Nën tensione, gaz lotsjellës dhe përplasje mes sigurimit dhe forcave politike në opozitë, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar sot edhe një seancë tjetër me shumë zhvillime dramatike.
Përveç skenave tashmë të para në Kuvend, si hedhja e gazit lotsjellës nga opozita dhe futja e sigurimit në sallë nga Kryesia e Kuvendit, sot është marrë një vendim edhe për pezullimin e opozitës nga punimet e Kuvendit të Kosovës.
Përpjekjet e para për nisjen e seancës u bënë në orën 11:00, por pas hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë, seanca u ndërpre menjëherë.
Lexoni këtu mbulimin e ngjarjeve në Kuvend, më 30 nëntor.
Kryesia e Kuvendit, me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që të thërrasë vazhdimin e seancës pa opozitën, diku rreth orës 14:00.
Seanca kësaj radhe u mbajt në sallën kryesore, ku deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, u penguan të futen brenda nga ana e sigurimit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se kjo nuk është pamje e mirë, por është në përputhje me rregulloren e punës dhe Kushtetutën.
"Në sallë janë 81 deputet. Më duhet të them që kolegët tanë opozitar janë duke e përjashtuar vetveten, qoftë duke përdorur gaz lotsjellës apo në pengimin e mbajtjes normale të seancave normale. I ftojmë të vijnë të marrin pjesë në seancë. Kjo nuk është pamje e mirë, por ne jemi të obliguar të vazhdojmë dhe vendimi është në pajtim me rregulloren e punës", ka thënë Veseli.
Në anën tjetër, deputetët e opozitës janë përplasur me sigurimin në hollin e Kuvendit në përpjekje që të futen në sallë. Por, ata nuk u lejuan dhe opozita, edhe kësaj radhe, u kundër-përgjigj me gaz lotsjellës.
Your browser doesn’t support HTML5
Anëtarja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se vendimi i Kryesisë [për pezullim ishte anti-kushtetues dhe në kundërshtim me rregulloren e punës.
"Suspendimi i opozitës nga Kryesia e Kuvendit ka ndodhur në kundërshtim me rregulloren e punës dhe Kushtetutën e Kosovës. Po shihet se çfarë masash kanë ndërmarrë për ta penguar punën e opozitës".
"Po e shihni këtu prapa nesh sigurimin, ndërkohë që i gjithë oborri i Kuvendit është i mbushur me policë të njësisë speciale të cilët duan ta pengojnë dhe pamundësojnë pjesëmarrjen e opozitës në seancë. Opozitës tani nuk i mbetet tjetër, pos protestave në rrugë", ka theksuar Dërguti.
Për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës apo posedimit të tij, sot policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion të policisë edhe tre deputetë; bëhet fjalë për deputetët e Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli e Ismail Kurteshi, dhe atij të partisë Nisma, Haxhi Shala.
Ditë më parë, po me këtë arsyetim, policia ka arrestuar edhe deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, atë të Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe është në kërkim të deputetëve të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.
Aktualisht nuk ka ndonjë plan konkret se si të tejkalohet kjo gjendje.
Opozita insiston që Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të tërheqin nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.
Këto janë kushtet e panegociueshme të opozitës për normalizimin e punës së Kuvendit, duke mos pranuar asnjë opsion tjetër.
Përderisa nga partitë politike në pushtet, rikujtohet që lënda për Asociacionin është në Gjykatën Kushtetuese dhe përderisa nuk ka ndonjë vendim nga kjo Gjykatë s'mund të ketë zgjidhje tjetër. Në lidhje me demarkacionin më Malin e Zi ndërkaq, opozitës i është ofruar mundësia e krijimit të një komisioni vlerësues, ku do të kishte ekspertë nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.