Në Shkup, prokurori që ka ndërmarrë atë që njihet si "rasti i Kumanovës" ka paraqitur të hënën aktakuzën para Këshillit të Gjyqtarëve, i cili duhet të marrë vendim nëse aktakuza ka bazë për t'u proceduar në seancë gjyqësore.
Në rastin e Kumanovës është i përshirë një grup nga Kosova, i cili gjatë 9 dhe 10 majit të këtij viti, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u përlesh me forcat e policisë së Maqedonisë. Përleshjet përfunduan me vrasjen e 8 policëve dhe 10 pjesëtarëve të grupit të armatosur.
Në bankën e të akuzuarve ishin ulur 29 persona, të dyshuar për veprën “terrorizëm dhe pjesëmarrje për 28 orë në luftime në lagjen e Trimave në Kumanovë".
Pala mbrojtëse akuzat i ka cilësuar si të pabaza, kurse të akuzuarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm..
Seanca pritet të vazhdojë të hënën e ardhshme.
Gani Krasniqi, familjar i Muhamed Krasniqit, të njohur si komandant Malisheva, i cili është pjesë e grupit të akuzuar për rastin e Kumanovës, shprehet i indinjuar me vendimin që familjrarëve të mos u lejohet pjesëmarrja në seancën gjyqësore.
“Asnjë përgjigje nuk na jipet nga organet e Maqedonisë, na e kanë vendosur këtu policinë për të mos na lejuar, e shihni gjithandej. Ne këtu kemi ardhur për të parë të afërmit tanë, për të realizuar një të drejtë që na takon, po askush nuk jep përgjigje. Presim këtu, gra, fëmijë, pleq...”, thotë zoti Krasniqi.
Indinjatë për vendimin e autoriteteve që të mos lejojë kontaktin me të akuzuarit, e ka shprehur edhe prof.dr.Skender Kodra, neuro psikiatër, i cili thotë se lejen për ta ndjekur nga afër procesin si palë e pavarur e ka marrë edhe nga misioni i OSBE-së dhe Organizatës së Kombeve të bashkuara.
“Nuk më është lejuar të kem kontakt me të paraburgosurit, edhe pse kam autorizim nga OKB dhe OSBE, ta ndjek këtë proces”, thotë zoti Kodra.
Veç familjarëve për të marrë pjesë në seancën gjyqësore nga ana e policisë është penguar edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
Muhamed Shehu nga Juniku, familjar i të akuzuarit Demë Shehu, vlerëson se rasti i Kumanovës paraqet një proces të montuar politik, "për qëllime të politikës ditore në favor të qeverisë së Maqedonisë".
“Shteti i Maqedonisë udhëhiqet nga shërbimet sekrete informative në njërën anë, edhe pse thonë se kanë pas njohuri për veprimin e grupit të armatosur dhe në anën tjetër nuk kanë ndërmarrë masa preventive, por në formë brutale, përkatësisht më 9 maj të këtij viti sulmohet një lagje shqiptare, me qëllim të likuidimit të këtij grupi dhe fshihen të gjitha dëshmitë dhe video incizimet për realitetin e kësaj ngjarjeje”, thotë zoti Shehu.
Më 4 nëntor 2015, Prokuroria Publike e Maqedonisë kishte ngritur akuzë për terrorizëm kundër 29 personave, lidhur me luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj.
“Në bazë të dëshmive të deritanishme nga hetimet e kryera lidhur me ngjarjet në Kumanovë, prokurori publik kompetent ka paraqitur padi kundër 29 personave pranë prokurorisë publik të Shkupit".
"Të akuzuarit akuzohet për vepra penale “organizata terroriste” në bazë të nenit 394-a dhe “terrorizëm” në bazë të nenit 396-b të ligjit penal”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.