Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që seanca e Kuvendit, e ndërprerë disa herë tashmë nga forcat politike në opozitë, të vazhdojë të premten e kësaj jave, më 23 tetor.
Vendimi i kryesisë pason takimet që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar me të gjitha partitë politike në Kosovë, në përpjekje për të zhbllokuar punimet në Kuvend.
Kryetarit i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha para gazetarëve se ka besimin që pozita dhe opozita do të arrijnë që të kryejnë obligimet kushtetuese në seancën e ardhshme dhe se siç u shpreh ai “çdo komunikim të bëhet përmes dialogut parlamentar”.
“Të premten e kemi vazhdimin e seancës, janë 10 pika të rendit të ditës. Seanca do të nis në orën 16:00. Pozita dhe opozita janë pjesë e veprimit institucional në Kosovë. Besojmë shumë se së bashku do të arrijmë që të përçojmë mesazhin të qytetarët e Republikë së Kosovës që Kuvendit është duke i kryer obligimet e veta kushtetuese e ligjore”, tha Veseli.
Në paraditën e së martës, liderët e tri partive politike të Kosovës në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, pas takimit të zhvilluar me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, thanë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre të deritashme.
Opozita në Kosovë është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, nëse qeveria nuk e tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Marrëveshja është arritur më 25 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.
Opozita e cilëson marrëveshjen si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës dhe është shprehur kundër edhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Qeveria ndërkaq i sheh kërkesat e opozitës si të papranueshme.
Pas takimit të së martës me zonjën Jahjaga, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë të papranueshme.
“Marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, janë marrëveshje të cilat domosdoshmërisht duhet të hidhen poshtë; janë marrëveshje të cilat nuk do të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës".
"Këto dy marrëveshje e rrënojnë dhe falimentojnë Republikën, dhe e cenojnë, cungojnë edhe territorin e Republikës. Si të tilla janë të papranueshme”, tha Ymeri.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që mos të thërrasë seancë të re, pasi që sipas tij, gjendja mund të përkeqësohet.
“Është gabim i madh insistimi që të thirret seanca e parlamentit derisa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht, është një gabim shumë i madh i Qeverisë përdorimi i policisë, e i prokurorisë për ta disiplinuar opozitën".
"Është e pakuptimtë që të ndërmerret represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur dhe në të njëjtën kohë të insistohet të thirret seanca. I kemi shpjeguar edhe presidentes se një vendim i tillë - një veprimi i tillë për ta thirrur seancën, do të jetë vendim për përshkallëzim të mëtejmë të gjendjes në vend”, tha Haradinaj.
Edhe Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma për Kosovën, u shpreh se koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, nuk duhet të ndërmarrë veprime që mund ta tensionojnë situatën politike në të cilën ndodhet Kosova.
“Koalicioni qeverisës mundohet ta shohë çdo gjë normale, sepse ky koalicion çdo gjë e sheh te numrat, prandaj ata mendojnë se nuk ka krizë. Për ata ka krizë vetëm nëse nuk ka numra, nuk e kuptojnë gjendjen në të cilën është vendi".
"Ata nuk e dinë as çfarë marrëveshje të dëmshme kanë bërë për vendin. Gjithashtu do të shohim edhe rolin e aktorëve sa vërtetë, e seriozisht, janë të interesuar për të kuptuar seriozitetin në të cilin gjendet sot vendi ynë dhe për të ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes së krizës”, deklaroi Limaj.
Në kuadër të nismës për tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend,gjatë ditës, presidentja Jahjaga, ka takuar edhe për përfaqësues të partive politike parlamentare nga radhët e komunitetit pakicë.
Në takim kanë qenë përfaqësues nga Grupi 6 + dhe një delegacion i partisë politike Lista Serbe.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga një ditë me parë ka takuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, ka vlerësuar se në Kosovë nuk ka krizë politike, por ka një tentativë të opozitës që të marrë pushtetin me mjete jo demokratike.
Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Sipas opozitës, kjo marrëveshje e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës, për këtë arsye ata kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje, si dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Tërheqja e nënshkrimeve, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme.