Më shumë angazhim kundër ekstremizmit të dhunshëm

Ilustrim

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, konsiderojnë se në disa drejtime mekanizmat përkatës janë duke punuar dhe po zbatojnë “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, theksojnë se prej se kur është miratuar strategjia, janë ndërmarrë disa aktivitete.

Rreth çështjes së parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm po punohet intensivisht, thotë Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme.

“Policia e Kosovës ani pse ka rol më tepër reaktiv, është marrë me parandalim, edhe para hyrjes në fuqi të strategjisë. Policia ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Bashkësisë Islame. Ata kanë dhënë përkushtimin e tyre, kanë premtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillojnë një numër ligjëratash. Krerët e Bashkësisë Islame, kanë zhvilluar ligjërata me xhematin ku kanë folur për islamin tradicional”, tha Mjekiqi për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët e Bashkësinë Islame të Kosovës theksojnë se duke marrë parasyshë që fenomeni i radikalizmit të dhunshëm fetar është bërë problem global, Bashkësia Islame e Kosovës është duke dhenë kontributin e saj në disa rrafshe.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, tha për Radion Evropa e Lirë se ky institucion me kohë ka dhënë dhe po jep rekomandime për ketë çështje.

“Në këtë aspekt mendoj se ka nevojë që të ketë një koordinim mes institucioneve tona, mes qeverisë, mes të gjitha institucioneve relevante që të arrihet një sukses. Përndryshe, nuk do të thosha se jemi aq shumë të kënaqur me rezultatet, por besoj se një dukuri që ka qenë më shumë prezente para një viti, sot veç vërehet se është në rënie, falë edhe angazhimit të Bashkësisë Islame”, tha Sadriu.

Zoti Sadriu konsideron se në këtë drejtim të parandalimit të disa dukurive që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, koordinimi ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve qeveritare nuk ka qenë i duhur.

“Nuk dua që t'ia vë fajin dikujt tjetër, por ka pasur një neglizhencë edhe nga institucionet tona në raport me Bashkësinë Islame. Ne kemi vepruar sa kemi pasur mundësi, ndërsa ajo çka nuk ka qenë në kompetenca tona, e kemi pasur të pamundur të veprojmë".

"Përmenda edhe çështjen e literaturës, këtu është shpërndarë literaturë e pakontrolluar. Nuk janë kompetencat tona, me të cilat ne mund t’i ndalojmë [këto aktivitete]”, tha Sadriu duke shtuar se moszgjidhja e statusit juridik të BIK-ut po paraqet problem edhe në ketë drejtim.

Zëdhënësi Sadriu, tha se asnjëherë Bashkësia Islame e Kosovës nuk i ka ikur dhe nuk do të ikë nga përgjegjësitë e veta dhe rrjedhimisht as nga puna dhe angazhimi që ka për të kontribuuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Ai thekson se përfshirja e shqiptarëve nga Kosova në luftërat e huaja si ato në Lindje të Mesme, ka ardhur pasi të rinjtë janë indoktrinuar nga disa organizata të ndryshme joqeveritare fetare në Kosovë.

“Ne kemi kërkuar që OJQ-ve që kanë sfond fetar të mos u mundësohet që ato të merren me çështje fetare derisa ato kanë një fushëveprim dhe janë të regjistruara për diçka tjetër. Kemi kërkuar po ashtu që të kontrollohen rrjetet sociale, të cilat predikojnë apo në një formë po i manipulojnë të rinjtë”, u shpreh Sadriu.

Përfaqësuesit e Qendrës Kosovare të Studimeve të Sigurisë, në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë duke zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë, për vetëdijesimin e shoqërisë rreth asaj se çfarë mund të bëjë shoqëria në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.