Përplasjet e partive politike, të pushtetit dhe të opozitës, të cilat po vazhdojnë tash e sa muaj në Kosovë, reflektojnë negativisht në imazhin e vendit, në përgjithësi. Por, e gjithë kjo ndikon edhe te të rinjtë, e madje edhe duke i shndërruar në mjet për realizimin e qëllimeve të partive politike, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë.
Në rubrikën e përjavshme për të rinj “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se ajo që po ndodh në skenën politike në vend, si dhe sjelljet e partive politike, janë zhgënjyese për të rinjtë.
Ylber Salihu, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se përplasjet e partive politike në Kosovës, kohët e fundit, po krijojnë efekte të rënda për shoqërinë, përfshirë edhe të rinjtë.
Your browser doesn’t support HTML5
“Përplasjet ndërmjet partive i shoh si mungesë të kulturës politike në Kosovë. Përgjithësisht, të rinjtë janë ndarë në dy grupe të mëdha, ata që e mbështesin opozitën dhe ata që e mbështesin pushtetin".
"Unë mendoj se mund të ketë përplasje shumë të mëdha në këtë aspekt, duke marrë parasysh se janë shndërruar në dy grupe ekstreme këto të dyja. Më 17 Shkurt, unë kisha frikën se do të kemi përplasje ndërmjet protestuesve dhe atyre që dalin të festojnë. Por, fatmirësisht, nuk ndodhi kjo”, thotë Ylberi.
Fadil Krasniqi, student në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore në Universitetin e Prishtinës, thotë se sjellja dhe përplasjet e partive politike kanë krijuar shqetësim te të rinjtë, por edhe ndasi, që shoqërohen me polemika.
“Po, ka krijuar polemika, sepse të rinjtë nuk janë të informuar qartë se çfarë po ndodh. Nëse u thua të dalin në protesta, ata dalin. Pastaj, gjuajnë me gurë, sulmojnë me koktej molotovi dhe të tjera. Kjo e prish imazhin e të rinjve. Po i përdorin të rinjtë. Nuk po dalin ata (politikanët) vetë që të gjuajnë, por po i përdorin të rinjtë si një lloj mjeti".
"Ndodh edhe në shoqërinë tonë të përplasemi, sepse kemi kacafytje ndërmjet vete. Disa janë me mendimin e opozitës, e disa me atë të pushtetit. Kjo po krijon kundërshti ndërmjet shoqërive dhe gjithçka po shkon keq”, shprehet Fadili.
Dardan Breznica, maturant në një shkollë të mesme të Prishtinës, nuk e sheh dhunën si mjet zgjidhjeje të problemeve në politikë. Megjithatë, ai e pranon se të rinjtë, përfshirë edhe vetë atë, po i nënshtrohen reflektimit negativ të përplasjes ndërmjet partive politike.
“Rregull, aty ku hyn dhuna, sigurisht që nuk ka. Por, nëse vërtet bëhet padrejtësi ndaj popullit, atëherë kjo është mënyra e vetme. Nuk ka si të zgjidhet ndryshe. Nëse bisedimet nuk hyjnë në punë, atëherë kjo është metoda e vetme. Kështu si po flas, po e vërej veten që tashmë paska pasur efekt e gjithë kjo. Ma merr mendja që ata po i joshin të rinjtë që të marrin pjesë në këso përplasjesh”, thotë Dardani.
Megjithatë, Drenusha Salihu, studente e Kontabilitetit në Kolegjin UBT, beson që përplasjet e partive politike, nuk kanë ndonjë ndikim te të rinjtë, përveçse në zbehjen e imazhit të vendit.
“Në fakt, nuk ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në mua ose te shumica e të rinjve, por, thjesht, e prishin imazhin e vendit tonë dhe mund të na gjykojnë vendet tjera. Ndoshta, shumica e të rinjve janë jopartiak ose nuk ju intereson shumë për parti”, shprehet Drenusha.
Diamant Tërshnjaku, student i Shkencave kompjuterike, konsideron se tashmë është e dukshme përfshirja e të rinjve në përplasjen e partive politike.
“Përplasjet politike ndikojnë negativisht, sepse e shohim që në protesta shumica janë të rinj. Mendoj se këtë rini e dëmton kjo shumë, sepse gjëja e fundit, me të cilën ata duhet të merren është përplasja ndërmjet partive politike”, vlerëson Diamanti.
Bardhyl Krasniqi, një i ri që punon si taksist, e sheh si tejet negativ reflektimi e përplasjes së partive politike te të rinjtë, ndonëse sipas tij, të rinjtë, deri më tash, nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga politikanët.
“Është e keqe pak, sepse po na shtyjnë që të kapemi në mes vete. Qëllon dikush me LDK, e dikush me Vetëvendosjen dhe konflikti po bëhet edhe nëpër kafene, ndërmjet shokëve. Por, ne nuk ia kemi parë hairin asnjë pushteti, kurrë në jetën tonë. Ne s’kemi mësuar asgjë nga ta, as nga të parët, e as nga të fundit”.
“Këta rrihen ndërmjet tyre, e ne e shikojmë punën tonë, punojmë të mbesim gjallë. Ngado që ta shohësh, ata po rrihen për karriget e tyre, për milionat e veta. Tash edhe po ta fusim dikë tjetër në Qeveri, njëjtë e kemi, ashtu sikur se edhe këta që janë. Njëjtë e kemi. Jemi mësuar, asgjë interesante nuk na duket”, thotë Bardhyli.
Edison Kasumaj, student në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se përplasja e partive politike nuk është parimore, prandaj, të rinjtë duhet të qëndrojnë larg këtyre përplasjeve.
“Këto janë konflikte interesi, më shumë. Konflikte pozicionesh. E kam këtë bindje, sepse edhe këta që janë në opozitë, kanë qenë më herët në pushtet. E kanë pasur avazin e njëjtë me këta që janë tash në Qeveri. Kanë qeverisur dhe kanë vjedhur të dyja palët. Janë përfshirë në afera kriminale dhe nuk ka pasur gjykatë t’i dënojë”.
“Në përgjithësi, ndërmjet vete kanë konflikte që u përshtaten vetëm interesave të tyre dhe vendi nuk ka për të pasur diçka progresive. Është zhgënjyese. E sheh një situatë që edhe pas tetë vjetësh që jemi të pavarur, nuk ka asnjë dritë në fund të tunelit për neve, fare”, shprehet Edisoni.