Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, do të jetë i pamundur pa ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës, ndërkaq ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës dhe për më shumë, pa dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë pakicat në Kuvend.
Përfaqësuesit nga Lista Serbe në institucionet e Kosovës, kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese që do të hapnin rrugën për formimin e Forcave të Armatosura në Kosovë.
Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, ditë më parë ka deklaruar se përfaqësuesit e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës, as që kanë ndërmend ta mbështesin ndonjë nismë të tillë.
“Ne nuk do të mbështesim një nismë të tillë, Po të kishim qenë të gatshëm që ta mbështesnim këtë çështje, besoni se kjo tashmë do të gjendej në rend dite në Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar ministri Jevtiq.
Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është vullneti i Qeverisë së Kosovës, por edhe i deputetëve shqiptarë dhe të pakicave tjera, përveç Listës Serbe, që të miratohen ndryshimet kushtetuese për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Por, lidhur me këtë çështje, sipas tij, situata ka qenë dhe vazhdon të jetë e komplikuar për shkak të ndikimit të Beogradit të Lista Serbe, për të penguar formimin e kësaj force.
Siç thotë ai, komplikimi i situatës tash është edhe më i madh nga Lista Serbe, për shkak të problemeve që janë shpërfaqur lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mendoj se problemi, relativisht i vështirë, tejkalohet, por e mundshme është që të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili do të mundësoj ngritjen e kapaciteteve të vazhdueshme, deri në momentin kur jepet shansi i parë për krijimin e Forcave të Armatosura".
"Pra, në këtë moment, mendoj se asgjë nuk e pengon ngritjen dhe rritjen e FSK-së, në kuptimin e asaj që është paraparë me planin dhjetëvjeçar të rishikimit të statusit të sektorit të sigurisë, ku planifikohet që brenda 10 vjetësh të ngrehen kapacitetet edhe në aspektin numerik edhe kualitativ, pa e prekur tash Kushtetutën, për shkak të pengesës nga pala e pakicës serbe”, tha Ibishi.
Ibishi ka shtuar se ndryshimi i Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, do të duhej të bëhet në fillim të vitit 2016.
Edhe Agim Musliu, njohës i rrethanave të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të iniciojë dhe Kuvendi duhet të bëjë ndryshimet ligjore për Forcën e Sigurisë se Kosovës, si dhe të bëhet përgatitja e platformës për shndërrimin e saj në Forcë të Armatosur.
Por, sipas tij, lidhur me këtë çështje, nevojitet edhe angazhim i diplomacisë së Kosovës.
“Duhet, pikë së pari, politikanët tanë ta kuptojnë që në këtë mënyrë, në një defanzivë të pakuptueshme, nuk mund të negociohet me Serbinë, respektivisht me Listën Serbe".
"Për shkak se duhet sa më shumë dhe sa më parë, Qeveria e Kosovës, ta bëj një hap para në aspektin e avancimit të diplomacisë me Brukselin dhe ta bindë që shndërrimi i FSK-së në ushtri, është i domosdoshëm edhe për Kosovën, por edhe për sigurinë, paqen dhe qetësinë në rajon. Si në rrafshin e brendshëm të sigurisë, por edhe në ndihmesën dhe kontributin që eventualisht mund ta japë ushtria e ardhshme e Kosovës në rajon dhe më larg”, tha Musliu.
Në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvend, patën kushtëzuar votimin e tyre për ndryshimet kushtetuese për formimin e Forcave të armatosura të Kosovës, duke kërkuar garantimin edhe për një mandat të ulëseve të rezervuara në Kuvend.
Kjo kërkesë ishte përkrahur nga Partia Demokratike e Kosovës, lideri i së cilës, Hashim Thaçi, drejtonte Qeverinë e Kosovës, ndërkaq, ishte refuzuar nga partitë opozitare në mandatin e kaluar të Kuvendit..