Analistët parashohin krizë në dialogun Kosovë - Serbi

Pamje nga takimi në BrukseI, 27 janar 2016

Qëndrimet e kundërta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e bëjnë të pamundur vazhdimin e dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, konsiderojnë analistët politikë në Kosovë.

Temë kryesore e takimin të një dite me parë në Bruksel, ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Asociacioni mund të themelohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë”.

Kurse kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë ai, së ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

Fisnik Korenica, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se qëndrimet e fundit të palëve në bisedime mund ta bllokojnë vazhdimin e mëtejmë të takimeve.

"Tash do të ketë një thyerje relativisht të thellë të pozicioneve, sepse Isa Mustafa nuk mund të pranojë politikisht koston e kalimit të një asociacioni në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses, në anën tjetër Beogradi dëshiron që ta çojë deri në fund pretendimin e vet për ta bërë një Asociacion kundër Kushtetueses, dhe si rezultat një mekanizëm të vet në Republikën e Kosovës", tha Korenica.

Ndërsa Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se nga takimi i fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është pritur ndonjë marrëveshje.

Për më shumë, ai konsideron se deri në mesin e këtij viti nuk do të mund të ketë më takime mes palëve.

"Ka qenë një dialog i cili për shkak të caktimi të datës nga Mogherini është dashur të mbahej, por ka qenë e qartë që nuk do të ketë avancim në dialog”.

“E dyta; çështjet ndërlidhen me procese dhe zhvillime politike rreth marrëveshjeve, si në Kosovë më Gjykatën Kushtetuese dhe fushatën e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Këto kanë ridefinuar në njëfarë forme qëndrimin e Prishtinës, pavarësisht që nuk e thonë tash publikisht dhe nuk e thonë as të zyrtaret e BE-së në lidhje me dialogun. [Ata] kërkojnë të vendosen disa kushte dhe hapa që kanë të bëjnë me heqjen e strukturave paralele", tha Rashiti.

Ai shtoi se avancimi i mëtejmë i dialogut mbetet peng i dy çështjeve; dialogut për marrëdhënie bilaterale dhe i tërheqjes së strukturave paralele të Serbisë nga Kosova.

Ndërsa Fisnik Korenica thotë se derisa në Kosovë nuk ka zgjidhje të krizës institucionale, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut.

"Për aq kohë sa Musatafa dhe Thaçi janë të kontestuar sa i takon legjitimitetit për të bërë dialog, unë mendoj se as këta dy të fundit nuk janë të interesuar që ta vazhdojnë këtë dialog, sepse ka kosto politike edhe për ta. Duket se jemi në një fazë ku dialogu gradualisht po bllokohet, dhe ketë gjë më në fund po e kupton edhe Bashkimi Evropian”.

“Me deklarimin e djeshëm të Vuçiqit,Bashkimi Evropian e kuptoi se interesi i Serbisë në asnjë rast nuk është që Asociacioni të jetë thjesht një mekanizëm koordinues që i përshtatet renditjuridik të Kosovës, por që ai të jetë një mekanizëm që e mbizotëron dhe e tejkalon rendin kushtetues të Kosovës", tha Korenica.

Analistët kanë theksuar se zgjedhjet parlamentare, të cilat janë paralajmëruar të mbahen në muajin prill në Serbi, do të ndikojnë drejtpërdrejtë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të paktën në nivelin më të lartë të përfaqësimit.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillohet në nivelin politik dhe atë teknik. Qëllimi i këtij dialogu është thënë të jetë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.