Ambasadori Delawie ia tërheq vërejtjen opozitës

Greg Delawie në takim me Kadri Veselin

Ambasadori Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, i ka cilësuar si jo të mira për Kosovën, zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

Pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e këtij Kuvendi, Kadri Veseli, zoti Delawie ka porositur personat “të cilët kanë përdorur armë në Kuvendin e Kosovës”, se njerëzit në mbarë botën --, qeveri, investitorë dhe qytetarë të zakonshëm -- “janë duke lexuar dhe duke parë pamje dhune dhe kaosi në institucionet e Kosovës”.

Duke iu drejtuar forcave politike në opozitë, ambasadori amerikan tha se ato janë “duke e lënduar ekonominë e Kosovës, janë duke e izoluar Kosovën dhe janë duke rrezikuar liberalizimin e vizave” në zonën Schengen të Bashkimit Evropian, për qytetarët e Kosovës.

“Jeni duke i vonuar mundësitë e Kosovës për njohje nga shtetet tjera”, tha ambasadori Delawie, duke nënvizuar besimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se të gjithë qytetarët në Kosovë duhet të jenë të barabartë.

Punimet në Kuvendin e Kosovës është duke i bllokuar opozita, në kërkim të shfuqizimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

Me theks të veçantë, opozita po kundërshton marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, e cila është arritur më 25 gusht, duke e cilësuar atë si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës.

Të dëmshme për integritetin territorial të Kosovës, opozita e ka cilësuar edhe marrëveshjen e arritur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar të gjithë ligjvënësit që të kthehen në Kuvend, dhe të debatojnë për ato që ai i cilësoi si çështje të rëndësishme për vendin.

“Parlamenti nuk është pjesë e tematikës së bllokadës, pasi që nuk ka nënshkruar asgjë, dhe as nuk duhet të jetë pjesë e një bllokade të paarsyeshme. Parlamenti është një vend ku mund të shprehen të gjitha shqetësimet për çështjet tematike, qofshin ato edhe për marrëveshjen për Asociacionin dhe demarkacionin”, tha Veseli.

Zoti Veseli theksoi se Kosova ka nevojë për njerëz të bashkuar dhe persona që ja duan të mirën vendi. Kurse të dobët i ka cilësuar ata persona të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikti në Kuvendin e Kosovës.

“Asnjëherë nuk do të ndodhë asnjë skenar i konfliktit ose një skenar i destabilizimit nga Kuvendi i Kosovës. Janë njerëz të dobët, të pasjellshëm, janë njerëz që nuk e duan këtë vend, ata të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikte në Kuvendin e Kosovës”, tha Veseli.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është thirrur për të premten, më 23 tetor.

Disa analistë në Prishtinë, thirrjen e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për ditën e premte e kanë parë si provokim për gjendjen e sigurisë në Kosovë.