryetari i komisionit anti-korrupsion, Goran Milnkov.

Ish-kryeministri Gruevski ka thënë se deklarimin e pasurisë e ka bërë në afatet e përcaktuara me ligj, përkatësisht më 6 shkurt, apo tre javë nga largimi nga Qeveria ashtu edhe siç parashihet me ligj, por nuk ka përgjigje se pse dokumenti nuk është publikuar nga Komisioni anti-korrupsion. Gruevski ka deklaruar rreth 200 mijë euro pasuri, shifër kjo e përafërt me deklarimet e mëparshme.

Qasja e tillë e drejtuesve të komisionit është kundërligjore, thonë ish- drejtuesit e komisionit.

“Komisioni duhet të bëjë detyrën, për të cilën është i themeluar dhe një nga detyrat e tij është që të sigurojë fletët e deklarimit të pasurisë nga çdo funksionar. Nëse këtë nuk e bëjnë zyrtarët, atëherë ka nene që parashohin ndëshkimin e tyre, madje edhe në rastet kur nuk është e përditësuar, e jo të mos ketë fare fletë të deklarimit të pasurisë".

"Pra, këtë duhet ta kenë edhe krerët e shteti, presidenti, kryeparlamentari dhe kryetari i Qeverisë. Por, ne e shohim se në çfarë shteti dhe rrethanash jemi duke jetuar, andaj edhe gjithçka që dëgjojmë, nuk duhet të habitemi“, thotë Arif Musa, ish-anëtar i komisionit.

Ekspertët thonë se jo vetëm puna e Komisionit anti-korrupsion, por edhe ajo e institucioneve tjera, është politizuar në skajshmëri dhe dëshmi për këtë, sipas tyre, janë edhe bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, e që janë publikuar nga opozita ku flitet për ndërhyrje në punën e institucioneve që duhet të kujdesen për zbatimin e ligjit.

“Problem i madh në Maqedoni për momentin është politizimi i fuqishëm i të gjithë trupave rregullator. Ndërhyrje në punën e tyre kemi jo vetëm në pushtetin gjyqësor dhe institucionet tjera shtetërore, por edhe në sektorë dhe gjithkund tjetër ku kanë fuqi për të parandaluar aktivitetet që kanë për qëllim luftimin apo denoncimin e veprimeve korruptive“, thotë Dragan Malinovski, njohësi kësaj sfere dhe ekspert për çështje juridike.

Ai thotë se deri tani nuk është ngritur qoftë edhe një procedurë për ndjekjen e ndonjë zyrtari për korrupsion apo shkelje tjera ligjore, që konfirmon dilemat se ky komision më tepër është në funksion të mbrojtjes së zyrtarëve se në ndjekjen e atyre që kanë bërë shkelje ligjore.

Buxheti i Komisionit anti-korrupsion në vazhdimësi rritet, por nga ana tjetër ulet numri i lëndëve të dyshuar për korrupsion. Ky institucion asnjëherë nuk është deklaruar edhe për atë që njihet si aferë e përgjimeve, që, sipas ekspertëve dhe opozitës, dëshmon qartë përfshirjen e zyrtarëve në krime të rënda.

Përbërja prej shtatë-anëtarësh e Komisionit anti-korrupsion është zgjedhur nga shumica parlamentare.