Marrëveshja për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 prill.
Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, kanë deklaruar se kjo marrëveshje është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë.
Autoritetet në Prishtinë thonë se kjo marrëveshje paraqet një fillim të ri, i cili jo vetëm i hapë rrugën, por edhe përshpejton procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Marrëveshja e Stabilizimi -Asociimit e Kosovës me Bashkimin Evropian, hap mundësi të mëdha për prodhuesit kosovarë.
“Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit; forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme”.
“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit brenda saj ka një agjendë të veçantë të krijimit të një tregu të përbashkët të Kosovës dhe BE-së dhe të reformave që parashohin bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve të punës dhe kapitalit".
"Kjo marrëveshje synon të mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës, si dhe të forcojë integrimin e saj në tregun e përbashkët të BE-së gjatë një periudhe kohore jo më të gjatë se 10 vjet që nga sot”, ka deklaruar Mustafa në ceremoninë e organizuar me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Nga data 1 prill 2016 e tutje, fati i Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të lidhet më ngushtë se kurrë më parë, dhe kjo është një gjë e mirë për të dy palët, ka deklaruar ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku.
"Pavarësisht rëndësisë, vërtet, të madhe që ka dhe faktit që kjo marrëveshje do t’u sjellë shumë dobi qytetarëve të Kosovës, nuk ka qenë fare e lehtë për t’i komunikuar këto dobi në mënyrë efektive”.
“Disi shpesh thuhet se dobitë janë të pakapshme apo të paprekshme për qytetarët. Por, MSA-ja do të sjellë dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve", është shprehur Çollaku.
Marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, më 27 tetor të vitit të kaluar është nënshkruar nga kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa.
Nga ajo kohë, kjo marrëveshje ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Ministri Çollaku ka theksuar se sa i përket pjesës politike, kjo marrëveshje nënkupton që marrëdhënia ndërmjet BE-së dhe Kosovës nga tani është e natyrës kontraktuale.
"Kjo do të thotë se nga njëra anë, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që Kosova të përmbushë kriteret e anëtarësimit”.
“Qëllimi i përbashkët i dy palëve, është thellimi i procesit integrues të Kosovës dhe përshpejtimi i anëtarësimit të saj në BE, duke krijuar nxitjen që Kosova të përmbushë Kriteret e Kopenhagës", ka theksuar Çollaku.
Nga pikëpamja ekonomike, thonë zyrtarët në Ministrinë e Integrimit Evropian, MSA-ja përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Ata theksojnë se "kjo do të ofrojë qasje në produkte të cilësisë së lartë me çmime të favorshme për qytetarët dhe bizneset. Integrimi më i ngushtë i ekonomisë së Kosovës me tregun e vetëm të BE-së do të ketë ndikim pozitiv në tërheqjen e investimeve të jashtme".
Obligimet e Kosovës me fuqizimin e MSA-së
Hyrja në fuqi e MSA-së, do të thotë edhe obligime të reja për Kosovën. Gjatë këtij viti, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të shumta në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.
Një numër i madh i produkteve të Bashkimit Evropian, të cilat do të hyjnë në Kosovë, tash e tutje do të lirohen nga taksa doganore dhe disa prej tyre do të kenë zbritje të tatimit doganor.
Nga taksa doganore pritet të lirohen edhe ato produkte, të cilat të njëjtat prodhohen edhe në Kosovë.
Autoritetet doganore në Kosovë thonë se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do t’i publikojnë edhe anekset, ku do të tregohen në detaje se cilat mallra lirohen dhe cilat mallra nuk lirohen nga taksa doganore.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka dhënë për Radion Evropa e Lirë disa detaje të produkteve, të cilat do të lirohen nga taksa doganore.
“Marrëveshja e MSA-së është e ndarë në tre kapituj: Kapitulli i mallrave industriale, bujqësore dhe peshkataria, një lëmi e veçantë. Te kapitulli industrial, ato produkte industriale që nuk janë të parapara në anekse të marrëveshjes, janë me zero për qind. Kemi një kategori të ndryshme të produkteve industriale, për të cilat është paraparë që pas katër vjetëve, tatimi doganor të jetë zero për qind”, ka shpjeguar Stavileci.
Përfaqësues të shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë, shprehen mjaft kritikë sa i përket lirimit të menjëhershëm që do t’iu bëhet produkteve të BE-së, e të cilat të njëjta prodhohen edhe në Kosovë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës është dashur të gjejnë hapësirë brenda kësaj marrëveshjeje,që t’i mbrojnë prodhimet vendore.
“Në këtë drejtim, prodhuesit vendorë do të sfidohen me një konkurrencë të ashpër, pasi që më shumë se 2 mijë produkte që do të importohen nga BE-ja, do të lirohen nga taksa doganore, dhe këtu do të hyjnë edhe produktet, të cilat të njëjtat prodhon edhe Kosovë”, ka shtuar Shahini.
Shahini ka kritikuar autoritetet e Kosovës, të cilat, siç ka thënë ai, kanë rënë në presion të kërkesave të Bashkimit Evropian që produktet e këtyre shteteve të lirohen pa kushte, derisa nuk është kërkuar t’iu bëhet mbrojtje më e madhe prodhimeve vendore.
Zbatimi i duhur i MSA-së brenda tre vjetëve të parë, do t’i sjell Kosovës mundësinë që të bëjë hapin e radhës në rrugën e vet integruese, që është aplikimi për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.