Avokatët e 29 të akuzuarve për rastin e Kumanovës, kërkesën që ky rast t'i kalohet kompetencave të Prokurorisë speciale, e arsyetojnë me politizimin e skajshëm të sistemit gjyqësor në Maqedoni.
Në rastin e Kumanovës është i përshirë një grup nga Kosova, i cili gjatë 9 dhe 10 majit të këtij viti, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u përlesh me forcat e policisë së Maqedonisë. Përleshjet përfunduan me vrasjen e 8 policëve dhe 10 pjesëtarëve të grupit të armatosur.
Naser Raufi, i cili është një nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve për rastin e Kumanovës, thotë se Prokuroria para Këshillit Gjyqësor nuk ka paraqitur kurfarë dëshmie konkrete se të akuzuarit për rastin e Kumanovës kanë planifikuar zhvillimin e akteve terroriste në Maqedoni.
“Insistojmë që rastin e Kumanovës ta marrë përsipër Prokuroria speciale pasi që jam i bindur, dhe të gjitha provat tona çojnë në atë drejtim, se janë shërbimet sekrete të Maqedonisë të involvuara drejtpërdrejtë në këtë rast".
"Mandej kryeshefi i Prokurorisë së krimit të organizuar, nga bisedat e përgjuara, doli në pah se merr urdhëra të drejtpërdrejtë nga strukturat udhëheqëse në pushtet, andaj nuk kam aspak besim".
"E theksoj, meqë një pjesë e padisë bazohet në dëshmitë e telefonatave të përgjuara, të marra nën masa të veçanta të hetimit”, thekson Raufi.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë lidhur me qëndrimin e këtij institucioni për kërkesën e palës mbrojtëse që ky rast të kalojë nën kompetencat e këtij institucioni, thotë se akoma nuk ka arritur kërkesa.
“Sot është ditë feste, kështu që, saktësisht, nëse ka arritur kërkesa formale nga mbrojtja, do të mund t’ju përgjigjemi gjatë kësaj jave. Sidoqoftë, nëse deri te ne vjen informatë se një lëndë e caktuar mund të jetë në kompetencën tonë dhe se për të ekzistojnë dëshmi, gjithsesi se lënda do të kërkohet për shqyrtim, ndërkaq nga rrethanat konkrete të çdo lënde do të varet nëse mbi lëndën do të vendoset kompetencë materiale e kësaj prokurorie publike".
"Në situata kur nuk kemi as kërkesë dhe nuk është kërkuar as lënda, nuk mund të paragjykojmë nëse mbi këtë lëndë do të vendoset kompetencë”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë speciale të Maqedonisë.
Prokuroria speciale në Maqedoni është themeluar si rrjedhojë e marrëveshjes politike për ta nxjerrë vendin nga kriza, nën kompetencat e së cilës është hetimi i veprimeve të strukturave të caktuara të pushtetit, të cilat dolën në pah nga bisedat e përgjuara që i ka bërë publike opozita maqedonase.
Ndërkohë, ekspertët juridikë theksojnë se vetëm Prokuroria speciale mund të paraqet garancë se "mund të ketë një proces të drejtë gjyqësor jashtë influencës së politikës dhe njëkohësisht të zbardhet e vërteta mbi zhvillimet në Kumanovë".
“Ky rast në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me rastet e tjera. Rasti i vrasjes së pjesëtarëve të UÇK-së nga Kosova në Kumanovë, në asnjë mënyrë nuk mund të trajtohet si një përplasje mes terroristëve të ardhur nga Kosova dhe forcave maqedonase të policisë".
"Përkundrazi, ky konflikt është i përgatitur me shumë kujdes dhe profesionalizëm gjoja për anti-terorrizëm, ku do të theksoja se kemi të bëjmë dhe me dyshime për elemente kriminogjene të ndonjë nga pjesëmarrësit në këtë përplasje. Duke përfshirë këtu dhe tradhtinë mes grupit të armatosur."
"Nga kjo që është prezantuar si dëshmi, thellë jam i bindur se qëllimi kryesor ka qenë demonstrimi i forcës nga ana e policisë maqedonase, me qëllim të destabilizimit të Republikës së Maqedonisë, me qëllim të shkaktimit të një konflikti ndëretnik për të anashkaluar aferën e përgjimeve nga vëmendja e opinionit publik”, thekson Mersim Pollozhani, ish gjykatës në Maqedoni.
Ndryshe, të hënën e ardhshme do të vazhdojë seanca për rastin e Kumanovës me ç'rast Keshilli Gjyqëor do të vendos se a do të pranohet ose jo akuza e prokurorisë për t'u proceduar rasti i Kumanovës në seancë gjyqësore.
Të 29 të akuzuarit për sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë dhe ngjarjet në Lagjen e Trimave të Kumanovës u deklaruan të pafajshëm.
Në seancën për vlerësimin e aktakuzës ata u shprehën se nuk e pranojnë akuzën për të cilën ngarkohen, terrorizëm dhe organizim i sulmit terrorist.