Bashkëpunimi i kompanive Kosovë - Shqipëri

Ilustrim

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë vazhdon të dominojë vetëm nga shkëmbimet tregtare eksport- import dhe jo në ndonjë fushë tjetër.

Kështu thonë afaristë dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, duke shtuar se autoritetet kompetente bëjnë marketing sa i përket bashkëpunimit ekonomik ndërmjet këtyre dy shteteve, por në realitet është krejt ndryshe.

Megjithatë, vullneti dhe dëshira e afaristëve të të dyjave shteteve është e madhe për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe për krijimin e një tregu të përbashkët.

Disa kompani nga Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë filluar të bashkëpunojnë ndërmjet vete apo të bëhen një trup i përbashkët.

Një kompani që merret me shitjen e derivateve të naftës në Kosovë, “Patroni”, kohëve të fundit është bashkuar me operatorin “Eida” nga Shqipëria.

Menaxheri i kompanisë tashmë të quajtur “Eida&Patroni”, Habib Morina, për Radion Evropa e Lirë, tregon se investimet i realizojnë në mënyrë të pavarur, mirëpo logon e kompanisë e kanë të përbashkët.

“Është një logo e përbashkët. Ne në Kosovë kemi 13 pika, kurse në Shqipëri mbi 50 pika të karburantit. Ne dhe ata veprojmë në mënyrë të pavarur. Por, kemi bashkuar emrin e kompanive që të jemi si një trup i përbashkët. Lëndën e marrin në një vend, cilësinë e kemi të njëjtë dhe shumë të mirë. Për këtë ne e kemi bërë një logo të përbashkët. Ne marrim lëndë edhe në depot e tyre”, tregon Morina.

Në anën tjetër, një kompani nga Kosova, aktivitetin e saj e zhvillon edhe në territorin e Shqipërisë.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, në një bisedëpër Radion Evropa e Lirë tregon se në territorin e Shqipërisë posedon 40 hektarë tokë, ku bën kultivimin e patates së hershme.

Ai tregon se për këtë projekt, nuk ka pasur ndonjë lehtësim për investime nga asnjëra qeveri.

“Kemi bashkëpunim në tregti, siç është shitja e produkteve nga patatja. Mirëpo, nuk ka bashkëpunim, sepse më shumë flitet se sa punohet. Duhet të punohet shumë më shumë, sepse tashmë janë krijuar kushtet që ai kufi të ekzistojë vetëm formalisht. Kurse, duhet të aplikohen lehtësira në shkëmbimet tregtare Kosovë – Shqipëri dhe anasjelltas”, pohon Kosumi

Se veprimtaria tregtare paraqitet më atraktive për kompanitë e Shqipërisë në territorin e Kosovës, tregojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve gjatë këtij viti janë regjistruar 49 kompani nga Shqipëria, 27 prej të cilave aktivitet kryesor kanë tregtinë, kurse të tjerat janë regjistruar për aktivitete profesionale, prodhim, ndërtimtari dhe aktivitete administrative.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se duhet të largohet forma klasike e të bërit biznes vetëm më tregti.

Sipas tij, duhet të analizohen forma më të avancuara në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë konkurrente me vendet tjera dhe jo ndërmjet vete.

“Shqetësues është fakti se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë shumë më tepër i përcjell një marketing i jashtëm që ka një spektakël dhe ka një substancë të jashtme. Mirëpo, neve na duhet një substancë e brendshme dhe në këtë drejtim, besoj se më tepër duhet të flitet për bashkëpunim ekonomik dhe të kemi më tepër veprim”, thekson Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë,

Ai shton se janë bërë miliarda euro investime në infrastrukturë, siç është autostrada “Ibrahim Rugova”, por nëse kjo auto-udhë mbetet të shfrytëzohet vetëm gjatë sezonit të verës, sipas tij, humbjet do të jenë të mëdha jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen.

Sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, për muajin shtator eksporti në Shqipëri ka qenë 13. 2 për qind, ndërsa importi është nën pesë për qind.

Më poshtë mund të shikoni një fotogaleri nga Panairi "Blej shqip", ku prodhues dhe kompani shqiptare,po i ekspozojnë produktet e tyre.

Panairi "Blej shqip"