Retorikë nacionaliste, por jo ksenofobi

Ilustrim

Rritja e retorikës nacionaliste është e dukshme kohët e fundit, por një gjë e tillë nuk është trend vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, ata i janë referuar deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ditën e hënë, në Kuvendin e Kosovës, para gazetarëve ka folur për një rritje të retorikës, siç e ka quajtur ai, nacionaliste dhe ksenofobie.

“Do të doja të thosha diçka për rritjen e retorikës nacionaliste dhe ksenofobike ditët e fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaft retorikë të tillë, dhe shpresoj të marrë fund përfundimisht”, ka theksuar ambasadori amerikan.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kontekstin e Kosovës, kanë ndikuar disa faktorë objektiv që kanë shtyrë drejt rritjes së nacionalizmit dhe retorikës nacionaliste.

Sipas tij, faktori i parë është mënyra se si është menaxhuar dialogu me Serbinë, për shkak se, siç thotë ai, në publik është arritur përshtypja se nga ky dialog ka fituar vetëm Serbia, ndërkaq Kosova ka humbur.

Faktori i dytë sipas tij, që ka ngritur dozën e nacionalizmit është mungesa minimale e reciprocitetit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në shumë çështje, përfshirë këtu edhe trajtimin e minoriteteve dhe të drejtave të tyre.

“Natyrisht që faktor ndikues në rritjen e kësaj doze të nacionalizmit është fakti që humbjet që Kosova i ka pësuar në raport me dialogun me Serbinë, janë përkthyer në kontekstin e elitës politike në Kosovë, si thirrje për ta kundërshtuar më shumë Serbinë, përkatësisht,për ta refuzuar më shumë Serbinë".

"Unë pajtohem që një dozë e tillë e rritjes së nacionalizmit është gjithashtu edhe i elitës politike, por nuk do të thosha vetëm i opozitës, por gjithashtu edhe i pushtetit, e cila kur bënte marrëveshje në Bruksel, kthehej në Kosovë dhe përmes metodave të rritjes së nacionalizmit, tentonte të legjitimonte marrëveshjet e arritura atje”, tha Korenica.

Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deklarata e ambasadorit amerikan lidhur me rritjen e retorikës nacionaliste dhe ksenofobie, përkujton nevojën e disiplinimit të njerëzve që janë bartës të institucioneve.

Kjo sipas tij, nënkupton që veprimet e opozitarëve dhe kundërshtimi me ngulm i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë çon kah tensionimi dhe rritja e kursit etno- nacionalist

“Edhe pse në Kosovë këtë nuk e kemi të shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë , do të thotë, lidershipi jonë më tepër është i zënë pas të ashtuquajturave agjenda ose pyetje, të cilat ata i konsiderojnë që janë jetike për Kosovën, e që në një mënyrë ose tjetër, ato pyetje u janë të dedikuara, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, edhe minoritarëve, përkatësisht pjesës pakicë që jeton në Kosovë”.

Por, Korenica vlerëson se deri më tash nuk është vërejtur të ketë pasur retorikë ksenofobie në Kosovë, përderisa në rajon kjo ka ndodhur.

“Në mënyrë absolute jo. Nuk besoj të kem parë asnjë politikan në Kosovë, që është i nacionalitetit shqiptar, të ketë shfrytëzuar apo përdorur logjikë ksenofobe ndaj një etnie tjetër, sikurse janë serbët".

"Pra, kundërshtimi ndaj Serbisë, në asnjë moment nuk mund të përkthehet si ndjenjë ksenofobie. Ksenofobia është një shkallë shumë e lartë e kundërshtimit, në terma racor, e cila besoj që nuk është vërejtur në politikën kosovare. Përkundrazi, unë besoj që logjikë ksenofobie ka në politikën në Beograd, të cilët vazhdojnë ta portretizojnë Kosovën dhe qytetarët e saj, si një vend me parametra terrorist”.

Korenica ka shtuar se askujt nuk i shërben për mirë rritja e nacionalizmit. Në këtë rast, sipas tij, Kosovës do t’i shërbente mirë rritja e patriotizmit, në kuptimin e dashurisë ndaj shtetit dhe institucioneve të saj, si dhe konceptit të një sovrani kushtetues.

Kjo, siç ka thënë ai, është rruga e vetme që e çon Kosovën drejt Evropës, e cila nuk pajtohet me logjikën politike që transmetohet përmes termave nacionaliste.