Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit është në fazën finale.
Sipas tij, presidenti i ri i vendit do të zgjidhet gjatë këtij muaji. Thaçi i cili thuhet se është kandidat për postin e presidentit, tha në një konference me gazetarë se gjithë procesi do të jetë i rregullt, por që data nuk është caktuar ende.
Hashim Thaçi, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mbetet kandidati i vetëm deri më tani për postin e presidentit.
Ai ka nënvizuar edhe faktin se zgjedhjen e presidentit të ri dhe punën e institucioneve në këtë drejtim e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, sipas tij, në Uashington nuk flitet për emra të përveçëm.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e plotë për zgjedhjen e rregullt të presidentit të Republikës së Kosovës dhe natyrisht edhe pas zgjedhjes së tij. Po ashtu mund t'ju konfirmoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Brukseli e dinë mirë se kush janë kandidatët për president në Republikën e Kosovës", ka deklaruar Thaçi, pas takimit me ministrin e jashtëm të Maltës, George Vella, i cili po qëndron në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka theksuar se sa u takon ndryshimeve të mundshme në Qeverinë e Kosovës ende nuk është biseduar.
"Është një gjendje që duhet të vazhdohet me këtë ekip qeveritar. Por, është në autoritetin kushtetues e ligjor të kryeministrit, por edhe të bashkëpunimit dhe konsultave të brendshme brenda koalicionit qeveritar", u shpreh Thaçi.
Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova duke shkuar në zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme për shkak të krizës institucionale.
Lideri i AAK, thotë se liderishipi kosovar duhet të gjejë një zgjidhje për të vendosur se si dhe në çfarë mënyre do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
"Kriza po thellohet, ne gjithsesi do të shkojmë në zgjedhje, por a është më mirë të shkohet në zgjedhje pas një situate të re që mund të krijohet me rritjen e kundërshtimit, me rritjen e presionit qytetarë, apo do të shkojmë në zgjedhje me një marrëveshje politike e cila do të nënkuptonte edhe zgjedhjen e presidentit direkt nga populli edhe ndryshimin e kushtetutës dhe kategorinë e re ligjore në ligjin për zgjedhje që është zgjedhja e presidentit direkt nga populli".
"Pra, do të ishte një fitore për Kosovën sepse në të njejtën kohë me këtë marrëveshje politike do të fitonim edhe presidentin e zgjedhur nga populli si insitucion i fuqishëm", theksoi Haradinaj.
Zoti Haradinaj konsideron se koalicioni qeverisës aktual ka kuptuar se vonesa për thirrje të zgjedhjeve do të dëmtojë edhe më shumë vendin.
"Është theksuar fuqia e kundërshtimit dhe durimi i qytetarëve nga qeveria me një lloj arrogance. E kemi pasur 28 nëntorin, u tha se është festë. Më 9 janar u dyfishua numri i njerëzve dhe presionit qytetar".
"Pra, vazhdimi i testimit të këtij kundërshtimi dhe durimi qytetar është jo i mirë jo i duhur jo i mençur, dhe mendojmë se dhe pas peticionit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tani më ka mjaft argumente për të rënë dakord që të shkojmë në zgjedhje me një marrëveshje dhe jo më thellim të krizës. 17 shkurti e përshkallëzon gjendjen më tutje", tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se Kosova është në një krizë dhe qeveria aktuale është e kontestuar nga qytetarët.
Sipas tij, në ketë gjendje duhet të ketë reflektim nga atë persona që marrin vendime për vendin.
Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8-të të pavarësisë së Kosovës.
Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të arritur më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.