Kuvendi i Kosovës në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ka mbajtur një seancë në një sallë jo të zakonshme për mbajtjen e seancave, në të cilën nuk kanë qenë të pranishëm ligjëvënës nga radhët e opozitës. Në këtë seancë deputetët miratuan edhe disa ligje.
Vendimi për ta mbajtur në një sallë tjetër pasoi disa ndërperje të punimeve të Kuvendit nga ana a e subjekteve politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat përdorën në disa raste gazin lotsjellës.
Këto veprime bënë që kryesia e Kuvendit të vendos një numër pjesëtarësh të sigurisë në sallë. Forcat e sigurisë u rreshtuan përreth foltores së Kuvendit, për të pamundësuar depërtimin e deputetëve nga opozita.
Këta të fundit megjithatë arritën që sërish të hedhin gaz lotsjellës, e në disa raste kanë përdorur edhe shishe uji në drejtim të ligjëvënsve nga partitë politike në pushtet. E gjithë situata ishte e nderë dhe u përcoll edhe me fyerje të ndërsjella ndërmjet ligjvënësve opozitarë dhe atyre në pushtet.
Gazin lotsjellës opozita e hodhi edhe më herët gjatë ditës, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, afër zyrës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Sipas udhëheqësve nga opozita, vetëm anulimi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi zhbllokon punën e Kuvendit.
Pauza e parë
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas ndërprerjes së parë në orët e pasdites, ka thënë se thirrja e seancave vetëm sa e tensionon gjendjen dhe ka ftuar qeverinë t'i tërheq marrëveshjet.
"Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shkuar në Bruksel dhe me Aleksandar Vuçiqin [kryeministrin e Serbisë], e ka nënshkruar copëtimin etnik, të brendshëm të Kosovës. Kurse Hashim Thaçi [ministër i Jashtëm i Kosovës], e ka rrudhur territorin e Kosovës, me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi", ka thënë Konjufca.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka kushte dhe klimë për seanca plenare. Sipas tij, seancat janë provokim i situatës dhe si të tilla, janë të panevojshme.
"Unë i kam thënë mendimet e mia, që besoj se janë të njohura. Të mos thirren seancat, por koalicioni qeverisës të ulet dhe të gjejë mënyrë për t'i anuluar marrëveshjet", ka deklaruar Haradinaj.
Njëkohësisht, grupe të mbështetësve të forcave politike të cilët ishin mbledhur para dyerve qendrore të Kuvendit të Kosovës që nga orët e pasditës, janë shpërndarë në mesnatë nga autoritetet e rendit. Forcat e policisë përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndryshe, kjo është bllokada e pestë që opozita i bëri Kuvendit, për ç’gjë në dy raste të tjera ka përdorur gaz lotsjellës dhe në një rast, ka sulmuar me vezë.
Opozita është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar ashpër veprimet e fundit të subjekteve politike në opozitë, përfaqësues të të cilave në dy raste kanë përdorur edhe gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit për të ndërprerë punimet.
Autoritete të larta vendore dhe ndërkombëtare gjithashtu kanë kritikuar opozitën, duke i bërë thirrje që të shfrytëzojë pikërisht Kuvendin, për të ngritur përmes debatit shqetësimet që ka.