Ndërlidhjet

Gaz lotsjellës në protestat antiqeveritare në Podgoricë


Përleshje në protestat anti-qeveritare në Mal të Zi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:21 0:00

Përleshje në protestat anti-qeveritare në Mal të Zi

Policia në Podgoricë të Malit të Zi të shtunën mbrëma ka hedhur gaz lotsjellës për të dytën fundjavë me radhë, për t’i shpërndarë afro 5,000 protestues, që po marshonin drejt ndërtesës së Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Millo Gjukanoviq, dhe zgjedhje të parakohshme.

Tubimi ishte paqësor, por u shndërrua në të dhunshëm, pasi demonstruesit u përpoqën ta shpërthejnë kordonin e policisë para ndërtesës së Parlamentit, duke hedhur gurë, fishekzjarrë dhe pajisje zjarrvënëse, raporton agjencia Reuters nga Podgorica.

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjeviq, i njoftoi gazetarët se 15 policë janë plagosur, një prej tyre rëndë, dhe se 24 civilë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Lideri i Frontit Demokratik opozitar, që e ka organizuar demonstratën, Andrija Mandiq, dhe aleati i tij, Sllaven Radunoviq, ishin marrë në polici për pyetje lidhur me rolin e tyre në incidente, ka njoftuar policia e Malit të Zi.

Ministri Konjeviq vlerësoi se dhuna ishte “një sulm i qartë kundër policisë dhe pronës shtetërore”.

Sipas tij, kryeprokurori i Malit të Zi po e shqyrton rastin.

Sipas legjislacionit të Malit të Zi, deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka imunitet ndaj arrestimit, përveç në rastet kur krimi i kryer mund të dënohet me më tepër se 5 vjet burg.

Protesta e mbrëmshme, që ka filluar në sheshin kryesor të Podgoricës, është mbajtur nën masa të shtuara të sigurisë, me ç’rast rreth objekteve qeveritare janë vendosur barrikada.

Protestuesit kanë mbajtur flamuj të Malit të Zi dhe Serbisë dhe kanë brohoritur “Millo është hajn”, duke iu referuar kryeministrit, Millo Gjukanoviq, të cilin liderët opozitarë në Mal të Zi e akuzojnë për korrupsion dhe mashtrim zgjedhor.

Para se të fillojë protesta, një grup i mbështetësve opozitarë ka hedhur gurë kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, duke e dëmtuar pjesën e jashtme të ndërtesës.

Qeveria e Malit të Zi e “ka dënuar këtë incident me hedhje të gurëve kundër Ambasadës së vendit mik fqinj, Shqipërisë”.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë të Malit të Zi nga “protestuesit huliganë”.

Në deklaratën e ministrisë u bëhet thirrje autoriteteve të Malit të Zi, që të “ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për mbrojtjen e ndërtesës së Ambasadës dhe objektet e tjera, për të siguruar aktivitet normal të saj dhe integritet të personelit dhe për t’i sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë sulm”.

Ministria e Jashtme ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështes kursin euro-atlantik të rajonit.

Përkushtimet për vlerat euro-atlantike mbesin të panegociueshme dhe nuk do të ndalen nga grupet e huliganëve, idetë e të cilëve e kërcënojnë integrimin e ardhshëm të rajonit tonë”, theksohet në fund të kumtesës së Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, lidhur me sulmin e së shtunës kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë të Malit të Zi.

Qeveria e Malit të Zi pretendon se protestat janë të mbështetura nga Rusia dhe Serbia, dhe se ato synojnë parandalimin e Malit të Zi që t’i bashkohet NATO-s.

Liderët opozitarë i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe lansojnë kundër-akuza se Gjukanoviq dhe elita politike rreth tij, po e udhëheq vendin sikur ta ketë pasuri private.

Predrag Bullatoviq, anëtar i Parlamentit të Malit të Zi nga Fronti Demokratik opozitar, gjatë fjalimit në protestën e mbrëmshme tha:

Ne nuk jemi kundër Malit të Zi. Ne po e mbrojmë Malin e Zi nga regjimi i kryeministrit Millo Gjukanoviq. Ne nuk jemi nacionalistë. Kjo është protestë paqësore dhe jo e dhunshme, por ende masive”, tha Predrag Bullatoviq.

Në fakt, në lëvizjen opozitare në Mal të Zi përfshihen disa parti properëndimore, por ka edhe elemente që janë për Serbinë, dhe mbështesin lidhje më të afërta ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit.

Elementet pro-serbe të opozitës në Mal të Zi, po ashtu, e kanë kundërshtuar njohjen e Kosovës nga Mali i Zi, që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008.

Aktualisht, Mali i Zi është kandidat për pranim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë të parapara të mbahen në tetor të vitit 2016.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG