Presidenti dhe kryeministri i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq dhe Millo Gjukanoviq, nuk kanë asnjë dyshim se protestat e dhunshme, të shtunën në Podgoricë, kanë treguar se qëllim i opozitës është të përmbysë rendin kushtetues dhe të ndryshojë në mënyrë të dhunshme qeverinë.
Disa mijëra protestues, nën ombrellën e Frontit Demokratik opozitar, kanë kërkuar dorëheqjen e Gjukanoviqit dhe formimin e një qeverie të përkohshme.
Tensionet shpërthyen pasi protestuesit bënë përpjekje të thyenin kordonin policor përreth ndërtesës së parlamentit.
Gjukanoviq, i cili është në pushtet qysh në vitin 1991, ka akuzuar opozitën se bën përpjekje të parandalojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shprehur bindjen se Rusia qëndron prapa protestave.
Mali i Zi është vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe pret ftesën këtë vit për t’iu bashkuar NATO-s. Mali i Zi po ashtu duhet të mbajë zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.
Por, qeveritë perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut mbeten të shqetësuara për nivelin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, i cili ka marrë hov gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90'ta.
Kritikët po ashtu thonë se shteti prej 680,000 banorësh udhëhiqet nga një elitë politike, kryesisht e pandryshuar, që 20 vjet.
Opozita thotë se qëllim të përbashkët ka organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, sidomos pas aferës “Snimak”.
Kjo aferë ka të bëjë me publikimin e audio-incizimeve nga një mbledhje e partisë së Gjukanoviqit, në të cilat dyshohet se flitet për përdorimin e burimeve shtetërore për përfitime partiake dhe për punësime në baza partiake.
Derisa Fronti Demokratik paralajmëron vazhdimin e luftës politike, shtrohet pyetja se kush fiton apo humb nga trazirat në Mal të Zi?!
Momçillo Radulloviq, kryetar i OJQ-së Lëvizja Evropiane në Mal të Zi, thotë se pas protestave të dhunshme të shtunën, të gjithë kanë dalë ngapak humbës në demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë.
Por, sipas tij, nuk ka dyshim se kryeministri Gjukanoviq ka arritur të tregojë imazhin që i konvenon Malit të Zi, në prag të ftesës së dhjetorit për anëtarësim në NATO.
“Gjukanoviq dhe strukturat qeverisëse kanë arritur atë që është shumë e rëndësishme në këtë moment, për ta dhe për të gjithë ne. Mali i Zi është treguar si vend i insititucioneve të sigurta që reagojnë në kohë dhe i strukturave politike që përfundimisht janë të angazhuara për anëtarësim në NATO”, thotë Radulloviq.
Bozhena Jellushiq, nga Lëvizja qytetare Ura në Mal të Zi, është optimiste se do të ketë dialog politik mes palëve, si mënyra e vetme për dalje nga kriza politike dhe institucionale.
“E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mos e hedhim në erë energjinë e lëshuar, ndërsa pakënaqësinë e akumuluar ta artikulojmë në mënyrë konstruktive, në mënyrë pro-evropiane, e cila respekton të drejtat dhe vlerat e njeriut”, thotë Jellushiq.
Mali i Zi, i cili ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, ka një komunitet të fuqishëm serb, i cili tradicionalisht ka anuar kah Rusia, e cila kundërshton ashpër zgjerimin në lindje të NATO-s. (v.tela)