Infrastruktura juridike e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për rivendosjen e kësaj gjykate në Holandë.
Ismet Salihu, profesor i të Drejtës penale ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Gjykata Speciale për krime luftë në Kosovë do ta ushtrojë funksionin e vet sipas konventave apo të drejtës ndërkombëtare, por ajo do t’i gjykojë kryerësit eventual të krimeve edhe në bazë të ligjit i cili ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se janë kryer ato krime ( 1998- 2000).
Sipas tij, Gjykata Speciale, juridikisht dhe formalisht konsiderohet Gjykatë Penale e Kosovës, por në esencë ajo është gjykatë penale ndërkombëtare.
“Të gjitha mandatet, juridiksionin, pushtetin, prerogativat i ka sikurse Gjykata Penale ndërkombëtare, si Tribunali i Hagës, etj. Kjo gjykatë dhe ligjet e kësaj gjykate, ligji për themelimin e kësaj gjykate dhe marrëveshja, e cila është lidhur ndërmjet Kosovës dhe Holandës, dispozitat e kësaj gjykate, janë dispozita, ligje dhe norma me karakter ndërkombëtar. Ato kanë fuqi juridike më të madhe se ligjet e Kosovës”, tha Salihu.
Profesor Salihu ka shtuar se askush nuk mund të ketë imunitet nga ndjekja eventuale e kësaj gjykate.
“Ashtu siç nuk ka pasur imunitet për Tribunalin e Hagës, ashtu edhe kjo gjykatë i ka të njëjtat prerogativa, të njëjtin pushtet. Kështu që, pa marrë parasysh se në çfarë pozite gjendet personi i dyshuar, për të cilin ata pretendojnë se kanë prova, nuk mund të gëzojë imunitet. Pra, pa marrë parasysh se është qytetar i rëndomtë, deputet, ministër apo kryetar shteti, etj”.
Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale buron mbi bazën e hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dyshimet e tilla janë hedhur edhe mbi ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së, të cilët aktualisht mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, që nga presidenca e deri te dikasteret tjera të qeverisë, por edhe të partive politike.
Në nenin 16-të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili përcakton përgjegjësinë penale individuale, thuhet se “pozita zyrtare e të akuzuarit, qoftë si kryetar i shtetit, kryeministër apo zyrtar i qeverisë, nuk e liron këtë person nga përgjegjësia penale, as nuk ia zbut dënimin”.
Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të sjellë drejtësi, siç ka thënë ai, për disa viktima dhe ky do të jetë aspekti pozitiv i kësaj gjykate.
Por, sipas tij, e gjithë kjo nuk do të reflektojë imazh të mirë për vendin, nëse para gjykatës do të dalin si të akuzuar persona që janë bartës të funksioneve në institucione apo edhe të funksioneve në parti politike.
“Ka qenë e qartë se askush nuk do të ketë amnisti, pa marrë parasysh se bartës i cilit funksion në Kosovë është. Mendoj se këtë e kanë ditur të gjithë e sidomos ata që janë bartës të institucioneve. Kështu që, pretendimet e disave që presidenti i ardhshëm me qëllim ka kandiduar, në mënyrë që t’i ikë përgjegjësisë së mundshme para kësaj gjykate, nuk qëndrojnë. Unë jam shumë i sigurt që zoti Thaçi e ka ditur saktësisht që nuk mund t’i ikë përgjegjësisë në rast se gjendet në aktakuzë para kësaj gjykate”.
Blakaj ka shtuar se në rast se kushdo prej bartësve të lartë të institucioneve, eventualisht do të gjenden në njërën prej aktakuzave, ata do të duhej të dorëzojnë postet dhe t’i përgjigjen gjykatës.
Në rast se e gjithë kjo ndodhë, sipas tij, kjo situatë do ta influenconte skenën politike në Kosovë, duke mos përjashtuar edhe turbullirat e mundshme.
Sidoqoftë, tashmë ka mbetur që një komision i posaçëm i Bashkimit Evropian të shpallë konkursin për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, si dhe stafin administrativ për këtë gjykatë.
Gjithashtu është paralajmëruar edhe mundësia eventuale e procedimit të rasteve të para nga ana e kësaj gjykate, gjatë këtij viti.