Produktet e Kosovës, konkurruese në BE

Ilustrim

Kosova nuk është një vend pa perspektivë dhe pa konkurrencë në Bashkimin Evropian, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, Kosova, thonë ata, me disa produkte dhe shërbime të saj, mund të jetë konkurruese në tregjet e Bashkimit Evropian.

Por, për të qenë konkurruese, institucionet e Kosovës dhe komuniteti i biznesit duhet që resurset që i posedon, vendi t’i aktivizojë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Nam Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se janë disa sektorë në të cilët Kosova ka përparësi me rajonin dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne nuk do t’i konkurrojmë Bashkimit Evropian me prodhimtarinë e veturave, e as me kompjuterë, mirëpo do t’i konkurrojmë BE-së me programe kompjuterike softuer, do t’ konkurrojmë BE-së me produkte ekologjikisht të pasura bujqësore, të cilat prodhohen në Kosovë, do t’i konkurrojmë BE-së me një treg energjetik, i cili është deficitar në rajon”, thotë Gashi.

Secili shtet brenda Bashkimit Evropian, ka disa kapacitete favorizuese në raport me vendet e tjera. Edhe Kosova, shton Gashi, mund të ketë kapacitete dhe nuk duhet t’i frikësohet konkurrencës.

“Ekziston një keqkuptim edhe në popullatë edhe në komunitetin e biznesit, në përgjithësi, se si është e mundur që Kosova t’i konkurrojë një tregu 500 milionësh. Tregu 500 milionësh i BE-së është shumë i shpërndarë dhe krijon hapësirë për kompani të fuqishme, por edhe për prodhues të vegjël edhe për shtete të vogla, siç është rasti i Kosovës”, thekson Gashi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, do të jetë nxitje për investime të jashtme në Kosovë.

Ai ka shtuar se krahas nënshkrimit të MSA-së, Bashkimi Evropian nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), do të shpenzojë deri në vitin 2020, mbi 600 milionë euro në Kosovë, që kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve konkurruese.

Produktet e Kosovës vazhdojnë të jenë shumë pak të pranishme në tregun evropian.

Më shumë se gjysma e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës, vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i mallrave në muajin gusht 2015 kishte vlerën 28, 3 milionë euro, ndërsa importi 245,2 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se produktet vendore janë treguar që janë kualitative dhe si të tilla, do të mund të jenë konkurrente në tregun evropian.

“Kosova është në rrugë të integrimit ekonomik, integrimi ekonomik ngërthen më vete internacionalizmin e ndërmarrësisë, ndërsa internacionalizmi i ndërmarrësisë përmban kushte dhe kritere të veçanta,siç janë certifikimi, standardizimi, menaxhimi i kualitetit dhe shumë procedura të tjera. Në të gjitha këto etapa, është dëshmuar se produktet kosovare janë mjaft kualitative”, shprehet Gërxhaliu.

Vlen të theksohet se prodhimet e Kosovës kanë arritur të marrin çmim të lartë ndërkombëtar për cilësi.

Prodhuesi i industrisë së mishrave “MEKA”, është kompania, e cila ka fituar çmimin e lartë ndërkombëtar për cilësi nga Business Initiative Directions (BID) me seli në Madrid të Spanjës.

Sidoqoftë, Gërxhaliu thekson se në Kosovë mungon një dozë e nacionalizmit ekonomik, që si i tillë po reflektohet drejtpërdrejt në forma të ndryshme te prodhimet vendore.

“Po qe se ka gatishmëri dhe një dozë të nacionalizmit ekonomik në Kosovë që për fat të keq mungon, këto produkte vërtet mund të jenë një brend që mund të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të produkteve të Kosovës edhe në Evropë edhe më gjerë”, konsideron Gërxhaliu.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian është paralajmëruar nga autoritetet se do të nënshkruhet së shpejti.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilzim-Asociimit që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i japë fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.