Fjalori fyes dhe gjuha degraduese që kohët e fundit i kanë përcjellë raportet e ashpërsuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, janë shembulli më i keq që mund të shpërfaqet para qytetarëve, të cilët ua kanë besuar votën të zgjedhurve të vet.
Kështu vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë, të cilët në rubrikën e përjavshme "VOX" të Radios Evropa e Lirë, kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me diskursin publik që po përdoret së fundmi nga pushteti dhe opozita.
Your browser doesn’t support HTML5
Zija Haziri, një i ri nga Prishtina, i cili thotë se është i papunë, vlerëson që politikanët, qoftë në pushtet apo opozitë, nuk po merren me uljen e papunësisë, ndërkohë që, siç thotë ai, para të gjithëve japin pasqyrë të shëmtuar me fjalor degradues.
“Këta tanët? Jemi mësuar më me ta. Po i shohim ditë për ditë duke përdorur fjalor degradues. Shumë keq. Ka aty edhe akademikë dhe të tillët të përdorin asi fjalori, është shumë keq, si opozita si pushteti, njëjtë. Të shkolluar këta, por nuk e di se çfarë po bëhet, kur po vijnë këtu, të gjithë po bëhen njësoj. Po na përfaqësojnë neve dhe është keq, sepse kur dikush nga jashtë i sheh dhe nëse dikush ia përkthen, ai mund të thotë ‘çfarë populli qenkan këta’?”, thotë Zijai.
Egzona, studente në Fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se fyerjet dhe fjalori degradues i përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, është tronditës.
“Na kanë tronditur këto ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, sepse, përderisa ne i kemi zgjedhur vetë dhe këta të kenë fjalor kaq degradues, ky është shembull shumë i keq. Por, prapëseprapë, ne jemi vetëm qytetarë dhe nuk po mund të bëjmë asgjë tjetër”, shprehet Egzona.
Murat Krasniqi thotë se ka përfunduar maturën. Ai fajëson të dyja palët, pushtetin dhe opozitën, për ashpërsim të fjalorit dhe degradim të tij:
“Si njëjtë po shkojnë, të dyja, pushteti dhe opozita. Nuk po mund t’i durojmë fare, por s’po kemi çfarë të bëjmë, sepse ato gjëra nuk fliten askund, as në rrugë e lëre më në publik. Kështu po mësohen të rinjtë dhe të gjithë”.
Tauran Kuçi, një i ri nga Prishtina, thotë se fyerjet që shkëmbejnë përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës janë imituese jo vetëm për të rinjtë, por për të gjithë.
“Të paktën, ata janë njerëz që ne i kemi zgjedhur dhe që ne kemi menduar se ata duhet ta përfaqësojnë vendin tonë dhe të japin shembull të mirë, dhe të jenë shembull për çdo person. Ky është një degradim i tepërt. Kam shumë nevojë të shoh njerëz me ide të reja, me energji të punës më shumë, si dhe me fjalor më të pastër”, konsideron ai.
Shkamb Kërleshi, student në Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Prishtinës, e komenton me ironi shkëmbimin e fyerjeve ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, si dhe fjalorin degradues që përdorin.
“Mund të jetë edhe faji jonë që i kemi zgjedhur ata njerëz. Nuk e di, ndoshta edhe mungesa e fjalorit të tyre. Mbase janë mësuar para kamerave dhe harrojnë se janë para tyre. E në rrjete sociale aty e kanë me gjithë mend, aty e kanë tamam. Janë bërë më zi se ‘reperët’ që përdorin fjalë eksplicite në këngët e tyre. Këta janë bërë më ‘reperë’. Janë shumë shembull i keq”, thotë Shkambi.
Jetlira Beqiri, studente e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se të rinjtë kanë nevojë për shembuj të mirë frymëzues, por jo për shembullin që po japin politikanët me fjalor degradues.
“Fjalori degradues do të reflektonte shumë keq, si te të rinjtë ashtu edhe te tjerët. Ne, normalisht, ishte dashur të marrim mësim edhe nga ta, se si na përfaqësojnë. Por, kjo nuk funksionon. Kjo nuk u shkon fare, sepse ata ishte dashur ta tregojnë shkollimin dhe nivelin e edukimit të tyre”, shprehet Jetlira.
Visar Kalludra, student i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se në mjaft raste fjalori denigrues i politikanëve, nga të rinjtë perceptohet edhe si fyerje e inteligjencës së tyre.
“Ne i kemi zgjedhur dhe kur i shohim se po e bëjnë një gjë të tillë, ky nuk është keqpërdorim, por keqtrajtim i votës. Do të thotë, edhe më keq se keqpërdorimi. Ndoshta, ata që janë edhe më të rinj, e marrin këtë si ‘edukim’. Nuk është kjo pasqyrë e mirë, as për ne, as për askënd. Është fyerje e inteligjencës kjo, sepse ne e kuptojmë dhe e shohim se çfarë po ndodhë, por disi, populli ka filluar të ndjehet i pafuqishëm ndaj tyre”, thekson Visari.
Ndërkaq, Alban Krasniqi nga Malisheva, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se ata që janë zgjedhur nga votuesit, duhet ta ruajnë legjitimitetin e përfaqësimit të tyre. Por, sipas tij, fjalori degradues që po përdorin disa prej tyre, u zbeh tërësisht atë legjitimitet.
“Përfaqësojnë shembullin më të keq të mënyrës së komunikimit edhe të rrugës, por edhe që nuk përkon mbase me nivelin e edukimit, nivelin e arritjeve shkencore apo profesionale, që pretendojnë se i kanë".
"Ndjehesh i ofenduar, sepse kur e sheh dike që do të duhej të ishte model, por që është model për të keq, pastaj të bën të mendosh se çfarë është pjesa tjetër e vendit dhe e shoqërisë. Të bën të tmerrohesh me faktin që të vjen ajo shprehja - kushdo që ta ketë thënë - se ‘çdo popull e ka qeverinë që e meriton’. E unë po shpresoj se meritojmë më shumë se kaq”, vlerëson Albani.