Besimi në institucionet e larta të Kosovës, ka degraduar dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve nuk janë shembulli më i mirë për të rinjtë, vlerësojnë disa të rinj, studentë dhe nxënës në Prishtinë.
Në rubrikën e përjavshme "VOX" të Radios Evropa e Lirë, shumica e tyre, thonë se nuk kanë besim as në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, ka edhe mendime që veçojnë punën dhe besueshmërinë ndaj ndonjë prej këtyre institucioneve.
Your browser doesn’t support HTML5
Arbër Bytyçi nga Malisheva, student në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet e larta kanë treguar joseriozitet në punën e tyre dhe rrjedhimisht, të rinjtë pak u besojnë.
“Institucioneve në Kosovë, si individ nuk mund të them se plotësisht mund t’iu besohet, sepse nuk e kanë treguar veten, në çdo aspekt. Më së shumti qeverisë, sepse çdo vendim që e merr, e nënshkruan ashtu si ia imponojnë të tjerët. Shkurt, punët nuk i marrin me seriozitet”, thotë ai.
Brikena Rexhepi, studente në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, vlerëson që institucionet e larta të Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të rinjtë dhe rrjedhimisht, besimin në to, ajo e ka të zbehur.
“Jo edhe aq, sepse nuk kanë bërë diçka për ne, nuk ka vende pune. Nuk po shoh që po bëjnë diçka të mirë për ne, për rininë, për vendin tonë, por vetëm për interesa të veta. Unë kështu mendoj”, thotë Brikena.
Berat Fejzullahu nga Prishtina, ka përfunduar maturën. Besimi i tij në institucione të larta, siç thotë ai, nuk ekziston fare. Shkaktar për mosbesimin e tij, sipas tij, janë vetë këto institucione.
“Qeverisë nuk i besojmë hiç. Nuk ka bërë asgjë që t’i besojmë. Çfarë ka bërë? Shitjen e Kosovës. Privatizimin po e bëjnë vetëm për interesa personale. Për shembull, privatizimi i KEK-ut që është bërë. Për aq sa është shitur, kanë kushtuar vetëm orët matëse. Për mendimin tim, me këta që janë këtu (në institucione) nuk shoh ndonjë të ardhme më të mirë. Për mendimin tim, duhet bërë ndryshime, si në Qeveri, në Kuvend e gjithkund”, shprehet Berati.
Megjithatë, disa prej të rinjve, thonë se u besojnë pjesërisht institucioneve të larta, madje duke i veçuar disa prej tyre.
Jetmir Beqiraj, studion Mjekësinë në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, në uljen e besimit ndaj institucioneve të larta, ka ndikuar raporti i këtyre të fundit me qytetarët.
“Mund të them se u besojmë, por jo shumë. Për shembull, i besojmë Kuvendit, por edhe Presidencës. Qeverisë më pak, ndoshta për shkak të këtij raporti që është krijuar me publikun, moskomunikim i tyre i drejtpërdrejtë me qytetarë. Është krijuar një lloj largësie me ta dhe më pas edhe besimi po bie”, thekson Jetmiri.
Flamur Krasniqi, po ashtu student i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet e Kosovës, në përgjithësi, ende janë të reja. Por, sipas tij, sjellja e përfaqësuesve të institucioneve të larta zhgënjen të rinjtë:
“Përderisa e dimë që Kosova është një shtet i ri, edhe institucionet janë duke u konsoliduar. Për këtë arsye, e kemi një besim, por njerëzit që i përfaqësojnë institucionet... ndoshta do të kishte qenë më ndryshe, sikur të kishin qenë më të mirë. Sigurisht që nuk dinë as të ofrohen me të rinjtë, përderisa çdo ditë i shohim që tejkalojnë me vetura të zeza dhe me xhama të zi, por asnjëherë nuk ta shtrijnë dorën, qoftë të ndihmës, qoftë edhe komunikimit me rininë”.
Medina Basha, studente në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, thotë se përfaqësuesit e institucioneve nuk i realizojnë premtimet dhe kjo sjell mosbesimin ndaj tyre.
“Nuk u besojmë, gati aspak, sepse japin premtime dhe nuk i realizojnë. Sidomos Qeverisë nuk i besoj. Asgjë nuk po ndryshojnë. Nuk janë shembull i mirë për gjeneratat tjera”, vlerëson Medina.
Visar Marki nga Gjakova, student i Ekonomisë dhe Menaxhmentit në Universitetin e Prishtinës, thotë se mënyra se si funksionojnë institucionet e larta në Kosovë, i bën të rinjtë që të jenë skeptik ndaj tyre. Por, megjithatë, sipas tij, ka edhe institucione që mund të marrin notë pozitive.
“Është njëfarë besimi shumë skeptik ndaj tyre. Nuk më bëjnë t’u besoj aspak. Për shembull, vendimet që i marrin rreth shtetit tonë, rreth qeverisjes sonë, nuk janë që ndikojnë në mirëqenien e popullit, asnjëherë. Në njëfarë forme më shumi i shikojnë interesat e veta se sa të popullit. Por, më shumë, një notë pozitive do ta merrte Presidenca, jo pse e ka ndonjë potencial në vendim-marrje, por ajo e gëzon njëfarë besimi më të madh se këto dy tjerat (Qeveria dhe Kuvendi). Unë nuk e shoh që aty ka ndonjë lloj korrupsioni”, shprehet Visari.
Diellza Namani, studion Gjuhën Angleze në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se mosbesimi ndaj institucioneve të larta, nuk ështëkrejtësisht i njëjtë për të gjitha.
“T’ju them të drejtën, nuk ju besoj aspak. Ndoshta nuk po tregohem as modeste, por po besoj që qeveria që po na përfaqëson, nuk është ajo më e mira që do të mund ta kishim. Ç’është më e keqja, kjo po ndikon edhe te të rinjtë, sepse po manipulohen shumë më lehtë prej fjalëve që i dëgjojnë, se sa prej atyre që i shohin. Ndoshta Presidencës i besoj pak më shumë. Mënyra se si po mundohet, të paktën, presidentja të na përfaqësojë, po më duket pak më e mirë”, u shpreh Diellza Namani.
Por, Hamzë Berisha student nga Gjakova, vlerëson se besueshmëria dhe kredibilitetit i institucioneve të larta, te të rinjtë dhe qytetarëve nëpërgjithësi, po degradon përditë e më shumë.
“Kjo është pasojë qysh më parë, ku nuk kanë treguar rezultate institucionet apo qeveritë tona që kanë qenë deri më tani. Në këtë formë ka vazhduar edhe mosbesimi i qytetarëve tek institucionet tona. Kjo shihet gjithkund dhe në çdo vend, sepse automatikisht shihet politizimi që është bërë në të gjitha sferat e jetës. Në këtë rast, unë e kisha marrë një thes dhe i kisha fut të gjithë aty”, thekson Hamza.