Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak pas mesnatës është liruar nga Policia e Kosovës, pasi ishte ndaluar në mbrëmjen e së hënës deri sa po kthehej nga një udhëtim zyrtar.
Kurti, pasi është liruar ka mbajtur një fjalim para aktivistëve të Lëvizjes në sheshin ‘Skënderbe”, në Prishtinë.
Kurti ka treguar se është liruar nga policia pasi nuk kishte ardhur asnjë prokuror për ta intervistuar, ashtu siç e kishte njoftuar Policia e Kosovës.
“Aty në stacionin e policisë erdhën tre policë të njësisë hetimore për krime të renda dhe me dërguan në disa zyra. Ata me premtuan se së shpejti do të vij prokurori. Nuk erdhi prokurori. U ndalova u arrestova e u lirova pa asnjë dokument të shkruar. Ky është arbitraritet i plotë. Dhe besoj së kjo është edhe një dëshmi se në Kosovë edhe politika është bërë policorë që besa edhe policia është bërë politike për pasoj”, tha para simpatizantëve të tij, duke treguar se në asnjë pyetje nuk iu është përgjigjur hetuesve policor.
Kurti tha se si opozitë nuk do të ndalen së vepruari për të ndaluar formimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe dhe kundërshtimin e demarkacioni të kufirit me Malin e Zi.
“Ne duhet të qëndrojmë të vendosur edhe brenda Kuvendit të republikës edhe nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave të republikës, posaçërisht këtu në kryeqytetin e republikës dhe t’i ndalim një herë e përgjithmonë projektet e Serbisë", tha ai.
Gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar Kurti, autoritetet e rendit në Kosovë kanë përdorur gazin lotsjellës në orët e vona të mbrëmjes në Prishtinë, për të shpërndarë turmën e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tubimi i tyre para stacionit policor në Prishtinë pasoi ndalimin e deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nga ana e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se me urdhër të prokurorit kompetent, Kurti është dërguar në mbajtje dhe procedura të tjera.
Në drejtim të stacionit policor, aktivistët e Vetëvendosjes kanë hedhur gurë dhe gjësende të forta.
Zoti Kurti dyshohet të jetë ndalur për shkak se kishte hedhur gazin lotsjellës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partitë tjera politike në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë bllokuar seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Opozita në Kosovë është zotuar se nuk do të heqë dorë nga bllokada e Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nga marrëveshja e arritur me Serbinë më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Këtë marrëveshje, institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore në Kosovë e kanë cilësuar si arritje, kurse forcat politike në opozitë e shohin si hap drejt ndarjes territoriale të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5