Ndërlidhjet

Qeveria dhe opozita larg dialogut për tejkalimin e bllokadës


Kuvendi i Kosovës i zbrazët, pasi opozita hodhi gazin lotsjellës në sallë.
Kuvendi i Kosovës i zbrazët, pasi opozita hodhi gazin lotsjellës në sallë.

Qeveria dhe opozita në Kosovë nuk kanë dhënë asnjë shenjë të përafrimeve të mundshme dhe uljes në tavolinën e bisedimeve për tejkalimin e situatës së krijuar politike në vend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka bërë me dije opozitës se nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve dhe ka inkurajuar organet e drejtësisë që të hetojnë dhe ndriçojnë rastet e fundit të përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët opozitar dhe incidentet tjera të shkaktuara nga partitë opozitare.

Përderisa nga opozita vijnë sinjale se nuk ka bisedime me qeverinë pa tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Këto kërkesa të opozitës, nga kryeministri Mustafa janë cilësuar të papranueshme. Ai është shprehur i gatshëm që për këto çështje të ballafaqohet në debat me opozitën në Kuvendin e Kosovës.

“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kërkoj të zhbllokohet sa më shpejt puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ne të vazhdojmë me përmbushjen e obligimeve që kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo duhet të bëhet duke zbatuar rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Debatet në Kuvendin e Kosovës tashmë janë bërë të pamundura të zhvillohen pasi që opozita pamundëson zhvillimin e seancave, qoftë përmes bllokimit të foltores apo edhe veprimeve tjera si fishkëllima e madje edhe përmes hedhjes së gazit lotsjellës, siç ka vepruar në dy seancat e fundit.

Këshilli Drejtues i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka vlerësuar se marrëveshjet politike të nënshkruara nga kryeministri Mustafa, e “shndërrojnë Kosovën në shtet jo-funksional, prandaj është e domosdoshme që ato të mos zbatohen”.

Qëndrime të ngjashme mbajnë edhe dy subjektet tjera opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe partia Nisma.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar kreun e Kuvendit të Kosovës dhe atë të qeverisë që të mos thërrasin më seanca plenare të Kuvendit pa tërheqjen e nënshkrimeve nga dy marrëveshjet e shumë përfolura, ngase sipas tij, situata vetëm sa mund të përshkallëzohet.

“Në vend të insistimit që të mbahet seanca, të insistohet të tërhiqen marrëveshjet. Kërkesa ime për kryetarin e Kuvendit edhe për koalicionin e shumicës PDK-LDK, është që t’i kërkojnë kryeministrit që t’i tërheq marrëveshjet. Insistimi që të mbahet seanca me çdo kusht do ta përshkallëzojë edhe më tej gjendjen në vend, pra si në Kuvend ashtu edhe në vend”, ka thënë Haradinaj.

Kërkesave të opozitës, kryeministri Isa Mustafa u është përgjigjur negativisht, duke i cilësuar ato si qëllime të pastra politike që synojnë rrëzimin e qeverisë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Opozita nuk ka ofruar asnjë alternativë sesi të integrohet veriu i vendit, se si të zhbëhen strukturat paralele serbe, të cilat akoma veprojnë në Kosovë, se si të ushtrohet sovraniteti në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Atyre iu përgjigjet të mbetet problemi i pazgjidhur i Kosovës, vetëm për të ardhur në pushtet mënyrë jodemokratike. Ata kërkojnë zgjedhje duke menduar se edhe zgjedhjet duhet t’i bëjnë me gaz lotsjellës nëpër vendvotime”, është shprehur Mustafa.

Kuvendi i Kosovës ka hyrë në muajin e dytë të bllokadës së krijuar. Për situatën e krijuar kanë reaguar edhe përfaqësues ndërkombëtar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie ka inkurajuar partitë politike që të gjejnë zgjidhje dhe të mos e qojnë Kosovën kah izolimi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e saja demokratike.

“Kurse parlamenti është vend për diskutim, debat, si dhe për mospajtueshmëri. Por, jam i sigurt që ai nuk është vend për armë, dhunë dhe pengim”, kishte deklaruar ambasadori amerikan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG