Ndërlidhjet

Zhbogar: MSA-ja ka privilegje, por edhe obligime


Samuel Zhbogar, foto arkivi
Samuel Zhbogar, foto arkivi

"MSA sjell obligime të reja, sidomos në kornizën ligjore", thotë në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Samuel Zhbogar, Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zhbogar, Kosova sapo ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit(MSA) me Bashkimin Evropian (BE), e cila shihet si një hap mjaft i rëndësishëm për integrimin e Kosovës në BE. Çfarë do të thotë një marrëveshje e tillë më saktësisht për Kosovën?

Samuel Zhbogar: Më vjen mirë që fillimisht të gjithë kemi arritur në këtë pikë, sepse kjo është struktura e parë e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së. Është forma e parë e themelimit të dialogut politik mes Kosovës dhe BE-së.

Në aspektin tjetër marrëveshja është edhe e një rëndësie praktike, sepse kjo do t’i ndihmojë Kosovës që t’i përshpejtojë reformat. Përveç, aspektit institucional, MSA-ja do të rrisë marrëdhëniet tregtare mes prodhuesve kosovarë dhe BE-së. Për 10 vitet e ardhshme kjo do të jetë një marrëveshje asimetrike, për të ndihmuar prodhuesit kosovarë që të hyjnë në tregun evropian.

Pastaj, MSA-ja do të ndihmojë më shumë në tërheqjen e investimeve vendore dhe të huaja, sepse me këtë Kosova do të garantojë një ambient më të parashikuar për investime dhe biznese, dhe nga kjo do të krijohen vende të reja pune.

Marrëveshja garanton edhe cilësi më të mirë të produkteve, ambientit si dhe ngritë konkurrencën mes prodhuesve, e cila pastaj ndikon në uljen e çmimeve.

Pra ka shumë privilegje, përveç asaj simbolike, që Kosova hyn në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Radio Evropa e Lirë: Përveç privilegjeve, Kosova merr përgjegjësi në zbatimin e kërkesave të BE-së. Sa jeni optimist se këto kërkesa do të plotësohen nga autoritetet në Prishtinë?

Samuel Zhbogar: MSA-ja është një mjet dhe kjo varet nga Prishtina si e përdorë për përfitime të veta. MSA sjell obligime të reja, sidomos në kornizën ligjore. Të gjitha ligjet e tashme dhe ato në të ardhmen do të duhet të jenë në përputhje me ligjet e BE-së dhe të zbatohen në tërësi.

Qeveria duhet të bëjë më shumë në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë. Duhet të sigurohet funksionimi i institucioneve, përmirësimi i klimës së biznesit, sidomos në krijimin e kushteve për prodhuesit vendorë, që të jenë të aftë të konkurrojnë në tregun e BE-së. Kosova duhet të orientohet më shumë drejt eksportit, që është ende shumë i dobët në Kosovë.

Pra ka mjaft obligime. Por, unë jam optimist, sepse kjo është në favor të Kosovës, që autoritetet këtu ta vendosin të ardhmen e këtij vendi drejt asaj që qytetarët e shohin të ardhmen e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zhbogar, MSA-ja parasheh edhe aspektet politike. Artikulli 5 dhe 13 i kësaj marrëveshjeje parasheh angazhimin e Kosovës, në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. Duke parë situatën e tensionuar mes qeverisë dhe opozitës, a shihni vështirësi në zbatimin e kësaj çështjeje?

Samuel Zhbogar: Ju keni të drejtë. Zhvillimet e fundit në Kosovë, në Parlament, kanë ndikuar që vëmendja për Kosovën të kthehet për gjëra jo të mira, madje edhe për vetë kosovarët. Ne mendojmë që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe me vetë serbët në Kosovë, është primare dhe në interes të Kosovës.

Mendoj që tensionet e krijuara mes qeverisë dhe opozitës duhet të kalohen përmes dialogut. Dje kemi pasur ratifikimin e MSA-së në Kuvend dhe të paktën opozita ka qenë aty, jo për ratifikim, fatkeqësisht, por për pjesën e diskutimit.

Shpresoj që në të ardhmen të gjejnë tema tjera të përbashkëta për diskutime, dhe të kthehen në parlament për diskutim.

Radio Evropa e Lirë: Por MSA-ja, parasheh që në rast se Kosova nuk gjen ndonjë zgjidhje në këtë drejtim, atëherë BE-ja mund ta anulojë krejt ose përkohësisht MSA-në. A besoni se mund të arrihet deri në këtë pikë?

Samuel Zhbogar: Jo, nuk e besoj që do të vijmë në këtë pozitë. Ai është kërcënimi i fundit natyrisht. Por, jam i sigurt që nuk do të vijmë në atë pozitë, që të gjithë politikanët në Kosovë do të gjejnë një zgjidhje, para se të vijmë në atë pikë, kur mund të përdoret ai artikull i MSA-së.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zhbogar kur keni marrë mandatin tuaj si përfaqësues special i BE-së në Kosovë, patët deklaruar se deri më 2016, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Evropë. A vazhdoni t’i keni këto shpresa ende?

Samuel Zhbogar: Po unë që atëherë u pata shprehur se besoj që brenda mandatit tim, që përfundon në 2016-ën, do te kemi lajme të mira për viza dhe unë vazhdoj të kem shpresa në këtë drejtim. Shumë gjëra janë bërë që atëherë.

Ne kishim një komision nga BE-ja në qershor dhe vlerësimi i tyre në përgjithësi ka qenë pozitiv. Janë disa çështje të cilat duhet trajtuar dhe ne këto të dhëna preliminare i kemi dërguar te qeveria, e cila është zotuar se ato do të plotësohen gjatë nëntorit.

Dhe unë shpresoj se nëse të gjitha këto plotësohen, atëherë në dhjetor mund të presim më me optimizëm, raportin të cilin Komisioni Evropian supozohet se duhet ta prezantojë në dhjetor. Nuk mund te jem më specifik se kaq, sepse duhet parë se si do të zbatohen çështjet tjera dhe si do të del raporti.

Por ky është vetëm fillimi, sepse pastaj vendet anëtare të BE-së, do ta diskutojnë dhe ato marrin vendimin final. Pra, në dhjetor nuk kemi vendimin final, por do ta kemi të qartë pozicionin e Komisionit Evropian, që është i një rëndësie të madhe.

Mendoj se Kuvendi i Kosovës ka pasur një rol të madh në adresimin e të gjitha kritereve që kanë dalë nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. BE-ja duhet poashtu të sigurohet se nuk do të ketë më migrim ilegal të kosovarëve, ashtu siç pamë vitin e kaluar. Dhe natyrisht ne duhet të sigurohemi që Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera do t’i kthehet normalitetit me diskutime, dhe larg dhunës.

Intervistoi: Berianë Mustafa

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG