Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë mbajtur të hënën takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Në komunikatën e dërguar për medie nga kryeministri Mustafa, thuhet se “është konstatuar njëzëri se është shënuar përparim maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian” dhe se “ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit”, gjë që pritet të zgjidhet deri me 15 janar.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se përfaqësuesit e institucioneve janë pajtuar që deri më 15 janar, “të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t'i raportohen institucioneve relevante të BE-së”.
Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se me 15 janar, ai, në mënyrë zyrtare do ta japë të dhënën e fundit tek Komisioni Evropian dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, lidhur me tetë kriteret ose rekomandimet që janë konsideruar të hapura ende nga Komisioni Evropian.
“Pas kësaj, pas këtij ‘input -i’ (informacioni) të fundit që ne do t’ia dorëzojmë Komisionit Evropian dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, lidhur me përmbushjen e plotë të këtyre 8 rekomandimeve, ne presim që Komisioni Evropian t’i ndërmerr veprimet e veta të brendshme dhe presim që ata, pa vonesa të tjera, të panevojshme, ta japin rekomandimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave”, tha Çollaku.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kur u publikua raporti i fundit i Komisionit Evropian për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës për vitin 2016, i ngarkuari i Komisionit Evropian me çështje të migracionit dhe punëve të brendshme, Dimitris Avramopulos, kishte deklaruar se në fillim të vitit 2016 ai pritet ta vizitojë Kosovën, për të parë përmbushjen e rekomandimeve.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka theksuar se që nga mesi i muajit janar, qeveria e Kosovës do të jetë e gatshme të presë zotin Avramopulos.
“Ne po presim që një vizitë e tillë të realizohet nga ana e komisionarit Avramopulos, pa vonesa të mëtutjeshme. Që nga data 15 janar ne jemi të gatshëm që ta presim komisionarin përgjegjës për këtë çështje”.
Ministri Çollaku ka shtuar se vizita e Avramopulos duhet të pasohet menjëherë me rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën.
Por, njohësit e integrimeve evropiane, fillimisht dyshojnë se është kohë e mjaftueshme nga dhjetori i vitit të kaluar e deri me 15 janar të këtij viti që të përmbushen kriteret e mbetura për liberalizim vizash.
Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë kohë shumë e shkurtër për përmbushjen e kritereve të mbetura nga institucionet e Kosovës.
“Në qoftë se vërtetë qëndron ashtu siç ka thënë qeveria, që për një kohë kaq të shkurtë të përmbushen 8 kritere, atëherë ne duhet ta dimë nëse janë përmbushur këto kritere. Por, për ta përmbyllur këtë opinion, do të jetë Komisioni Evropian ai i cili shumë shpejt do ta deklarojë qëndrimin e vet, përkatësisht, matjen e vet, nëse këto kritere janë përmbushur ose jo”.
Megjithatë, profesor Mazreku ka shtuar se në qoftë se Kosova merr vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian, atëherë duhet Këshilli i Bashkimit Evropian, përkatësisht, konfiguracioni i ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që pritet të takohet në muajin maj, ta konfirmojë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve.
Në rast se ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së votojnë pozitivisht për liberalizim vizash për Kosovën, sipas profesor Mazrekut, kjo do të pasohet me procedura teknike dhe teknokratike, gjë që do të sjellë deri tek përfundimi i procesit në fund të gjysmës së parë të vitit 2016.
Në rastin më optimist, sipas tij, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në fillim të gjysmës së dytë të vitit 2016.