Të hënën mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të hënën, më 19 tetor, mbahet mbledhja e Kryesisë.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se në këtë mbledhje do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë sot si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës.
Qeveria i bën thirrje opozitës të heqë dorë nga dhuna
Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Qeveria e Kosovës tha se i konsideron “sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës”.
Qeveria po ashtu u ka bërë thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.
Shtyhet Seanca – Veseli thotë se do të garantojë punën normale në Kuvend
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të shtyjë seancën plenare, e cila u ndërpre pasi që deputetët nga radhët e opozitës hodhën gaz lotsjellës në sallë.
Kushtet e krijuara u tha se pamundësojnë që seanca të vazhdojë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka cilësuar të papranueshme sjelljet e opozitës, duke i cilësuar si keqpërdorim të Kuvendit nga pakica.
Ai ka thënë se sjellje të tilla nuk do të tolerohen dhe se në Kuvend do të zbatohet rregullorja dhe ligji.
“Unë si kryetar i Kuvendit bashkë me Kryesinë do të përdorim të gjithë autoritetin tonë denjësisht për të siguruar punën normale në Kuvend”, ka deklaruar Veseli.
Në anën tjetër, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku thuhet mbeten të vendosura të mos lejojnë punimet e Kuvendit përderisa mbeten në fuqi marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.
Visar Ymeri: Bllokada do të vazhdojë
Kryetari i Lëvizjes Vetvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar për mediet para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës se protesta do të vazhdojë dhe se "nuk ka seanca plenare të Kuvendit, e as nuk ka punë të rehatshme për Qeverinë, për sa kohë që këta insistojnë në zbatimin e këtyre marrëveshjeve".