Të nderuar lexues,
Këtu po e përmbyllim këtë mbulim direkt të ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës.
* Kuvendi ndërpret punimet nga gazi lotsjellës
* Tre ligjvënës nga opozita shoqërohen për në polici
* Kryesia e Kuvendit pezullon pjesëmarrjen e opozitës në punimet e Kuvendit
Na ndiqni në evropaelire.org...
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kanë braktisur hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Në sallën e seancave plenare, punimet e Kuvendit po i mbajnë partitë politike në pushtet, kurse në mjediset e Kuvendit ka akoma pjesëtarë të sigurimit.
Ilir Deda, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, suspendimin e opozitës nga Kryesia e Kuvendit e ka cilësuar si suspendim të demokracisë.
"Suspendim të tillë nuk ka as në Rusi, Venezuela apo Bjellorusi. Akti i sotëm e shënon fundin e Qeverisë Mustafa-Thaçi. Koalicioni PDK-LDK përbën regjimin më anti-demokratik në Kosovë në këto 16 vite liri. Natyrisht që nuk do të marr pjesë në punimet e Kuvendit pa kolegët e opozitës. Ndryshimi i vonuar në Kosovë do të vijë mē shpejtë se sa që kemi menduar", ka thënë Deda, në rrjetin social Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj ndalimit të deputetit të partisë Nisma për Kosovën, Haxhi Shala, nga Policia e Kosovës.