Kuvendi do ta vazhdojë seancën pa opozitën

Partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të martën nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës plenare.

Subjekti më i madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje që në Kuvendin e Kosovës ka 16 ulëse, thotë se sa i takon pjesëmarrjes në seancat plenare do të "bëjmë vlerësim nga seanca në seancë".

Ky qëndrim i Vetëvendosjes vjen pasi që "koalicioni qeverisës mund të kontrabandojë në Kuvend gjëra të këqija si për shembull, statutin e 'Zajednicës', likuidimin e Trepçës e të ngjashme, me ç'rast ne sigurisht se duhet të jemi aty dhe do të jemi aty", tha për Radion Evropa e Lirë, Adonis Tahiri zyrtar për media.

Ai tha po ashtu se partitë politike opozitare aktualisht janë duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjet e një tubimi në sallën 1 Tetori në Prishtinë më 19 mars.

Kurse, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se tashmë AAK -ja, ka qëndrim të qartë për tu distancuar nga Kuvendi i Kosovës.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së AAK-së, thotë se deputetët e AAK-së refuzojnë të marrin pjesë në një Kuvend ku nuk mund të ushtrohet mandati i tyre në përputhje me Kushtetute dhe dinjitetin njerëzore të deputeteve.

"Vendimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për t'u distancuar nga Kuvendi i Kosovës është përfundimtar dhe në këtë çështje nuk ka fare se çka mund të flitet tutje", ka thënë Nitaj.

Lëshimi i seancës së fundit, sipas Muharrem Nitajt, për AAK-në nënkupton “një braktisje të unifikuar”.

"Për ne, fjalimi lamtumirës është i deputetit Ismajl Kurteshi, ose të paktën neve e kemi marr si braktisje kolektive ose të unifikuar të punimeve të Kuvendit. Nëse, Vetëvendosje ka qëndrime te tjera, ajo është parti në vete dhe vendimet i merr në mënyrë autonome", ka deklaruar Nitaj.

Aktualisht, te partitë në opozitë, ka një ide që të braktisen seancat dhe të shkohet vetëm në seancën në të cilën eventualisht do të shpërndahej Kuvendi dhe do të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

Bisedimet lidhur me vendimin final dhe të përbashkët pritet të vazhdojnë edhe më tej, thonë përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike.

Në partinë Nisma për Kosovën, përsërisin se përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend, si një mjet që ka përdorë opozita këta shtatë muajt e fundit, i ka ardhur fundi dhe se opozita duhet të gjejë forma të tjera për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale.

Haxhi Shala, deputet i partisë Nisma për Kosovën thotë se tash për tash ka vetëm vendim për heqje dorë nga gazi lotsjellës.

"Ne kemi qëndrimin se më nuk do të përdorim gazin lotsjellës, por për një vendim përfundimtar se a do të braktisim Kuvendin ende nuk kemi vendosur. Në momentin kur do ta kemi qëndrimin do ta bëjmë publik", ka thënë Shala.

Për braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita ose jo, edhe qytetarët kanë mendime të ndryshme.

Disa mendojnë se nuk është mirë që opozita të braktisë Kuvendin, por ka edhe ta atillë që konsiderojnë se më mirë është që të mos qëndrojë më në Parlament dhe të gjendet një zgjidhje.

Idriz Osmani, thotë se liderët politik dhe deputetët është mirë që të bien dakord dhe të gjejnë zgjidhje për krizën politike.

"Unë mendoj se më mirë është që deputetët të mbesin në Kuvend dhe të shkojnë gjërat në mënyre normale dhe të behën aty debate. Kuvendi është vendi ku duhet të zgjidhjen çështjet", tha Osmani

Kurse, Bashkim Hajrushi, mendon se largimi i opozitës nga Kuvendi mund të jetë një zgjidhje për situatën aktuale politike në të cilën ndodhet Kosova.

"Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk është zgjidhje e keqe, sepse nuk janë duke shkuar [punët] ashtu siç duhet", tha Hajrushi.

Subjektet politike në opozitë, kanë nisur protestat e tyre në Kuvend dhe jashtë tij, duke kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ata thonë se ato marrëveshje janë të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.