Studentët përdorin teknologjinë për të kopjuar në provim

Ilustrim

Kopjimi është problem i madh në sistemin arsimor të Kosovës. Afër 80 për qind e studentëve, të cilët janë anketuar në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, kanë konfirmuar se kopjimi është i pranishëm në masë të madhe Universitetin e Prishtinës.

Studimi që ka bërë Instituti për Demokraci dhe Zhvillim vë në pah se studentët përdorin teknologjinë për të kopjuar, duke përfshirë telefonat e mençur dhe kufje të punuara enkas.

Teknologjitë e tilla është thënë se u jepen edhe me qira studentëve nëpërmjet medieve sociale, me një çmim mjaft të volitshëm.

“Nga 625 studentë të anketuar, 79 për qind konfirmojnë se kopjimi është i pranishëm në masë të madhe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa 73 për qind pajtohen që studentët bëjnë përpjekje të veçanta në përgatitjen për të kopjuar”, thuhet në këtë hulumtim.

Njohës të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të bizneseve, këtë dukuri e quajnë mjaft shqetësuese për arsimin e lartë në Kosovë.

Halim Hyseni, ekspert i çështjeve të arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se për këtë situatë duhet të alarmohet shoqëria në përgjithësi dhe duhet një reagim i menjëhershëm i autoriteteve kompetente.

“Nëse këto rezultate janë ashtu si janë, kjo është një tragjedi për të ardhmen e këtij vendit, pasi që me kopjime dhe imitime nuk ka mundësi të zhvillohen kompetencat që janë të domosdoshme për t’u përballur me sfidat e mëdha të kohës postmoderne dhe të shekullit XXI. Kjo është një ‘vrasje’ jo vetëm atyre të rinjve, pasi që me kopjime nuk ka mundësi të zhvillohen aftësitë që janë të domosdoshme për të siguruar një vend pune, apo për të qenë konkurrent në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, vlerëson Hyseni.

Vlen të theksohet se dyqane të shumta për fotokopje që gjenden përreth hapësirave universitare, sigurojnë shembuj të testeve dhe pyetjeve të provimit për lëndët në programe të caktuara, të cilat madje i vendosin në format të përshtatshëm për mashtrim.

Përveç tjerash, në këtë hulumtim të Institutit për Demokraci dhe Zhvillim të titulluar “Reformimi i Universitetit të Prishtinës - Mision i mundur”, është theksuar se metodat e vlerësimit, të cilat përdoren në Universitetin e Prishtinës, i shtyjnë studentët të mësojnë përmendësh.

Metodat e mësimdhënies në Kosovë, janë kritikuar edhe nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Ai ka thënë se këto metoda nuk janë praktike dhe nuk janë të dobishme për studentët.

“Akoma studentët në Kosovë më shumë ngarkohen me teori dhe bëjnë studime teorike, sesa që pajisen me shkathtësi dhe me kompetenca që do t’i hynin në punë karrierës së tyre si ekspertë të ardhshëm. Akoma tregu i punës ka vërejtje në kualitetin e studentëve tanë", ka thënë ministri Bajrami.

Përfaqësuesit e bizneseve vazhdimisht kishin theksuar se të sapodiplomuarit në fakultete dhe kolegje në Kosovë, të cilët hyjnë në tregun e punës, konsiderohet se nuk po janë të përgatitur mirë për punë.

Ata thonë se këta të rinj nuk po arsimohen në nivel të duhur për të zotëruar punën që po iu ofrohet.

Drejtori i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë kryesisht nuk janë të kënaqura me kuadrot që dalin nga fakultetet.

Problemi thelbësor, sipas Krasniqit, është se këta të rinj, të cilët e përfundojnë shkollimin, nuk e mësojnë praktikën.

“Një ekonomist që punësohet në një kompani, biznesit apo punëdhënësit po i duhet një kohë e gjatë derisa ta përgatisë punëtorin në profesionin adekuat. Në teori, ai i di të gjitha, por në praktikë ai nuk ka njohuri. E njëjta vlen edhe për profesionet profesionale si elektricist apo profesion tjetër. Kjo është pengesë dhe një kosto për bizneset në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit.

Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë.