Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë sepse është në interes të dyja vendeve, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, të cilët kanë theksuar se duhet rishqyrtuar situatën nëse duhet të vazhdoj edhe më tej ky dialog, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë theksuar se shpallja fajtor e liderit të Nismës Serbia, Drejtësia, Demokracia, Oliver Ivanoviq, për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga Gjykata Themelore në Mitrovicën veriore, ka krijuar atmosferë të pafavorshme për dialog.
Sipas tyre, procesi gjyqësor ndaj Ivanoviqit ka qenë politik dhe ka rezultuar me vendim politik.
Por, Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, janë për konsum të brendshëm dhe se vendimet e organeve gjyqësore duhet të respektohen.
“Dua të besoj që këto janë deklarata politike, për opinionin e vet publik. Në Kosovë ka rend dhe ligje. Kushdo që e shkel ligjin duhet të përgjigjet. Ky është vendim i organeve gjyqësore dhe vendimet e tilla duhet të respektohen. Ndërsa, ne, siç kemi thënë edhe më herët, jemi për vazhdim të dialogut".
"Ne do ta vazhdojmë dialogun dhe besoj që dialogu do të vazhdojë, sepse është në interesin e të dyja palëve. Është interes i yni nacional dhe gjithashtu edhe i Serbisë”.
Në, anën tjetër, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pas deklaratave se Serbia duhet ta shqyrtojë pjesëmarrjen në dialog me Kosovë, ka theksuar se Qeveria e Serbisë, në ditët në vijim, do të përpiqet të gjej zgjidhjen më të mirë.
“Është fakt se me këtë po i dërgohet sinjal negativ Serbisë dhe popullit serb dhe ky është një lloj i poshtërimit publik. Në anën tjetër, kemi moszbatimin e elementeve qenësore të marrëveshjes së Brukselit, marrëveshjen për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Mendoj se ka ardhur momenti që ne ta shqyrtojmë politikën tonë, ta përshtatim sipas sjelljes së palës tjetër në këtë dialog”, ka thënë Gjuriq.
Por, zëvendësministri Gecaj, deklaratat e Gjuriqit, më shumë i sheh si retorikë para zgjedhjeve në Serbi.
“Nuk besoj që këto deklarata të Gjuriqit do të ndikojnë në vazhdimin ose jo të dialogut. Mos harroni që në Serbi ka zgjedhje, në prill. Kështu që unë këto, thjeshtë, i konsideroj deklarata politike”, tha Gecaj.
Ndryshe, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dhënë shenja se e gjithë kjo situatë do të ndikojë në vazhdimin e dialogut në Bruksel.
Ai ka theksuar se situatat duhet të zgjidhen me bisedime, pavarësisht se sipas tij, vendimi gjyqësor për Ivanoviqin, më shumë i përngjan një force politike se sa zbatimit të së drejtës dhe drejtësisë.
“Unë nuk jam prej atyre njerëzve që dëshirojnë t’i presin gjërat në mënyrën që ta rrahin tavolinën me grusht. I keni parë disa që kanë thënë se nuk do të vijnë në bisedime, por do të shihni që, në fund, do të vijnë".
"Për këtë arsye, nuk dëshiroj që të përdor fjalë të rënda, por ne do të luftojmë për interesat tona. Do të luftojmë për respektimin e marrëveshjeve që kemi nënshkruar me Prishtinën në Bruksel dhe do të kërkojmë zbatimin e tyre të plotë”, ka thënë Vuçiq.
Nenad Gjurgjeviq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, ka thënë për radion Evropa e Lirë se pavarësisht toneve të ashpra që vijnë nga autoritetet serbe pas vendimit gjyqësor për Ivanoviqin, është e qartë që Beogradi zyrtar nuk po e rishqyrton seriozisht ndërprerjen e bisedimeve me Prishtinën.
“Qoftë për shkak të formimin të Bashkësisë së komunave serbe dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë, qoftë për shkak të mbrojtjes së interesave të Serbisë në Kosovë, qoftë për shkak të procesit të qasjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, të gjitha këto mund të mbrohen dhe shtyhen tutje vetëm përmes bisedimeve në Bruksel".
"Gjatë negociatave do të ketë mjaft pengesa që do t’i vështirësojnë bisedimet, por është mjaft e rëndësishme që të tregohet që Serbia është serioze në bisedime”, tha Gjurgjeviq.
Ai ka theksuar se kapitulli 35, të cilin e ka hapur Serbia në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është mjaft i qartë.
Sipas tij, ndërprerja e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, do ta ndërpriste rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.