Gjykata e Shkupit ka miratuar aktakuzën e prokurorisë ndaj të akuzuarve në rastin e Kumanovës, ndërsa ka hedhur poshtë ankesën e palës mbrojtëse e cila kërkonte shfuqizim akuzës dhe lirimin e të arrestuarve.
Kjo nënkupton se për incidentin e armatosur, më 9 dhe 10 maj në lagjen e trimave në Kumanovë do të ketë proces gjyqësor.
“Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, pas një analize të detajuar të materialeve të paraqitura në formë të shkruar në aktakuzë, të paraqitura në gjykatë, si dhe të materialeve të të akuzuarve dhe të mbrojtjes së tyre, si dhe duke marrë parasysh faktet në bazë të të cilave bazohet akti, ka miratuar aktakuzën, ndërsa ankesat i ka hedhur poshtë si të pa baza”, thuhet në njoftimin e Gjykatës themelore të Shkupit.
Sipas gjykatës, në seancën gjyqësore që pritet të nis pas formimit të këshillit gjykues, palët do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre mbi akuzën e ngritur ndaj 29 personave.
Në incidentin e armatosur në Kumanovë janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Në rastin e Kumanovës është i përshirë një grup nga Kosova.
Ky rast ka qenë pjesë edhe e raportit të progresit të Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar një hetim të ri ndërkombëtar.