Në Gjykatën Themelore të Shkupit, të martën ka filluar procesi gjyqësor ndaj 29 personave, të dyshuar si pjesëmarrës të një grupi të armatosur, e të cilët sipas Kodit Penal të Maqedonisë ngarkohen me veprat penale “organizim terrorist”, në ndërlidhje me përleshjet e armatosura që ndodhën në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, të vitit të kaluar.
Procesi gjyqësor është mbajtur nën masa të shtuara të forcave të policisë, para objekteve të Gjykatës dhe në pikat qendrore të qytetit të Shkupit.
Prokurori publik në Maqedoni, Naum Panovski gjatë leximit të akuzës ka theksuar se në bazë të dëshmive me të cilat disponon prokuroria, gjatë procesit gjyqësor do të dëshmohet se të akuzuarit për rastin e Kumanovës, me paramendim kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen.
Prokuroria e Maqedonisë ka theksuar se grupi i armatosur, i përfshirë në ngjarjet e Kumanovës, është përbërë nga 18 shtetas të Kosovës, të cilët kanë marrë ndihmë logjistike nga shtetas të Maqedonisë.
Të gjithë të 29 të akuzuarit, sikurse në dhjetor të vitit të kaluar, edhe të martën janë shprehur se nuk ndjehen fajtorë për veprën për të cilën akuzohen.
Edhe pala mbrojtëse ka hedhur poshtë akuzën e Prokurorisë së Maqedonisë, duke theksuar se të akuzuarit nuk janë terroristë, aq më pak kanë pasur për qëllim që të kryejnë vrasje dhe të bëjnë sabotime, siç theksohet në aktakuzë.
“Po mendoj se bëhet fjalë për vetëmbrojtje, pasi bëhet fjalë për atë se grupi i armatosur është sulmuar nga njësiti special i policisë maqedonase. Nuk është e vërtetë se grupi i armatosur kanë sulmuar të parët, por, e vërteta është se ky grup ka qenë i sulmuar”, theksoi për Evropën e Lirë Naser Raufi, avokati mbrojtës i një pjese të të akuzuarve, pas seancës gjyqësore të së martës.
Ai ka theksuar se pala mbrojtëse disponon dëshmi se i tërë skenari rreth ngjarjeve të Kumanovës është inskenuar nga shërbimet maqedonase të inteligjencës, dhe se këto dëshmi do t’i bëjnë publike gjatë procesit gjyqësor.
Pala mbrojtëse gjithashtu ka kërkuar që rasti i Kumanovës t’i jepet në shqyrtim Prokurores Speciale, Katica Janeva, pasi, sipas avokatëve mbrojtës, ngjarjet kanë prapavijë tjetër nga ajo që përfaqëson Prokuroria Publike e Maqedonisë.
“Pasi bëhet fjalë për biseda të përgjuara, për të cilat vet lideri i opozitës maqedonase tha se i disponon; pra, bëhet fjalë për biseda të përgjuara, të cilat nuk janë të përfshira me masat e veçanta të hetimit, ndërkohë kompetencë e prokurores speciale është që të hetojë të gjitha rastet në të cilat janë të përfshira bisedat e përgjuara. Nga dita e nesërme do të kërkojmë që këto biseda të dorëzohen në Prokurorinë Speciale”, theksoi Raufi.
Ndërkohë, familjarët dhe organizatat për mbrojtjen e lirive të njeriut kanë shprehur skepticizëm se do të zhvillohet një proces i drejtë për rastin e Kumanovës.
“Gjykim të drejtë nuk presim aspak, sepse Maqedonia si shtet është nënshkruese e konventave për mbrojtjen dhe liritë e njeriut, por ajo nuk i respekton ata konventa. Ne nuk presim gjykim të drejtë, por gjithçka zhvillohet në bazë të aktiviteteve kriminale që i ka organizuar vetë qeveria Maqedonase”, është shprehur për mediat Idriz Sinani, kryetar i Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni.
Gani Krasniqi, babai i të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk beson në drejtësinë maqedonase,sepse nga i biri ka mësuar se dy shokët e tij janë vrarë, siç thotë nga policia maqedonase, pasi u janë dorëzuar autoriteteve të rendit.
“Si mund të presin drejtësi, kur njerëzit e dorëzuar, pra peng, janë vrarë, për dy kemi të dhëna, pra për dy jemi të sigurt 100% . Si të presim drejtësi kur edhe para një muaji ju treguam se të akuzuarit tërë kohën keqtrajtohen në burg. Të presësh drejtësi,është sikur ‘cjapi pret mëshirë nga kasapi’”, tha Gani Krasniqi.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të sigurojë prononcim nga autoritetet për pohimet e zotit Krasniqi.
Ndërkaq, Hata Kuçi, motra e Fadil Elshanit, ka shprehur indinjatën e saj se familjarëve edhe të martën nuk u është lejuar të marrin pjesë në seancën gjyqësore, duke e kufizuar pjesëmarrjen e vetëm një anëtari nga familja.
“Prej andej (Kosovës) rrugën e kemi marrë dhe nuk na lejojnë të hyjmë për të ndjekur seancën gjyqësore, edhe pse jemi paraqitur me rregull përmes avokatit mbrojtës. Vëllai im është i pafajshëm”, thekson zonja Hata Kuçi.
Ndërkaq, Shefki Rushiti nga fshati Brezë, malësia e Shkupit, thotë se kusheriri i tij, Fejzulla Rushiti akuzohet pa të drejtë, sepse ditën e ngjarjes ka qenë duke punuar në arën e tij në fshat.
“Nuk është e vërtetë se kushëriri im është terrorist, unë nuk besoj. Bëhet fjalë për manipulime, sepse edhe fëmijët e vegjël tanimë e dinë se janë të pafajshëm dhe duhet të lihen të lirë”, thekson Shefki Rushiti.
Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, gjatë një përleshjeje të një grupi të armatosur me forcat e sigurisë, mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të policisë maqedonase, si dhe 10 persona nga grupi i armatosur.
Procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës është caktuar të vazhdojë të enjten, më 11 shkurt.