Dialogu, mundësi për të dalë nga kriza

17 nëntor

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë thuhet se përfundimisht e kanë kuptuar se Kosova është në një situatë të vështirë politike dhe se pa një dialog të përbashkët nuk mund të ketë zgjidhje.

Analistët politik konsiderojnë se vazhdimi i kësaj gjendje po e dëmton Kosovën në shumë aspekte dhe se sipas tyre për tu zgjidhur kjo situatë duhet të ketë vullnet politik.

Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deri më thash nuk ka hapa konkret për të daljen nga kjo situatë.

“E vetmja mundësi dhe krijim hapësire që mund të ndodh për të filluar zbutjen dhe zgjidhjen e situatës është ulja e kryeministrit partive kryesore në pozitë me liderët e opozitës. I vetmi mekanizëm është thirrja e kryeministrit krijimi i një platforme dialogu për të gjitha çështjet e hapura me opozitën”, tha Rashiti.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston mundësia për dalje nga kjo situatë në të ciliën ndodhet Kosova.

Sipas tij, zgjidhje është ri-negocimi i marrëveshjeve për të cilat opozita është duke bllokuar Kuvendin e Kosovës dhe duke protestuar.

“Zgjidhja është rishqyrtimi i të dy këtyre marrëveshjeve, pavarësisht deklarimeve të kryeministrit Mustafa se ato janë të panegociuara. E nuk është ashtu, ekziston mundësia, ekzistojnë të gjitha kushtet që ato të rishqyrtohen e ri-negociohen e nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë ky qëndrim i ngurtë në radhë të parë nga koalicioni qeveritar".

"Por, në anën tjetër opozita duhet t'i krijojë mundësi koalicionit ose në bashkëpunim me të, të provojë të gjej se cila është zgjidhje më e mirë që këto marrëveshje të rishqyrtohen”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj mendon se me rishqyrtimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen të cilën Kosova e ka bërë me Malin e Zi për demarkacionin, nuk paraqet ndonjë problem nëse edhe një herë shqyrtohen.

“Kemi pasur rastin edhe nga pala serbe, kur marrëveshja e arritur për arsimin e cila nga Gjykata Kushtetuese në Serbi është shpallur jokushtetuese, është ri-negociuar serish dhe është arritur prapë marrevesheje e re për arsimin”, tha Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, një ditë më parë ka ftuar përfaqësuesit e partive opozitare që t’i kthehen punës në institucione dhe përmes bisedimeve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

Ai ka deklaruar se “bllokimi dhe dhuna nuk janë mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës”.

Kryeministri Mustafa, ka kërkuar nga opozita që me qetësi ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe çfarëdo qoftë ai, ta pranojë, kurse për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka theksuar se ajo çështje mbetet e hapur dhe me mundësi përmirësimi, në rast të argumentimit profesional.

Këto deklarata të kryeministrit Mustafa, për njohësin e çështjeve politike, Ismail Hasani, në dukje të parë janë si heqje dorë nga barrikadimi se marrëveshjet nuk mund të diskutohen.

Hasani thekson se palët duhet të gjejnë një zgjidhje që situata në Kosovë të normalizohet.

“Qeveria deri dje ishte e barrikaduar sa i takon mundësisë së rishikimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Ftesa decidive e tij për ta pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, janë elemente të cilat në një mënyrë ose tjetër kanë ndikuar me zbutjen e këtyre barikadimeve sidomos barikadimeve ekstreme të opozitës e cila me çdo kusht tenton që të zhbëj marrëveshjet”, tha Hasani.

Opozita ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.