Princi Charles bën thirrje për ura bashkëpunimi

Your browser doesn’t support HTML5

Vizita e Princit Charles në Kosovë

Princi britanik, Charles, dhe bashkëshortja e tij, dukesha Camilla, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, janë takuar me udhëheqës të lartë shtetërorë, me ata fetarë.

Princi Charles dhe dukesha Camilla, në pjesën e parë të ditës, janë pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga në takimin me Princin Charles thuhet se ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, për përparimin e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, si dhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në një komunikatë për media nga Presidenca thuhet se, "vizita e Lartmadhërisë së tyre në Kosovë, rikonfirmon lidhjet e veçanta dhe të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar".

"Presidentja Jahjaga dhe Princi i Charles diskutuan edhe për angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Britanisë së Madhe për ruajtjen dhe promovimin e tolerancës ndërfetare dhe parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës", thuhet në komunikatë.

Presidentja Jahjaga, me këtë rast, ka dekoruar princin e Charles me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë.

Pas këtij takimi, çifti mbretëror ka vendosur lule pranë Monumentit për Personat e Pagjetur, i cili gjendet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Pas vendosjes së luleve, Princi Charles, ka takuar aty pranë nënat nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, të afërmit e së cilave janë ende të pagjetur.

Ato kanë kërkuar nga Princi Charles që të shfrytëzojë autoritetin e tij dhe të bëjë presion tek autoritetet e Serbisë, në mënyrë që t’i kthejë të dashurit tyre, pasi ato dyshojnë se në Serbi gjinden të afërmit e tyre.

Njëra nga nënat që ka biseduar me Princin Charles, ka thënë se pa kthimin e të gjithë personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovës, liri për to nuk ka.

"Qe shtatëmbëdhjetë vjet jemi duke pritur, jemi lënduar shumë. Edhe durimit i ka ardhur fundi. Duhet që nëna t'i presë bijtë e vet, mos të vdesë nëna pa i ardhur bijtë e vet... Mesazhi ynë është që t'i bëni presion Beogradit urgjentisht që të kthehen sa më parë( të pagjeturit), të punohet shumë e më shumë dhe ata të kthehen. Kosova nuk është e lirë nëse nuk kthehet edhe personi i fundit që mungon dhe kriminelët të dalin para drejtësisë", është shprehur ajo.

Princi Charles, i cili pasdite ka qëndruar në Prizren, është takuar me shumë qytetarë, të cilët ishin mbledhur në qendër të qytetit dhe që në dorë mbanin flamuj të shtetit britanik.

Charles, në xhamin "Sinan Pasha", është takuar me myftiun Naim Tërrnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Tërrnava i ka thënë princit britanik se komuniteti mysliman në Kosovës është duke dhënë kontributin e vet për një mirëqenie të përgjithshme brenda dhe jashtë vendit.

"Çdo gjë që është kundërnjerëzore, është edhe kundër fesë, dhe jemi kundër çdo ekstremizmi të dhunshëm dhe diçka të tillë e kemi luftuar dhe do ta luftojmë edhe në të ardhmen", ka deklaruar Tërrnava.

Princi Charles ka vizituar edhe Kishën Ortodokse Shën George Runoviq, në Prizren ku është takuar me Peshkopin Teodosije dhe Atin Sava Janjiq.

Peshkopi Teodosije dhe ati Sava Janjiq gjatë takimit me princin Charles, kanë folur për trashëgiminë e gjatë ortodokse në Kosovë dhe praninë e serbëve në rajonin e Prizrenit.

Princi ka vizituar edhe kishën katolike Zonja Ndihmëtare, ku është takuar me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Princi Charles, pasi ka vizituar objektet fetare, shkurt ka folur në një konferencë ndërfetare, që është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në fjalën tij, Princi britanik ka bërë thirrje për ruajtjen e kulturës.

"Kemi një mundësi ideale për të nderuar urat e bashkëpunimit dhe pajtimit. Pa kulturë e histori, ne jemi të humbur. Ne nuk duhet të lejojmë që të jemirobër të historisë”, ka thënë ndër të tjera në fjalën e tij, Princi Charles, duke theksuar se "Kosova ka një të ardhme të veçantë".

Ky ishte turneu i tetë i Princit Charles në Ballkan, ndërsa për Dukeshën Camilla, kjo është vizita e saj e parë në disa shtete të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.

Your browser doesn’t support HTML5

Princi Charles në Kosovë

(Video: A.Konushevci)