Kërkohet respektim i të drejtave për viktimat e krimit

Ilustrim

Çdo viktimë e krimit duhet të trajtohet me ndjeshmëri, respekt, dinjitet, të informohet dhe të dëgjohet me vëmendje, kanë deklaruar të hënën në Prishtinë, përfaqësues vendor e ndërkombëtarë me rastin e fillimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

Ata theksuan se institucionet e sistemit të drejtësisë duhet të mbajnë përgjegjësi për nevojat e viktimave të krimit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të kësaj ngjarje, tha se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të kujdesen për të drejtat e viktimave dhe të trajtohen më dinjitet.

“Korrigjimi dhe aplikimi i drejtësisë për çdo viktimë shndërrohet në mësim dhe edukim për të ardhmen. Dhuna në familje, trafikimi me qenie njerëzore, keqtrajtimi i fëmijëve, do të ndalen me veprimet e ligjit dhe institucioneve të drejtësisë dhe jo vetëm të tyre".

"Ne do të ndërtojmë norma shoqërore të sjelljeve, sistem të edukimit, norma morale të cilat evitojnë dhunën, keqtrajtimin dhe abuzimin me të tjerët”, tha Mustafa.

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit të Kosovës, tha se të drejtat e viktimave janë të drejta të garantuara me Kushtetutën dhe Ligjin e Kosovës.

Ai kërkoi më shumë përpjekje nga të gjitha institucionet për t’iu ofruar ndihmë viktimave të krimit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kontribuar edhe në hartimin e ligjit për kompenzimn e viktimave, i cili ka krijuar mundësi që viktimat e krimit të trajtohen në mënyrën e duhur. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në vitin 2016 do të krijohet mundësia edhe për kompensimin e viktimave të krimit”, tha Lumezi.

Në këtë ceremoni e cila u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, morri pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ai tha se Kosova për dallim nga vendet e rajonit, sa i takon çështjes së trajtimit të viktimave është lidere.

Zoti Delawie theksoi se Kosova ka ndërtuar kornizë pune të tillë, për të siguruar që viktimat të marrin trajtimin e duhur.

“Është me rëndësi që të shënohet ky sukses, por po ashtu është me rëndësi që ta kuptojmë se ende mbetet edhe shumë punë për të bërë. Kosova duke u përqendruar në temën që fëmijet nuk duhet ta njohin dhunën, po ndërmerr hapin e parë të mirë për të trajtuar edhe fushat e mbetura”, u shpreh Delaëie.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë, që merren me Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, disa herë kanë kritikuar institucionet e Kosovës se nuk janë duke bërë sa duhet për viktimat e trafikuara dhe viktimat e tjera për rehabilitimin dhe ri-integrim të tyre në shoqëri.

Drejtuesit e organizatave, si pengesë në punën e tyre kanë përmendur mungesën e fondeve nga qeveria.

Ndryshe, me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik për domosdoshmërinë e trajtimit sa më dinjitoz për të drejtat e viktimave të krimit, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, organizojnë “Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

"Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, për herë të parë është organizuar në vitin 2010.