Procesi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të jetë i lehtë dhe do të marrë kohë për të përfunduar në mënyrën e duhur, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Valon Murtezaj, këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, qeveria e Republikës së Kosovës synon që fillimisht të merret me vlerësimin e detajeve që dalin nga ky vendim, nga këndvështrimi legal dhe kushtetues.
“Hapi i radhës do të jetë formimi i një grupi të gjerë të ekspertëve, që do të jetë gjithëpërfshirës. Përveç ekspertëve nga shoqëria civile, do të përfshihen edhe nga institucionet e qeverisë, edhe nga i gjithë spektri politik. Konsiderojmë që temat si Asociacioni dhe tema të interesit nacional nuk duhet të jenë as barrë dhe as meritë e askujt individualisht. Mirëpo, krejt esenca e kësaj duhet të jetë që Kosova të dalë mirë me funksionimin e saj”, thotë Murtezaj.
Ai ka shtuar se tash për tash qeveria e Kosovës është në fazën e konsolidimit të grupit të ekspertëve, por ende nuk dihet saktësisht se kush do të jetë pjesë e këtij grupi.
Murtezaj thotë se ky do të jetë një proces tejet serioz dhe nuk ka pohuar e as mohuar mundësinë që brenda grupit të ketë edhe përfaqësues politik të serbëve të Kosovës. Sipas tij, çdokush që preket nga Asociacioni, do ta ketë mundësinë që të jetë i përfshirë në këtë grup dhe t’i dëgjohet zëri.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën e fundit për medie, në dhjetor të vitit 2015, kishte theksuar se edhe pasi të formulohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi përputhshmërinë kushtetuese dhe se kjo do të jetë edhe një prej fazave në procesin drejt themelimit të këtij Asociacioni.
“Ne do t’ia dërgojmë edhe statutin Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ajo të trajtoj çdo normë, sepse në statut përcaktohen detyrat. Pastaj, përcaktimi i detyrave nuk guxon të dalë jashtë ligjeve të Kosovës, jashtë Kartës Evropiane të qeverisjes lokale, si dhe jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ka vendosur kjo gjykatë”.
Nenad Rashiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ende nuk ka pasur bisedime zyrtare për hapat e mëtutjeshëm lidhur me formimin e Asociacionit.
“Ende nuk ka pasur ndonjë mbledhje zyrtare, në të cilën fillimisht do të duhej të bëhej një analizë në mes nesh, partnerëve të koalicionit, e më pas të shkohet drejt ndonjë organizimi të mëtutjeshëm. Jam i sigurt se kjo do të ndodhë. Ne që në fillim kemi thënë se jemi të gatshëm. Për aq sa e kuptoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo ka të bëjë me karakterin teknik, gjegjësisht me terminologjinë brenda vet marrëveshjes. Unë mendoj se nuk do të ketë ndryshim esencial, sa i përket vet dokumentit ose marrëveshjes”, theksoi Rashiq.
Ai beson që bisedimet për Asociacionin do të nisin para raundit të ardhshëm të dialogut në Bruksel, në fund të janarit, dhe se Lista Serbe është e vendosur që marrëveshjet të respektohen.
“Ne jemi një partner i brendshëm konstruktiv dhe bashkëpunues, por në anën tjetër duhet të dimë se nënshkrimi i të dyja palëve në Bruksel për ne është më kryesori dhe më i vlefshmi.Ne do të orientohemi në komunikimin në Bruksel dhe në përputhje me këtë do të sillemi edhe këtu. Nuk pres probleme, por siç thuhet në politikë, ndonjëherë gjithçka është mundshme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë ditët në vijim”, ka theksuar Rashiq.
Ndërsa këshilltari i kryeministrit Mustafa, Valon Murtezaj thotë se për përfundimin e procesit të formimit të Asociacionit, do të nevojitet kohë. Sipas tij, tash për tash, nuk mund të vihen afate kohore se kur do të përfundojë ky proces.
“Pa dashur që të flas me data, procesi është shumë serioz dhe aspak i lehtë, prandaj edhe gjërat është më mirë që të marrin kohë se sa që të ngutemi. Gjithashtu, janë edhe shumë procese përreth. Nuk është vetëm çështja e Asociacionit. Do të thotë, janë vizat, zhbërja e strukturave paralele, zbatimi i marrëveshjeve të tjera, e kështu me radhë”, shpjegon Murtezaj.
Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë në vazhdimësi e kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, opozita ka deklaruar se ky vendim është dëshmi e pakontestueshme që marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.