Institucionet s'bashkëpunojnë kundër korrupsionit

Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës, ka publikuar një hulumtim ku thuhet se "në përgjithësi në Kosovë ka tendencë për të adresuar problemin e korrupsionit me strategji dhe plane të veprimit, por kjo më shumë mbetet si listë dëshirash se sa veprime konkrete".

Në publikimin e hulumtimit me temën “Sistemi i Integritetit Kombëtar në Kosovë” është mbajtur edhe një debat ku përfaqësues nga shoqëria civile dhe ata të institucioneve të Kosovës, thanë se krahas papunësisë dhe varfërisë, perceptimet për nivelin e lartë të korrupsionit vazhdojnë të jenë shumë të larta.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës Ismet Kryeziu, tha se Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera nuk janë duke i dhënë prioritet luftës kundër korrupsionit, gjë që sipas tij, jeta e qytetarëve sa vjen e rëndohet.

“Mosbashkëpunimi ndër-institucional nuk është efikas. Retorika institucionale dhe politike për qeverisje të mirë duhet të ndërtohet me veprime konkrete të institucioneve të cilat garantojnë pavarësi institucionale transparencë dhe qëndrueshmëri. Nëse qeveria vazhdon të mos i qaset me seriozitet trajtimit të korrupsionit do ta minojë partneritetin e qëndrueshëm me BE-në".

"Në këtë drejtim jo vetëm që do të vuaj vendi por, qytetarët do të vazhdojnë të ndjejnë edhe me shumë efektet e varfërisë si pasojë e veprimeve korruptive”, tha Kryeziu.

Në ketë konferencë ka qenë i pranishëm dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi.

Ai tha se në Kosovë ekziston baza ligjore për luftimin e korrupsionit, por siç u shpreh ai, vërehet një hendek në zbatimin e tyre.

“Ne kemi shtatë institucione që thonë se merren me luftën kundër korrupsionit përfshirë edhe Këshillin Nacional kundër Korrupsionit. Ky Këshill ngjan me një OJQ. Lufta kundër korrupsionit luftohet nga prokurorët e policia. As nuk luftohet nga Qeveria...ne kemi vetëm vullnetin politik, infrastrukturën ligjore e buxhetore. Unë kam respekt për Këshillin Nacional, por ai është një OJQ".

"Ne atje i kemi fjalimet e njëjta përfundojmë dhe shkojmë në shtëpi duke thënë se po luftojmë. Unë kam dëshirë që t’i shohë policinë e prokurorët me raste konkrete para medieve”, tha Kuçi.

Libor Chlad, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se një nga sfidat e luftës kundër korrupsionit është edhe mosbashkëpunimi mes institucioneve përkatëse.

“Ajo çka ka rëndësi është që të shihen disa rezultate të prekshme të punës së institucioneve".

Vlerësimet janë se Kosova ka miratuar ligje me standarde evropiane, por mbetet shumë hapësirë për përmirësim në zbatimin e këtyre instrumenteve legjislative”, tha Chlad.

Në hulumtimin e KDI-së thuhet se ekziston një mungesë e bashkëpunimit në mes institucioneve dhe akterve të përfshirë në luftimin e korrupsionit, pavarësisht disa iniciativave të izoluara kundër korrupsionit.

Aty theksohet po ashtu se integriteti dhe llogaridhënia institucionale janë në nivel shumë të ulët.

Partitë politike, Qeveria dhe Ndërmarrjet Shtetërore janë institucionet më problematike në luftën kundër korrupsionit, thuhet në hulumtim.

Ndër rekomandimet kryesore që ka nxjerrë KDI janë se kapacitetet e sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit duhet të rriten dukshëm.

Për Qeverinë thuhet se duhet të miratojë Ligjin për t’i rregulluar kompetencat e një qeverie në largim, kurse për Kuvendin e Kosovës rekomandohet që të sigurojë mbikëqyrje të mirëfilltë ndaj ekzekutivit përmes mekanizmave të ndryshëm dhe në veçanti përmes komisioneve të Kuvendit.

Përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se lufta ndaj korrupsionit në Kosovë vazhdon të jetë e dobët dhe pa rezultate konkrete, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e dyshuara të korrupsionit, në nivel të lartë politik.

Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren institucionet përkatëse.

Në vitin 2014, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.