Deklaratat e Nikoliqit, ndërmjet “mosdijes” dhe “racizmit”

Tomislav Nikoliq - Kryetar i Serbisë

Deklarata e kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, me rastin e vënies së gur-themelit të Qendrës së Përsosmërisë në Universitetin e Kragujevcit në Serbi, në kuadër të së cilës do të jetë edhe Qendra për hulumtimin e qelizave amë, se duhet ruajtur “kodi serb”, ka nxitur reagime dhe komente të ndryshme në Serbi.

Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë, të cilët kanë reaguar ndaj deklaratës së Nikoliqit, e kanë klasifikuar këtë deklaratë si pjesë të korpusit të argumenteve të paditurisë elementare të kryetarit të shtetit serb.

Por, ja çfarë ka thënë Nikoliq.

“Për të pasur fëmijë, çifti bashkëshortor, nganjëherë ose shpesh, duhet t’i drejtohet mjekut. Nganjëherë apo shpesh, kërkon zgjidhje jashtë shtetit. Kjo zgjidhje duhet të jetë këtu dhe ata fëmijë duhet të jenë fëmijë serbë, me material gjenetik serb, me kod serb, me të kaluar dhe të ardhme serbe”, ka thënë kryetari i Serbisë, Nikoliq.

Biljana Stojkoviq, eksperte e gjenetikës dhe profesoreshë në Katedrën për evolucion dhe gjenetikë në Universitetin e Beogradit , vlerëson se kjo deklaratë e Nikoliqit, për të, si pedagoge, është qesharake.

Por, duke e analizuar nga prizmi i një qytetareje, Stojkoviq thotë se kjo është deklaratë e rrezikshme për shoqërinë.

“Kemi folur mjaft rreth asaj se nuk ekzistojnë gjene serbe, kroate , spanjolle, etj... “.

“Të gjithë njerëzit, të gjithë popujt janë përzierje e një numri të madh të varianteve gjenetike, gjatë historisë së evolucionit të njerëzimit. Kjo për ne është mjaft e qartë. Por, pavarësisht që biologjia flet mjaft për këtë, në mendjet nacionaliste edhe më tutje flitet për esencën gjenetike të këtij apo atij populli dhe kjo po shpërfaqet edhe përmes kësaj deklarate të kryetarit Nikoliq”, ka thënë profesoresha Stojkoviq.

Dimitrije Kaleziq, profesor në pension i Fakultetit Teologjik në Beograd, thotë se botëkuptimi i tillë, siç e ka shpërfaqur kryetari serb Nikoliq, nuk është në përputhje me mësimet kishtare.

“E dini pse? Njerëzimi, apo njerëzia, nuk është vetëm biologji. Nuk është vetëm atome, neutrone e të tjera, por është personaliteti i kompletuar”.

“Fundja, e dimë nga historia dhe kemi shembuj që persona të caktuar fillimisht i kanë takuar një populli e më pas një tjetri dhe çfarë kanë bërë dhe çfarë kanë mësuar. Sipas mësimeve ortodokse, familja ortodokse mund të adoptojë fëmijë nga cilido popull dhe ta pranojë dhe edukojë atë si fëmijë të vetin”, ka theksuar Kaleziq.

Profesori i dramaturgjisë, Nenad Prokiq vlerëson se, fillimisht, qelizat amë nuk kanë të bëjnë me lindjen e fëmijëve (për faktin se, në kuadër të Qendrës për qelizat amë në Kragujevc, nuk është paraparë ndërtimi i qendrës për mbarsim artificial).

Ndërkaq, sipas tij, përmendjen e “Kodit serb” nga ana e Nikoliqit, ai e radhit në matricën ideologjike, pasuesi më famëkeq i së cilës ishte Dr. Mengele.

“Deklaratat e kryetarit janë përzierje e kobshme e mosdijes dhe një ideologjie, e cila bredh nga gjenocidi deri te qelizat amë. Nuk kemi aq nevojë për qelizat amë sa kemi nevojë për një politikë të ndershme, e cila do t’u jepte shansin edhe fëmijëve të shëndoshë, por edhe të sëmurë, që të mjekohen në Serbi dhe që të ardhmen ta realizojnë këtu, e jo në qarkun polar të Suedisë”.

“Kjo është ideologji e Dr.Mengeles. ‘Kodi serb’, ‘e ardhmja serbe’, ‘fëmijët serb’, ‘populli serb’... Kësaj po i mungon vetëm edhe ‘raca serbe’.Unë shpresoj që me ato qeliza amë të shërohen, për shembull, edhe hungarezët në Serbi. Kryetari Nikoliq vazhdimisht po harron se ai është kryetar i qytetarëve serbë e jo i popullit serb ose kombit serb”, ka theksuar Prokiq.

Ndërsa profesoresha Stojkoviq ka theksuar se deklaratat e tilla të dëmshme për shoqërinë, nuk do të duhej të kalonin pa reagime të gjera, të cilat do t’i bënin ato të pakuptimta.