Kisha në hapësirën e UP-së, ndërmjet “legalizimit” dhe politizimit

Kisha në hapësirën e UP-së, ndërmjet “legalizimit” dhe politizimit

Që nga fillimi i vitit 1990, kur nga peshkopi i atëhershëm, e më pas patriku serb Pavle, ishte hedhur ideja për ndërtimin e katedrales, kisha e “Krishtit shpëtimtar” (Hristos spasos), një tempull ortodoks serb në Prishtinë, e deri më sot, ndërtimi i kësaj kishe nga shqiptarët e Kosovës ishte parë si problem politik, e në vitet e fundit është bërë kontest gjyqësor ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës.

Kjo për faktin se kisha ortodokse serbe”Krishti shpëtimtar”, është ndërtuar në hapësirën, të cilën Universiteti i Prishtinës e konsideron të jetë nën shfrytëzimin e tij, rreth 50 vjet me radhë.

Për më tepër, objektit të kishës i janë nisur themelet dhe është ndërtuar gjatë dekadës kur në Kosovë sundonin institucionet nën masat e dhunshme të regjimit serb të Slobodan Milosheviqit, i cili ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe ato në Kosovë.

Kisha, faltore apo “vulë e urbicizmit”?

Por, si shihet kjo kishë nga ekspertë të urbanizmit në Kosovë, por edhe nga përfaqësues të Kishës ortodokse serbe, si dhe zyrtarë të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë?

Ferdane Llonçari, arkitekte, koordinatore e Qendrës për mundësi të barabarta në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, pushteti i dhunshëm serb i instaluar në Kosovë, ka bërë ndërtime të shumta në vend, për të “vulosur” përkatësinë, kinse serbe të Kosovës.

Por, sipas saj, shembulli më flagrant, si e quan ajo, i urbicidit në Kosovë, është rasti i ndërtimit të kishës në hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

“Në hapësirat e Universitetit të Prishtinës ekziston një objekt sakral, i ndërtuar në kohën kur nga institucionet e Kosovës kanë qenë të suspenduar njerëzit që kanë punuar më parë në to. Masa të dhunshme. Dihet, ajo ka qenë periudha kur neve na kanë larguar prej institucioneve dhe kanë qenë ata që kanë vendosur jo vetëm për ndërtimin e kishës, por edhe për të gjithë të tjerat... serbët pra, patjetër”.

“Do të thotë po flasim për pushtetin, nën të cilin kemi jetuar. Ajo (kisha) është sakrale, mirëpo është një objekt që e vulos urbicidin në Kosovë. Secili, e konsideron politike, se dihet në cilën kohë është bërë dhe dihet çfarë ka pasur për qëllim ”, thotë Llonçari.

Your browser doesn’t support HTML5

Kisha në hapësirën e UP-së, ndërmjet “legalizimit” dhe politizimit

Por, përfaqësuesi i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, nuk pajtohet me vlerësimet se ndërtimi i kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, ka pasur porosi politike.

Ne nuk pajtohemi me këtë kualifikim. Ne konsiderojmë se ajo nuk është kishë politike. Qëndrimi ynë është, dhe ne e kemi përsëritur disa herë, se ne i kemi të gjitha dokumentet se kisha është bërë në mënyrë legale dhe se ajo nuk është kishë e Milosheviqit. Ai nuk e ka ndërtuar atë”.

“Madje, për më tepër, ai personalisht ka qenë kundër ndërtimit të asaj kishe. Kisha është ndërtuar me iniciativën e peshkopit të atëhershëm, i ndjeri patriku Pavle. Ai atëherë ka qenë peshkop dhe ai e ka nisur ndërtimin, për shkak se atëherë në Prishtinë jetonin rreth 40 mijë serbë. Dhe, qytetit i nevojitej një kishë”, thotë igumeni Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Janjiq shton se për ndërtimin e tempullit të saj, Kisha ortodokse u është drejtuar institucioneve ekzistuese në vitin 1990. Rreth një vit e gjysmë janë mbledhur dokumentet për ndërtimin e kishës, ndërkaq, në dhjetor të vitit 1992 janë vendosur themelet e saj. Më pas, në fillim të vitit 1999, kjo kishë ishte ndërtuar, deri në formën që sot e ka.

Kisha u ka bërë kërkesën institucioneve të atëhershme. Ne nuk kemi mundur t’u drejtohemi (nuk e di se cilave) institucioneve tjera. Ne u jemi drejtuar atyre që kanë qenë për momentin në pushtet".

"Sipas ligjeve të atëhershme, kemi marrë lejen dhe të gjitha kushtet për ndërtim dhe kështu është ndërtuar. Natyrisht, ajo ka qenë një kohë e vështirë, të cilën njerëzit nuk e kujtojnë pozitivisht, por kjo nuk duhet të ndërlidhet me kishën”, konsideron Janjiq.

Por, arkitektja Llonçari, po ashtu edhe eksperte për urbanizëm, shpreh bindjen se ndërtimi i kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, ka mundur të bëhet në ndonjë hapësirë tjetër të Prishtinës.

Por, sipas saj, me vetë faktin se ndërtimi i kësaj faltoreje ortodokse serbe është bërë në hapësirën universitare, ky objekt ka bartur porosi politike.

“Me vetë faktin që lokacioni është zgjedhur aty, unë nuk e di se a ka karakter tjetër, përveç se në një hapësirë të tillë, me një objekt kinse sakral, të vuloset okupimi i këtij vendi”, vlerëson Llonçari.

“Sherri” për kishën, kishte nisur që nga viti 2000

Arkitektja Llonçari thotë se në vitin 2000, ka punuar në Drejtorinë komunale për urbanizëm të Prishtinës, me detyrë specifike, hartimin e rrjetit të shkollave, ambulancave dhe objekteve të karakterit publik.

Sipas saj, pas luftës, Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, në kohën kur atë e drejtonte Bernard Kushner, kishte definuar dy pako të ligjeve: ato diskriminuese, të cilat ishin vendosur në Kosovë gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe që përjashtoheshin për t’u përdorur, si dhe ligjet para asaj periudhe, jo diskriminuese, të cilat hynin në fuqi.

Siç thotë ajo, Michael Daxner, bashkëdrejtues i departamentit të Arsimit dhe Shkencës, në atë periudhë, kishte kërkuar përmes një shkrese që “të lirohen hapësirat e universitetit nga objektet që nuk i takojnë”.

Por, sipas saj, kjo nuk kishte ndodhur.

Në vitin 2012, arkitektja Llonçari, ka qenë këshilltare për çështje të planifikimit të hapësirave të Universitetit të Prishtinës e rektorit të këtij universiteti, Mujë Rugova.

Sipas saj, një zyrtarë i OSBE-së, u kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe dëshiron të bisedojë me Universitetin e Prishtinës, lidhur me vazhdimin ndërtimit të kishës “Krishti shpëtimtar”, për faktin se Qeveria e Kosovës është pajtuar që “hapësira ku është ndërtuar ajo, është pronë e Kishës Ortodokse Serbe” .

Kjo bisedë ka qenë, sipas saj, shkak për t’u takuar menjëherë me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“E kemi pyetur se a është legjitime kërkesa e Kishës që të vazhdojnë punimet, me pretekstin që ata thanë se ‘janë pronarë’. Përgjigja ka qenë ‘po’, prej ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai e ka pohuar realisht atë që ne kemi dyshuar nëse është e vërtetë".

"Me vetë faktin që ne kemi marrë përgjigje të tillë, te një ministër i Qeverisë së Kosovës, ne nuk kemi bërë pyetje më tutje. Universiteti i Prishtinës, atëherë, nuk ka mund të lejojë më që të na befasojë një veprim i tillë dhe kemi bërë një dosje dhe kemi angazhuar avokat dhe çështja e kishës është në gjykatë”, shpjegon Llonçari.

Në anën tjetër, me gjithë tentimet e Radios Evropa e Lirë për të marrë mendimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ai nuk ka qenë i qasshëm.

Por, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, mohon që Qeveria e Kosovës, edhe në mandatin e kaluar, t’i ketë dhënë të drejtë pronësie Kishës Ortodokse Serbe, për hapësirën ku është ndërtuar tempulli i saj.

“Jo, nuk është e vërtetë. Jo, jo... nuk është e vërtetë, nuk ka kurrfarë fakte për një gjë të tillë”, thotë ministri Agani.

Çështja në gjykatë

Sidoqoftë, që nga viti 2012, çështja e kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, është në gjykatë, për të shqyrtuar legjitimitetin e kërkesave të të dyja palëve, Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës.

Igumeni Sava Janjiq, thotë se Kisha Ortodokse Serbe është në dijeni se rasti është shndërruar në kontest gjyqësor dhe se dokumentet për pronësinë mbi hapësirën ku është ndërtuar tempulli ortodoks “Krishti shpëtimtar”, i janë dorëzuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian - OSBE dhe Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kisha posedon dokumentin ku Universiteti i Prishtinës, në vitin 1990, është pajtuar me ndërtimin e kishës. Po ashtu, siç thotë Janjiq, ekziston edhe vendimi i autoriteteve të komunës së Prishtinës, i viti 1990, në favor të ndërtimit të kishës.

“Ky është vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për planin urbanistik të Qendrës universitare në Prishtinë, ‘ku do të ndërtohet objekti i tempullit të katedrales me objektet përcjellëse dhe infrastrukturore. Dokumenti është nga 26 shtatori i vitit 1990 dhe e ka nënshkruar Hamdi Vraniqi, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Do të thotë, ky është dokumenti i parë”, thekson igumeni Janjiq.

Por, megjithatë, Radio Evropa e Lirë, nuk ka arritur ta shohë vërtetësinë e dokumentit, për shkak se igumeni Janjiq, thotëse nuk ka autorizim për ta dërguar atë.

Nuk mund t’ua dërgoj dokumentin, sepse nuk jam i autorizuar”, është përgjigja e Janjiqit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai, gjithashtu, thekson se në vitin 1991, Kishës Ortodokse Serbe i është dhënë vendimi për ndërtim dhe po ashtu vendimi për t’u regjistruar në kadastër.

Igumeni Janjiq shton se dokumentet, që sipas tij, vërtetojnë ligjshmërinë e ndërtimit të kishës dhe pronësisë së hapësirës, mund t’i dorëzohen edhe Komunës së Prishtinës. Por, ai nuk shpjegon se pse kjo nuk ka ndodhur deri më tash.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës, ka kërkuar edhe më parë që Kisha Ortodokse Serbe, në rast se i ka dokumentet që mund ta dëshmojë ligjshmërinë e ndërtimit të objektit të saj në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, t’i dorëzojë ato për legalizim.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është i njoftuar se çështja e kësaj kishe është dërguar në gjykatë nga Universiteti i Prishtinës. Sipas tij, e gjithë situata rreth kësaj çështjeje, para ligjit, është e thjeshtë.

“Në qoftë se është ndërtim pa leje - sepse ne nuk kemi kurrfarë dokumentacioni- atëherë ai objekt duhet të aplikojë për leje. Në qoftë se e kanë lejen, ata duhet ta sjellin në komunë, në mënyrë që ne ta verifikojmë se ka leje dhe se gjithçka është në rregull”.

“Mirëpo, deri më tani, Kisha Ortodokse Serbe ka hezituar ta sjellë këtë dokumentacion, sepse në njërën anë nuk kanë dashur të pranojnë që t’i nënshtrohen një procesi të legalizimit, sepse për ta kjo nënkupton që ata po pranojnë se është një objekt pa leje. Besoj që kjo është një çështje pak më e ndjeshme politike dhe do të trajtohet me kujdes. Megjithatë, ne nuk mund të marrim pozicion politik, përveçse zbatimit të ligjit që e kemi aktualisht në fuqi”, deklaron Shpend Ahmeti.

Ai shton se është pak e besueshme që Kisha Ortodokse Serbe të mos ketë marrë leje për ndërtim nga institucionet në vitin 1990, të cilat ishin të regjimit të Milosheviqit.

Por, gjithashtu, ai përkujton se në kohën kur ka filluar ndërtimi i kësaj kishe, rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, ka dërguar kallëzim penal në gjykatë.

Por, cili do të jetë fati i tempullit ortodoks “Krishti shpëtimtar”?

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Ferid Agani, thotë se institucionet do të jenë të detyruara të veprojnë në bazë të vendimit që do ta sjellë gjyqi.

“Të gjitha palët janë të detyruara që t’i respektojnë verdiktet përfundimtare të gjyqeve lidhur me këtë çështje. Unë e bashkë-kryesoj, me zotin (Samuel) Zhbogar, Këshillin për mbikëqyrje dhe zbatim, në bazë të ligjit përkatës, i cili merret me këto çështje. Ky këshill e ka pasur si pikë të rendit të ditës çështjen e kësaj kishe dhe është pajtuar i gjithë këshilli se duhet pritur vendimi i gjykatave kompetente lidhur me këtë çështje. Do të veprohet në bazë të këtyre verdikteve”, thotë ministri Agani.

Ministri Agani shton se ka informatë se ka filluar procesi i shqyrtimit të kësaj çështjeje nga gjykata. Megjithatë, ai shpreh mendimin se nuk duhet pritur që domosdo verdikti të jetë, siç e ka quajtur ai “bardh ose zi”, por mund të përmbajë edhe elemente tjera.

Sidoqoftë, edhe Igumeni Janjiq, por edhe arkitektja Llonçari, pajtohen në një pikë, por nga pikëpamje të ndryshme, që kisha “Krishti shpëtimtar” nuk duhet të rrënohet, pavarësisht verdiktit gjyqësor.

Igumeni Janiq, thotë se kisha nuk duhet rrënuar për faktin se është një faltore dhe kjo do të dërgonte sinjale jo të mira në botë për Kosovën.

Ndërkaq, arkitektja Llonçari, shpreh mendimin se kjo kishë nuk duhet shembur, por duhet të mbetet si një “simbol” që do të përkujtojë gjeneratat e reja, për, siç e quan ajo, urbicidin e ushtruar nga një regjim dhe për të gjitha ato që i ka kaluar Kosova në një pjesë të historisë së saj.