Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që “zbardhja e të gjitha rasteve të personave të pagjetur” do të jetë një nga pesë prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016, është pritur me reagime pozitive nga përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave, si dhe nga institucionet që merren me këtë çështje.
Por, megjithatë, ata kanë shfaqur pesimizëm se një gjë e tillë mund të realizohet pa një mbështetje ndërkombëtare, në kuptimin e presionit ndaj Beogradit zyrtar lidhur me këtë çështje.
Bajram Çerkini, drejtues i Këshillit Koordinues të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë (persona këta të zhdukur gjatë luftës në Kosovë), duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka mirëpritur premtimin e kryeministrit Mustafa. Por, ai shprehet mosbesues se një premtim i tillë mund të realizohet vetëm nga Qeveria e Kosovës.
“Neve, familjarëve, na ka ardhur mirë që ai (kryeministri Mustafa) për herë të parë - tash e sa vjet që është në skenën politike - t’i përmend të pagjeturit. Ai mendon se do të zbardhet fati i të pagjeturve me fjalë. Por, unë nuk e besoj këtë kurrë, pa një presion ndërkombëtar.”
“Duhet ta dijë mirë se Serbia ka hapur varreza për t’i futur shqiptarët në zgafelle të llojllojshme, në Serbi, që të mos i kthejë. Serbisë duhet t’i bëhet një presion ndërkombëtar, sepse, sa për shqiptarët, shkojnë edhe 100 vjet dhe nuk do të mund ta zbardhin fatin e të pagjeturve”, ka thënë Çerkini.
Mendim të përafërt ka edhe Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës.
Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe qeveritë në mandatet e mëparshme, sikurse e tanishmja, kanë shprehur gatishmërinë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Por, sipas tij, ky është angazhim i njëanshëm dhe si i tillë, vështirë se mund të sjellë efektet e dëshiruara.
“Nuk mundet në një mënyrë të njëanshme të zgjidhet problemi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, jo vetëm me vullnetin dhe gatishmërinë tonë. Por, duhet të ekzistojë edhe një vullnet dhe gatishmëri nga pala serbe, sepse informacionet dhe të dhënat i kërkojmë prej Serbisë. Pa ndonjë presion ndaj palës serbe, në këtë drejtim, vështirë që mund të llogarisim për ndonjë zgjidhje të problemit, gjegjësisht, për hapa të mëtutjeshme në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Gjetaj.
Por, si e shohin përfaqësuesit e familjarëve angazhimin e institucioneve të Kosovës, në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur?
Çerkini, shprehet krejtësisht pesimist se fati i të pagjeturve mund të zbardhet, në rast se kjo çështje nuk shtrohet si temë dhe kusht në dialogun e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Ndoshta do të jetë edhe më e pështjellur se që ka qenë deri më tash, për shkak të politikës dhe të njerëzve, të cilët kanë qejf të flasin shumë e në këtë punë punojnë pak. Për të qenë e mundur për ta zbardhur fatin e të pagjeturve , ashtu siç ai (Mustafa) ka folur, duhet të vihet kusht në dialogun e Brukselit. T’i lënë të gjitha anash dhe së pari njerëzit duam që të na i kthejnë, të na i gjejnë, të gjallë ose të vdekur. Edita Tahiri (ministre për dialog e Qeverisë së Kosovës) i përmendi dëmet e luftës, por, për të pagjeturit, nuk tha se i ka në agjendë”, thekson Çerkini.
Edhe Gjetaj shpreh mendimin se çështja e zbardhjes së fatit të pagjeturve duhet të shtrohet si temë në dialogun në Bruksel.
“Institucionet kanë obligim që ta ngritin këtë çështje në nivelin ku mund të arrihen efekte, ku mund të reflektohet në kuptimin pozitiv. Të futet në agjendën e bisedimeve dhe në një mënyrë ta detyrojë palën serbe. Kjo nuk do mend, sepse çdo gjë, pa marrë parasysh, edhe të pagjeturit, në raport me Serbinë ka të bëjë me politikën. Do të thotë, politika e mban peng këtë çështje”, thotë Gjetaj.
Megjithatë, kryeministri Mustafa edhe më parë e ka përmendur çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, si prioritet të qeverisë.
Me 30 gusht të vitit 2015, në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, Mustafa pati deklaruar se autoritetet e vendit kanë diskutuar me zyrtarët e Bashkimit Evropian që çështja e personave të pagjetur të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel.
“Tani është krijuar mundësia që të hapen tema, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe unë mendoj se temë më e rëndësishme dhe më e vështirë - por edhe më meritore për t’u diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje - se sa kjo e të pagjeturve, nuk ka”, pati theksuar Mustafa.
Aktualisht, në Kosovë, të pagjetur konsiderohen rreth 1 mijë e 650 persona.