Liberalizimi i vizave, para fundvitit 2016

Schengen

Bashkimi Evropian, posedon mekanizmat që të verifikojë përmbushjen e kritereve dhe nuk ka nevojë që detyrimisht të pritet deri në fundin e vitit 2016 për të dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës për vitin 2016, është thëne se Kosovës i mbetet të përmbushë edhe 8 kritere, për të marrë rekomandimin për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Sipas njohësve të integrimeve evropiane, përmbushja nga Kosova e kritereve të mbetura, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave, do të varet nga vullneti politik, ndërkohë që sipas tyre, Bashkimi Evropian i ka mekanizmat e saj që mund ta bëjnë verifikimin e përmbushjes së këtyre kritereve.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë, siç i ka quajtur ai, tre hapa, të cilët çojnë deri te liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Hapi i parë është, në qoftë se ka vullnet politik për t’i përmbushur kriteret nga ana e Qeverisë së Kosovës. Hapi i dytë është vlerësimi i Komisionit Evropian. Hapi i tretë është vendimi politik në Këshillin e Bashkimit Evropian - pra, vendim që merret në Këshill të Bashkimit Evropian - përkatësisht, në konfiguracionin e nivelit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian”, tha Mazreku.

Emrush Ujkani, po ashtu, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e saj, nuk është e domosdoshme që të presin deri në fund të vitit 2016 për të rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, në rast se 8 kriteret e mbetura, eventualisht përmbushen shumë më herët.

“Bashkimi Evropian ka mekanizma dhe nuk është e nevojshme të pritet deri në fund të vitit. Komisioni (Evropian) mund të rekomandoj qysh më herët dhe vendim-marrja mund të bëhet, ta zëmë, në qershor".

"Kështu që, nuk është problemi tek BE-ja dhe mekanizmat e saj që japin vlerësime dhe bëjnë rekomandime, e që në fund të përfundojë me një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian. Pra, mund të ndodhë që nuk ka nevojë të pritet deri në fund të vitit, por ajo çka duhet, është që ne të punojmë për të përmbushur detyrat tona”, tha profesor Ujkani.

Se nuk do të pritet deri në fund të vitit 2016 për një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian, e pohon edhe profesor Mazreku.

“Mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Evropian, varen nga konfiguracionet dhe konfiguracioni i Këshillit të Bashkimit Evropian për punë të brendshme mblidhet më shpesh se sa një herë në vit. Mbledhje të Këshillit të Bashkimit Evropian, të ministrave të brendshëm, ka në mars dhe po ashtu edhe në qershor. Mirëpo ato mund të jenë edhe më të shpeshta, varësisht nga agjenda që i propozohet prej Komisionit Evropian”, u shpreh Mazreku.

Por, profesor Ujkani, vlerëson se nevojitet vullnet i madh politik nga autoritetet e Kosovës për të përmbushur kriteret, brenda një kohe të shkurtë.

“Objektivisht, mendoj që një pjesë mirë e atyre (kritereve) mund të arrihet deri në atë kohë, por duhet të ketë shtytje të vullnetit politik dhe ne nuk mund të paragjykojmë për këtë. Pa vullnet politik as ndryshimet më të thjeshta formale-juridike nuk mund të ndodhin”, ka theksuar profesor Ujkani.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se tetë kriteret e përmendura nga Bashkimi Evropian, tashmë janë adresuar dhe janë zbatuar dhe ata se presin që më së largu në shkurt të vitit 2016 do të marrin rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane nuk besojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë në shkurt të vitit 2016, por nuk përjashtojnë mundësinë që kjo të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.