Partitë opozitare të Kosovës kanë publikuar një deklaratë të përbashkët
Ilir Deda bën thirrje për dialog
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, përmes një letre drejtuar presidentes, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka bërë thirrje për dialog politik.
"Apeloj që sa më parë të thirrni në tryezë politike liderët e partive politike për arritjen e konsensusit të Qeverisë dhe opozitës për dalje nga situata e rëndë në të cilën gjendemi. Ky dialog duhet të bëhet pa kushte, pa qëndrime rigide dhe pa përjashtime të zgjidhjeve të mundshme konsensuale. Ndërsa rezultatet e këtij dialogu duhet të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës", ka thënë Deda.
Policia demanton Konjufcën
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës njofton të gjithë opinionin e gjerë se shkrimet e publikuara sot në disa portale, që i referohen deklarimeve të shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje se kinse Policia e Kosovës i ka ndihmuar në futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të RKS-së, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta”.
Sipas Policisë, deklarata e zotit Konjufca është tendencioze dhe diskredituese
Policia gjithashtu bën të ditur se është duke hetuar se si është futur gazi lotsjellës në sallë.
Prokuroria heton zhvillimet në Kuvendin e Kosovës
Prokuroria e Shtetit ka nisur menjëherë hetimet pas incidentit të sotshëm në Kuvendin e Kosovës, kur deputetë të opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës për të pamundësuar vazhdimin e seancës.
Sipas pamjeve të filmuara sot, vërehet deputeti Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje kur e hedh gazin lotsjellës.
Një hetim i ngjashëm është duke u zhvilluar edhe ndaj deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu, po nga Lëvizja Vetëvendosje për një veprim të ngjashëm javën e kaluar.