Kuvendi i Kosovës po mbahet i bllokuar nga opozita, e cila po përdorë edhe gazin lotsjellës që të pamundësojë vazhdimin e seancave plenare.
Veprime të tilla të tri partive në opozitë, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma kanë pasuar kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes që Qeveria e Kosovës ka arritur me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes më Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Në lidhje me këto zhvillime në Kuvend, bllokadës së krijuar dhe tensioneve në rritje, kemi marrë edhe mendimet e disa qytetarëve.
Një qytetar me emrin Alket Zeqiri, mbështet masat opozitare për bllokimin e Kuvendit, duke e cilësuar atë si jo të ligjshëm.
"E shohim si të drejtë pasi që Kuvendi tashmë është jo legjitim, dhe pushteti është gjysmë autoritar i vlerësuar edhe prej organizatave edhe ndërkombëtare. E vetmja rrugë me ju përgjigj një pushteti gjysmë autoritar si ky në Kosovë është bllokimi".
Ndërkohë, Ahmet Kastrati mendon se puna në Kuvendin e Kosovës nuk duhet të bllokohet, ngaqë një veprim i tillë do të shkonte në dëm të interesave të vendit.
"Shpejtë duhet me marrë masa me ndal këtë bllokim. Çka po bën Vetëvendosja është kundër vetit, dhe kundër popullit. Ky nuk është veprim i mirë. Kjo mendoj se është kundër shqiptarëve dhe mendoj se ky është duke punuar për tjetër kënd", ka shtuar ai.
Derisa Artan Hoxha, qytatar nga Prizreni, thotë se Qeveria e Kosovës është fajtore e drejtpërdrejtë e situatës së krijuar në Kosovë.
"Mendoj se bllokimi është shumë i drejtë, duke e pasur parasysh krizën institucionale ku përgjegjëse e drejtpërdrejtë për këtë është Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe vendi po kërcënon me defunksionim total duke e rrezikuar të ardhmen me projekte shumë të rrezikshme sikurse që është "Zajednica" dhe humbja e territorit me demarkacionin me Malin e Zi".
"Kjo në fakt është veprimi më i paktë që ne si qytetarë të Kosovës mund ta bëjmë për mbrojtje të Republikës së Kosovës".
Ndryshe mendon Besa Osmani, ekonomiste me profesion.
"Unë mendoj që kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale. Nëse dikush duhet të protestojë, duhet populli. Deputetët duhet t'i zgjedhin problemet me rrugë tjera", tha Osmani.
Bllokimin e punës së Kuvendit, e mbështet edhe Shukrije Bajrami, sipas të cilës, qeveria duhet t’I tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet me Beogradin dhe Podgoricën.
"Përfundimisht ky Kuvend nuk mund ta vazhdojë punën. Opozita ka të drejtë në kërkesat e tyre. Qeveria duhet t'i tërheq nënshkrimet. Janë të dëmshme për vendin".
"Janë 13 hektarë që po duan t'i falin, e ne nuk kemi tokë të falim. Gjithashtu edhe Asociacioni i Komunave serbe. Nëse nuk tërheqen këto nënshkrime do të duhej ose të shkohet në zgjedhje ose do të ketë protesta deri në realizimin e të kërkesave të drejta të qytetarëve".
Por, Ilmi Muja, qytetar nga Prishtina, mendon se nëse dikush duhet të ngreh zërin, është populli, jo ata që me vota u zgjodhën për të udhëhequr vendin.
"Nuk është mënyrë e mirë. Duhet partitë bashkë ta bëjnë një zgjidhje. Fajin e kemi ne poopulli. Ne duhet t'i bllokojmë të gjithë udhëheqësit pasi sillen kështu. Ata duhet të merren vesh mes veti ndryshe", ka shtuar Muja.